Në Maqedoni, edhe pse janë të rregulluara ligjërisht me disa akte ligjore, familjet dhe raportet mes anëtarëve të tyre, si dhe mbrojtja e familjes, sërish familjet me një prind nuk pranohen si kategori ligjore, që ndikon në statusin social, në integrim dhe mirëqenie
Delvina KËRLUKU
Shkup, 3 tetor – Numri i madh i familjeve me një prind përbën shqetësim, sepse prindërit e vetëm dhe fëmijët e tyre mund të hasen në probleme të shumta, si stresi, problemet ekonomike dhe një gjendje shoqërore e pafavorshme. Qeveria e mëparshme në Maqedoni, siguroi disa ndihma për këto familje, por nuk kanë qenë të mjaftueshme, shkruan gazeta KOHA. Ndërsa, programi i punës së Qeverisë së tanishme ka paralajmëruar se do të përkrah familjet me nga një prind duke mundësuar orar fleksibil të punës për prindin si dhe lirim nga një pjesë e obligimeve publike (taksë, transport publik,kompensim për çerdhe). Por, përqendrimi do të jete te familjet me nga një prind, që kanë pagë më të ulët se paga mesatare.
Po ashtu, do të krijohet Fond shtetëror për pagesën e kujdesit ligjor për fëmijët. Në rast se prindi nuk e paguan kujdesin në kohë, Fondi do të paguaj mjetet të cilat më pas do t’i inkasojë nga mos paguesi. Me këtë, do të garantohet pagesë në kohë e të gjitha kujdeseve ligjore nga ana e prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Në mënyrë shtesë, do të ofrohen shërbime falas për familjet me nga një prind me të hyra nën mesataren, në nivel lokal për përkrahjen gjatë funksionimit të përditshëm të këtyre qytetarëve.
Situata me diskriminimin e familjeve me një prind është shqetësuese, edhe pse këto familje janë gjithmonë në rritje e sipër në nivel lokal dhe ndërkombëtar, thotë Doroti Paçkova nga organizata qytetare për zhvillimin e të drejtave të familjeve me një prind, “One Can” (Një mundet).
Prindi i një fëmije E.S. thotë se deri në moshën 3 vjeçare i është ofruar ndihmë nga shteti, më vonë nuk ka marrë asnjë përkrahje. Ajo, e ka rritur vetë fëmijën, meqë burri i saj ka vuajtur burgun në Maqedoni dhe më vonë jashtë vendi (Itali).
“Që kur lindi djali, deri në moshën 3 vjeçare kam përfituar ndihmë në shumë prej 3000 den. Më vonë familja e burrit ka marrë ndihmë sociale dhe jemi mbajtur me shumën e vogël së asaj ndihme. Kur u larguam nga familja e burrit, nuk kishim asnjë ndihmë. Tani, djali është në moshën 16 vjeçare, nuk ka pasur asnjë përfitim nga shteti, përpos që sivjet qeveria miratoi rregulloren që autobusi, transporti për në shkollë të jetë falas, por kjo u përket të gjithëve, si fëmijës me një prind ashtu edhe fëmijës me dy prind”, thotë nëna E.S, për gazetën KOHA.
Edhe pse është zhvendosur nga vendi i lindjes në Shkup, për të gjetur një punë, që do ti sigurojë të ardhura fëmijës, E.S, shton se nuk mund ti mbulojë shpenzimet e jetës, aq më shumë kur fëmija ka shumë shpenzime në shkollë dhe në jetën e përditshme.
Familjet me një prind nuk kanë lirime as në agjencitë turistike, pasi edhe aty kërkohen dy prindër që të mund fëmija të kalojë falas apo që të paguhet një shumë më të vogël në total edhe për të rriturin. Por, nuk ka lirime në asnjë institucion tjetër shtetëror, si muzetë, teatro, filarmoni, etj.. Disa agjenci në qytetin e Shkupit thonë se sipas rregullave të hotelerive për kapacitetet akomoduese, agjencitë ofrojnë mundësi për akomodim në dhoma të ndryshme, në varësi nga numri i personave.
Ministria për punë dhe politikë sociale thotë se nuk ka kompetenca që t’i detyrojë institucionet shtetërore dhe firmat private t’u bëjnë lirime familjeve me një prind. Që atje shtojnë se familjeve me një prind u janë dhënë më shumë mundësi në pjesën e realizimit të së drejtës së mbrojtjes sociale në përputhje me ligjin për mbrojtje sociale.
“Familjet me një prind kanë të drejtë të përdorimit të ndihmës së vazhdueshme financiare për prind të vetëm dhe fëmijë deri në moshën tre vjeçare në rast se nuk janë të siguruar materialisht. Gjithashtu, ministria e Punës dhe Politikës Sociale në nivel vjetor, në vazhdimësi e implementon projektin për pushime verore dhe dimërore falas për fëmijët e familjeve me rrezik social dhe fëmijëve që janë përdorues të shtesës së veçantë, në të cilën përfshihen edhe familje me një prind që u mundësohet përdorimi i këtij shërbimi falas”, thonë nga Ministria për punë dhe politikë sociale.
Nga komiteti i Helsinkit në Maqedoni thonë se raporti diskriminues ndaj familjeve me një prind, në baza martesore dhe familjare, për fat të keq, është një fenomen i shpeshtë.
“Bëhet fjalë për diskriminim direkt, të shumëfishtë të familjeve me një prind prej një nëne të vetme dhe një fëmije për qasje të shërbimeve publike (qasje në muze), në bazë të statusit martesor dhe familjar, është treguesi më i mirë për mos prezencën e drejtësisë dhe sensibilizimit të institucioneve ndaj familjeve me një prind. Ky rast tregon diskriminim jo vetëm ndaj familjeve me një prind, por edhe ndaj familjeve strehuese dhe atyre që kanë nën kujdestarinë e tyre fëmijë”, thonë nga komiteti i Helsinkit.
Në Maqedoni, edhe pse janë të rregulluara ligjërisht me disa akte ligjore, familjet dhe raportet mes anëtarëve të tyre, si dhe mbrojtja e familjes, sërish familjet me një prind nuk pranohen si kategori ligjore, që ndikon në statusin social, në integrim dhe mirëqenie. (koha.mk)