Prishtinë, 29 korrik – Shumë rëndë e ka përjetuar arrestimin e Tomor Morinës, djali i hallës dhe shoku i fëmijërisë, Gurakuq Dobruna.
Dobruna është i befasuar lidhur me arrestimin e tij dhe po pret reagimin e shtetit për lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së.
Ai beson në pafajësinë e tij, por është i zhgënjyer se si 20 vjet pas luftës po trajtohen ashtu siç i quan ai, ushtarët e vërtetë të UÇK-së.
Arrestimin e Morinës e quajnë padrejtësi që është duke ndodhur në vazhdimësi ndaj ushtarëve të UÇK-së, nga organizatat e dala nga lufta në Gjakovë.
Ata shprehen të indinjuar me institucionet e Kosovës që, sipas tyre, po dështojnë t’i mbrojnë të pafajshmit.
Ndërkohë, Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup, ka refuzuar kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin nga paraburgimi të Morinës, i cili u arrestua të mërkurën nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë.
Arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së shkaktoi reagime të shumta në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa kryeministri Zoran Zaev ka thënë se në këtë rast, do të respektohet ligji.