Përdorimi i barërave pa konsultim të mjekut i detyron farmacistët të japin këshilla. Eeksperti i farmacisë, Bislim Bislimi, thotë se farmacisti nuk mund të luaj rolin e mjekut, por është kontrolli i fundit i medikamentit, para përdorimit nga ana e pacientit
Delvina KËRLUKU
Shkup, 27 dhjetor – Bashkëpunimi mjek-pacientë te ne ka kohë që e ka humbur kuptimin fillestar dhe për rrjedhojë ndodhë që pacientët përcaktojnë vetë terapinë, duke iu drejtuar farmacive, si zëvendësim i kontrollit të domosdoshëm mjekësor. Kjo lidhet me kulturën e pamjaftueshme shëndetësore të pacientëve, të cilët jo rrallë marrin guximin të diagnostifikojnë vetë sëmundjet, shkruan gazeta KOHA.
“Diagnostifikimi me kohë i sëmundjes nga mjeku amë e parandalon përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientit, në të kundërtën sëmundja vjen duke u zhvilluar. Nëse nuk kemi tretman adekuat në afat të duhur, kjo ndikon edhe shumë negativisht te disa sëmundje, të cilat janë më të rënda si kanceri, por edhe sëmundjet cerebrale. Nëse intervenimi nuk kryhet ose nuk merret terapia menjëherë, atëherë kemi përkeqësim të situatës të pacientit, që shpesh ankohen te farmacia”, thotë për gazetën KOHA, eksperti i farmacisë Bislim Bislimi.
Këtë mendim e mbështet edhe dr.Sedat Limani i cili thotë se çdo fazë e sëmundjes ka mjekimin e vetë. Sipas tij ka ligj për mbrojtjen e pacientëve dhe pacientit i jepet e drejta e gjithçkaje. Pacientët këtë “mbrojtje” e keqpërdorin shpesh herë, duke bërë veprime të padobishme për shëndetin e vet, që më pas konsumimi i barit pa rekomandim të mjekut i keqëson gjendjen dhe e detyron të vihet më vonë në shërbim të mjekut. Përbuzja e mjekut, te ne është shumë më e theksuar, ndonëse shumë sëmundje, thotë dr. Lumani, duhet të trajtohen edhe në mjekësi primare.
Ai apelon që pacientët të vetëdijesohen për rolin e mjekut në shëndetin e tyre ndërsa farmacistët gjithsesi që duhet kenë protokollin e tyre, dhe e kanë të ndaluar të japin barërat pa recetë të mjekut. Në situatë kur përdorimi i barërave bëhet pa konsultimin e mjekut, i detyron farmacistët të japin këshilla dhe në njëfarë mënyrë, pa dëshirën e tyre, të marrin edhe rolin e mjekut.
Por, sipas ekspertit të farmacisë, Bislim Bislimi, mjekun askush nuk mund ta zëvendësojë, kurse farmacisti është stacioni i fundit ku përfundon trajtimi i një pacienti, aty ku edhe kontrollohet një medikament para përdorimit. Në raste të tilla farmacistët mund të japin një ndihmë shumë të madhe në konsultim, nëse për arsye të ndryshme kjo ka munguar nga ana e mjekut. Bislmi shpjegon se farmacistët japin këshilla si duhet të përdoret një medikament, sa herë në ditë të konsumohet, cila është cilësia e tij, por edhe për atë nëse një medikament mund të përdoret për më shumë sëmundje. Kjo ndodhë zakonisht në rastet kur medikamentet për shërimin e infeksioneve të veshit, përdoren edhe për infeksionet e syrit, siç është, bie fjala, “Nedeksacin”. Këtë dilemë na e sqaron farmacisti Bislimi, sipas të cilit kjo nuk është shqetësuese, por është një dukuri e zakonshme, sepse të gjitha preparatet për sy përgatiten në mënyrë sterile, dhe të njëjtat mund të përdoren edhe për infeksione të veshit. Ndërsa kur bëhet fjalë për infeksionet e syrit, kjo rregull nuk vlen, pasi që nuk mund të përdoren preparatet për veshë, saktëson Bislmi. (koha.mk)