Familjet e luftëtarëve të bllokuar në “Azovstal” i kërkojnë ndihmë Erdoganit

“Ne kemi nevojë për një hero, një person me autoritet të mjaftueshëm politik për të kryer këtë procedurë. Nga një këndvështrim politik dhe gjeografik, ne mendojmë se Turqia mund të jetë ai vend dhe Erdogan mund të jetë ai person”, tha Evheniy Suharnikov

Familjet e luftëtarëve të strehuar në uzinën Azovstal në Mariupol i bënë thirrje presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, duke i kërkuar atij që “të jetë një hero” dhe të fillojë një procedurë shpëtimi për të gjithë luftëtarët e mbetur në uzinë. Uzina është tashmë e rrethuar prej javësh, ndërsa kohët e fundit janë evakuuar shumë civilë. Në një konferencë shtypi në Kiev, babai i një luftëtari 18-vjeçar i kërkoi udhëheqësit turk të shfrytëzonte “një mundësi historike për të hyrë në histori si një paqebërës, si një hero”. “Si një njeri për njeriun, një baba për një baba, ju lutem që të shpëtoni djalin tim dhe shokët e tij”, tha Evheniy Suharnikov.

Përvoja e Turqisë me operacionet e nxjerrjes ushtarake në Lindjen e Mesme, kanë qenë një ndër me të suksesshmet. “Ne kemi nevojë për një hero, një person me autoritet të mjaftueshëm politik për të kryer këtë procedurë. Nga një këndvështrim politik dhe gjeografik, ne mendojmë se Turqia mund të jetë ai vend dhe Erdogan mund të jetë ai person”, shtoi më tej ai.

Advertisements

CNN raporton se familjet e luftëtarëve kanë mbledhur 1.5 milion nënshkrime në një peticion, që ata filluan për të siguruar një kalim të sigurt nga uzina për luftëtarët e Azov. “OKB-ja dhe Kryqi i Kuq janë të interesuar vetëm për civilët”, tha gruaja e një luftëtari ndërsa qëndronte pranë djalit të saj të vogël. Ukraina ka ofruar lirimin e të burgosurve rusë të luftës në këmbim të evakuimit të ushtarëve ukrainas të plagosur nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal. Mendohet se ka disa qindra ushtarë ende në pjesën e fundit të uzinës, ku Rusia vazhdon bombardimet intensive.