Kallëzimi i fundit i VMRO-së opozitare, kinse me sundimin e LSDM-së edhe për vaksinën kundër virusit – duhet të kapen lidhje ose përkundrazi mbetesh pa vaksinë, e shfaq sëmundjen e rëndë të shoqërisë sonë të ryshfetmarrjes me gjithë vrazhdësinë e rrënimit të vlerave, traditave tona bujare dhe fisnike. Mbase për shqiptarët nuk ka fare dallim nëse janë viktima të ryshfetmarrjes gjatë sundimit të njërës apo tjetrës bandë të korruptuar. Korrupsioni nuk ka dallime fetare, partiake, etnike apo racore. Allo, në çdo gjuhë, fe dhe kulturë korrupsioni është HARAM
Nga Shaqir ISLAMI
VMRO-ja në prag të zgjedhjeve lokale, tashmë ka nis një fushatë elektorale turbo-ofensive me kallëzime dhe akuza ndaj partisë në pushtet. Arsenali politik i VMRO-së opozitare është i shumëllojshëm.
Këtë javë, VMRO-ja trumpetoi një slogan domethënës për gjendjen e mendësisë së rrënjosur në vendin tonë “Faqaj vërska, zemi vaksina” – që e përshtatur në shqipe dmth edhe për t’u vaksinuar duhet të gjesh një lidhje. Pra, duhet ryshfet, ose nuk ka vaksinë!
Në këtë vend çdo gjë ka funksionuar dhe funksionon me lidhje. Kush ka lidhje jeton nërehati; e kush nuk ka, vuan dhe jeton me halle e telashe. Por, megjithatë pjesa dërmuese e shqiptarëve e kanë gjetur ilaçin për këtë farë ‘lidhje’ magjike. Lidhja e tyre më e fuqishme për ta hapur çdo derë të kyçur për ta, është Euro-ja. Kallauzi i shqiptarëve për çdo zyrë, qoftë të institucioneve shtetërore, të zyrave të drejtësisë, qoftë të zyrave të spitaleve, qoftë atyre arsimore-edukative, dhe çfarëdo qoftë zyre të kyçur është Euro-ja. Një tufë eurosh ngjyrë jeshile apo pembe është çelësi magjik i shqiptarëve që ua blen dinjitetin, kujdesin dhe trajtimin si qenie humane. Në fakt,shqiptarët e blejnë me euro barazinë si qenie humane në vendin e vet. Kjo dukuri e mjeljes së shqiptarëve funksionon në këtë vend denbabaden!
Saqë është shpikur një narrativ nga ryshfetmarrësit maqedonas se, shqiptarët e kanë të rrënjosur në karakterin e tyre primitiv që doemos të japin ryshfet. Prandaj, ndonëse zyrtarët e ndershëm maqedonas nuk e pranojnë ryshfetin – ata të mjerë janë të detyruar ta pranojnë për shkak se nuk duan t’i hidhërojnë dhe zemërojnë ata dhe të mos e fyejnë traditë ne tyre. Ja se deri në çfarë çmendurie ka shkuar kjo dukuri hajdutërie shtetërore! Ky narrativ pervers tregon se si zullumqarët zyrtarë e arsyetojnë zullumin shtetërorë, duke arsyetuar dhe duke u shfaqur si viktima të shqiptarëve primitivë! Edhe pse na mjelin me ryshfet më shumë se një shekull, sërish fajtorë janë shqiptarët, ndërsa zullumqarët janë të pafajshëm!
Kjo dukuri e blerjes së të drejtës dhe kujdesit e kallëzon dhe i nxjerr të metat dhe shëmtinë e shtetit. Pra, e shfaq këtë si një invalid të rëndë në krahasim me shoqatën e shteteve ku synon të shoqërohet në një të ardhme të largët. Mbase, në BE akti i ryshfetit është haram, në vendin tonë ky zullum është hallall. Shteti ynë, fare se ka gajle për këto cene të turpshme që ia nxinë imazhin karshi dynjasë! Pra, shtetin e kemi sojzës!
Në dallim nga të tjerët që lidhjen e fitojnë me farefisni dhe miqësi për çdo cikërrimë; shqiptarët lidhjen e blejnë me djersë dhe mund! Natyrisht se shqiptarët nuk janë fare të lumtur, me këtë rol të ‘lopës mjelëse’. Edhe ata kishin dashur të kenë një lidhje ‘mufte’! Por, këtë nuk ua lejon ‘industria e ryshfetit’. Kjo industri ka lëshuar aq rrënjë të thella në këtë shoqëri primitive-lypsare, sa që ky zanat i turpshëm lypsar është shndërruar në një kulturë perverse, ku çdo zyrtarë, nëpunës, punëtorë, shërbyes, … kanë krijuar vartësi mendore dhe shpirtërore ndaj ryshfetit! Kjo mendësi e ka degraduar çdo vlerë dhe besim në shoqërinë tonë; dhe ka krijuar një lloj sjellje të çuditshme në marrëdhëniet njerëzore.
Vetëm nëse vëzhgohet një çik më me kujdes marrëdhënia e shtetit me shqiptarët lehtësisht mund të vërehet se askush nuk e shikon shqiptarin në fytyrë, por të gjithë ia shohin xhepat. Si qen rrugaçë të paushqyer dhe të unët ata i ngulin sytë xhepave të shqiptarit me plot kureshtje se çfarë ngjyre do ketë euroja: kafe, jeshil apo pembe! Kjo ashiqare është lypsarllëk! Prandaj, zyrtari dhe zyra e shtetit nuk nderohen fare, dhe nuk kanë autoritetin e duhur në sytë e qytetarëve. Mbase, em lypsarë, em zotëri nuk shkon!
Me gjithë mirëkuptimin ndaj lypsarëve profesionist që e ushtrojnë këtë biznes nga mjerimi, aspak nuk duhet nderuar lypsarët e luksit që ushtrojnë zanatin e lypsarllëkut për të krijuar rehatinë familjare me metodat e haramit.
Kjo industri e haramit ka metastazuar aq thellë në të gjitha organet e shtetit, sa që ia vështiron frymëmarrjen, dhe prandaj kollitet si një kalë plak tek-nefez, të cilin më në fund e blejnë në Pazar kasapët romë.
Kallëzimi i fundit i VMRO-së opozitare, kinse me sundimin e LSDM-së edhe për vaksinën kundër virusit – duhet të kapen lidhje ose përkundrazi mbetesh pa vaksinë, e shfaq sëmundjen e rëndë të shoqërisë sonë të ryshfetmarrjes me gjithë vrazhdësinë e rrënimit të vlerave, traditave tona bujare dhe fisnike. Mbase për shqiptarët nuk ka fare dallim nëse janë viktima të ryshfetmarrjes gjatë sundimit të njërës apo tjetrës bandë të korruptuar. Korrupsioni nuk ka dallime fetare, partiake, etnike apo racore. Allo, në çdo gjuhë, fe dhe kulturë korrupsioni është HARAM.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)