Familja mbretërore u kanë thënë medieve sociale që të tregojnë “mirësjellje, mirësi dhe respekt” kur bashkëveprojnë me postimet në internet, pas përsëritjes së abuzimeve online që janë bërë për dukeshën Meghan Markle dhe Kate Middleton.
Familja ka lëshuar të hënën një sërë udhëzimesh për “çdokënd që merret me mediet apo kanalet e medieve sociale”, duke ndaluar çdo postim “të pahijshëm, ofendues, kërcënues dhe abuzues”.
Markle, Dukesha e Sussexit dhe Middleton, dukesha e Kembrixhit, shpesh janë subjekt i komenteve abuzive në mediet sociale – gjë që e shtyu Pallatin Kensington që në janar të pyeste kompanitë e medieve sociale për ndihmë në trajtimin e çështjes, shkruan CNN, transmeton Koha.net.
Pjesa më e madhe e abuzimit ishte seksiste, ndërsa komentet raciste u bënë edhe kundër dukeshës Markle, e cila u bë pjesë e familjes mbretërore kur u martua me princin Harry vitin e kaluar.
Familja mbretërore tha se rezervon të drejtën për të fshirë komentet, për të bllokuar përdoruesit dhe për të raportuar në polici nëse shkrimet e tyre nuk i përmbushin udhëzimet e tyre, gjë që gjithashtu thekson se komentet “nuk duhet të jenë jashtë temës, të parëndësishme ose të pakuptueshme”.
“Këto udhëzime janë për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi të sigurt” në kanalet e tyre të medieve sociale”, thuhet në deklaratë.
Familja dhe Pallati Kensington, janë përgjegjës për dukeshat dhe burrat e tyre, Harry dhe William, të cilët kanë miliona ndjekës në Facebook, Instagram dhe Twitter.
Në janar, revista e famshme “Hello” nisi një fushatë që bën thirrje për njerëzit që të ndryshojnë mënyrën se si familja mbretërore publikohet në internet, në përgjigje të një abuzimi në internet drejtuar dukeshës.