Një skiator francez i cili u zhduk në Itali më shumë se 60 vjet më parë, është identifikuar pasi historia e tij u shpërnda në rrjetet sociale, tha policia italiane. Eshtrat e burrit, pajisjet e skive dhe syzet u gjetën në vitin 2005, në një luginë të madhe në rajonin Aosta të Italisë.
Por hetuesit nuk ishin në gjendje të identifikonin viktimën dhe muajin e kaluar shpërndanë gjetjet e tyre në Facebook. Një familje franceze më pas dalloi syzet e të afërmit të tyre, Henri Le Masne, gjë që nisi një hetim mjeko-ligjor. Sendet u zbuluan 3,000 metra lart në Alpet, pranë kufirit zviceran.
Kishte disa të dhëna për identitetin e personit, të tilla si veshjet e qëndisura me inicialet dhe pajisjet prej druri, të cilat në kohën e përdorimit do të ishin të shtrenjta. Ata pohuan se eshtrat i përkisnin një burri, i cili do të kishte qenë rreth 1.75 metra i gjatë dhe i moshës 30 vjeç, tha Marinella Laporta një hetuese nga Torino.
Historia u pasua nga mediat franceze. Emma Nassem dëgjoi raportin që transmetohej në stacionin e radios lokale dhe po mendonte nëse personi i zhdukur mund të ishte daja i saj, Le Masne, i cili u zhduk ndërsa bënte ski pranë kufirit zviceran në 1954. Policia tha se një fotografi e ofruar nga familja tregoi syzet që përputhen me ato që gjetën hetuesit. Një test i ADN-je më vonë konfirmoi identitetin, thanë ata.