Një emër si ky që na nderon me vlera kulmore, pa pasur nevojë që dikush për të intervenojë që “t’ia përmirësojë suksesin”, flet për domosdoshmërinë e ngritjes së standardeve valorizuese në shoqërinë tonë, ku dija dhe vetëm dija mund të jenë treguesit më real dhe më produktiv të rritjes së kuotave në grafikonin e gjendjes sonë shpirtërore kulturore e profesionale
Nga Emin AZEMI
Besian Mehmeti nuk është politikan. Ai është vetëm arkitekt dhe si i tillë ndoshta nuk i plotëson ‘kushtet’ që të gëzojë ndonjë vëmendje më të madhe mediatike. Te ne vetëm politikanët mesatarë dhe këngëtarët e tallavasë përpunojnë shijen meskine të publikut. Mediatizimi i ‘taxhisë’ në formë të lajmeve bosh, që flasin vetëm për lëvozhgën e përditshmërisë sonë, ka kohë që po e bren qenien vitale të formimit tonë socio-kulturor.
Ditë më parë, Besian Mehmeti, u nderua nga Shoqata e Arkitektëve me Çmimin e Madh Vjetor për Arkitekturë, që i dedikohet kryesisht veprës arkitektonike – shkollës fillore ‘Kiro Gligorov’ në Shkup. Këtë çmim ai e ndan me ekipin e tij të arkitektëve Stefan Atanasoski, Nikola Kungulovski dhe Armend Hebibi.
Gjatë ndarjes së këtij çmimi nga ana e Presidentit Stevo Pendarovski, Besian Mehmeti u cilësua si ‘arkitekti më i mirë për shkollën më të bukur të ndërtuar ndonjëherë në Maqedoni’. Kjo shkollë mjaft atraktive e projektuar nga Mehmeti ka një hapësirë prej 12.100 metra katrorë dhe është një objekt modern me 21 klasa, akustikë perfekte, 7 kabinete të specializuara për lëndë të posaçme, kuzhinë, salla sporti dhe qendër të specializuar për fëmijë me paraliza cerebrale si dhe shumë hapësira të tjera për zhvillim e procesit mësimor në mënyrë të rregullt. Punimet për shkollën ‘Kiro Gligorov’ filluan në vitin 2016 me një buxhet prej 5.5 milionë eurosh.
Byroja projektuese “Besian Mehmeti Arktekts” nga Shkupi shquhet për kreativitet mahnitës në fushën projektimit dhe dizajnimit të objekteve e hapësirave të natyrave të ndryshme. Emri i tij tash më është bërë vulë edhe për disa vepra arkitektonike në vende të ndryshme të botës.
Besian Mehmeti vjen nga një familje intelektuale nga Tetova, dhe paraqitja e tij nëpër konkurse vendore dhe ndërkombëtare është edhe një refleksion magnetik i formimit të tij që nga familja, shkolla dhe mjedisi ku ai vepron. Në rastin e Besianit asgjë nuk është e rastësishme. Madje edhe përkushtimi për të qenë kampion në fushën e arkitekturës, tejkalon inercinë e rastësisë.
Një emër si ky që na nderon me vlera kulmore, pa pasur nevojë që dikush për të të intervenojë që “t’ia përmirësojë suksesin”, flet për domosdoshmërinë e ngritjes së standardeve valorizuese në shoqërinë tonë, ku dija dhe vetëm dija mund të jenë treguesit më real dhe më produktiv të rritjes së kuotave në grafikonin e gjendjes sonë shpirtërore, kulturore e profesionale.
Besian Mehmet është në moshë të re, por ambiciet e tij tejkalojnë mendësinë stereotipe që përparësi u jep vetëm njerëzve me thinja dhe me rrudha. Ai nuk ka nevojë të duket plak për të bindur ndonjë aparatçik partiak se është i zoti në punën e tij, dhe ky është edhe një alarm për gjithë ata vesh të futur në dyllë që mendojnë se shoqëria shqiptare duhet të ketë patjetër ‘biletë’ partiake për t’u futur në sallonin madh të vlerave.
Prandaj lirisht mund të themi se faqja jonë e bardhë quhet Besian Mehmeti. (koha.mk)