Manastir, 19 mars – Një familje nga Manastiri, e cila më 14 mars ishin kthyer nga Italia mori propozim për urdhër ndëshkues për mosrespektimin e dispozitave shëndetësore gjatë kohës së epidemisë. Sipas PTHP, pesë anëtarët e familjes kanë kryer vepër penale dhe nuk kanë respektuar vendimin për izolim në shtëpi prej 14 ditëve. Ata dje kanë dalë nga shtëpia e tyre dhe kanë sulmuar fqinjët e tyre fizikisht.
“Të akuzuarve u është caktuar masë për izolim të domosdoshëm në shtëpi në kohëzgjatje prej 14 ditëve pas arritjes së tyre nga Republika e Italisë. Ata ishin të obliguar që në pajtim me vendimet e dhëna nga organet kompetente që në periudhë prej 14 mars deri më 27 mars të këtij viti të jenë në izolim shtëpiak dhe të mos dalin nga vendbanimi i tyre në Manastir. Më 18 mars të këtij viti, rreth orës 12, ata kanë dalë në rrugë para shtëpisë së tyre, janë fjalosur me fqinjët e tyre, pas çka dy të akuzuarit fizikisht kanë sulmuar fqinjët, ku ju kanë shkaktuar lëndime trupore. Me këto veprime të gjithë të akuzuarit nuk kanë vepruar sipas rregullave të miratuara gjatë pandemisë – epidemisë me përmasa globale me çka përcaktohen masa për mënjanimin ose parandalimin e epidemisë së sëmundjes ngjitëse të shkaktuar nga koronavirusi – COVID 19”, thuhet në kumtesë.
Prokurori publik pranë Prokurorisë themelore publike të Manastirit ka parashtruar propozim për dhënie të urdhrit ndëshkues, me të cilin Gjykatës themelore Manastir i ka propozuar që të akuzuarve tu shqiptojë gjobë 100 ditore, ku vlera e një gjobe ditore është caktuar në shumë prej 20 eurove në kundërvlerë të denarit. (koha.mk)