Parlamenti Evropian miratoi me 516 vota pro, 133 kundër dhe 50 abstenim, mocionin për të përcaktuar etapat e negocimit të Brexit. Ndër pikat kryesore të këtij mocioni janë të drejtat e qytetarëve evropianë, apo ndalimi i marrëveshjeve tregtare të Britanisë me vendet e tjera, deri në shkëputjen përfundimtare nga Bashkimi Evropian. Ky vendim nxiti replika në sallë ku protagonist ishte Nigel Farage, një nga promotorët e Brexit, i cili e cilësoi vendosjen e dëmshpërblimit prej 52 miliardë stërlinash nga ana e Brukselit, si një akt të poshtër dhe hakmarrës. Deputeti euroskeptik u ndërpre nga presidenti italian i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, i cili e cilësoi krahasimin e Farage si të papranueshëm, por Farage nuk ndaloi së ironizuari. Presidenti i Komisioni Evropian, Jean-Claude Juncker, tentoi të ulë gjakrat duke thënë se negociatat me Britaninë e Madhe do të kryen në frymën e miqësisë dhe pa u udhëhequr nga emocionet.