Familja e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili kishte ndërruar jetë në burgun e Prizrenit, do të lejojë edhe zhvarrosjen e trupit të tij.
Ekspertiza për rastin e Deharit do të mbahet në Zvicër, e për të Qeveria i ka ndarë 50 mijë euro.
15 muaj pasi që është bërë kërkesa për këtë hetim, Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar qendrën, shkruan Gazeta Express
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi tha për Gazetën Express se me qëllim të gjetjes së të vërtetës do të lejohet çfarëdo lloj ekspertize që kjo qendër konsiderohen se është e nevojshme.
“Prindërit e Astrit Deharit kanë njoftuar se nëse Instituti i Mjekësisë Ligjore kërkon eventualisht zhvarrosjen e trupit të pajetë të Deharit, këta në interes të drejtësisë do ta pranojnë edhe këtë, pa marrë parasysh së është e rëndë për familjen”, deklaron ai.
Fillimisht, rasti do të shkojë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Zvicër, të cilën e ka zgjedhur familja e të ndjerit e pastaj për llojin e hetimeve do të njoftohet prokurori i rastit, Ministria e Drejtësisë, si dhe familja.
Gashi ka deklaruar se Prokuroria Themelore në Prizren ka nxjerrë tashmë vendimin me të cilin autorizohet kjo qendër për hetime të pavarura.
“Më në fund pas 15 muajsh nga kërkesa e familjes Dehari, Prokuroria Themelore në Prizren ka nxjerrë vendim me të cilin ka autorizuar Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, që të ndërmarrë veprime të pavarura hetimore në rastin e Astrit Deharit”, tha ai.
Në seancën e djeshme të Kuvendit nga deputetët e Vetëvendosjes u debatua për këtë rast me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Tahiri deklaroi se pas zotimit të kryeministrit Haradinaj për hetim ndërkombëtar të këtij rasti, ai u ka kërkuar organeve përgjegjëse që të nisin punën.
Ndarja e shumës prej 50 mijë eurosh për ekspertizën ndërkombëtare për rastin “Dehari”, ishte njëri nga vendimet e para të Qeverisë “Haradinaj”, por tash e 5 muaj kur këto mjete u ndanë, hetimet nuk kanë filluar ende.
Express kishte siguruar edhe dy kërkesat që avokati Gashi i kishte dërguar, njërën në Ministrinë e Drejtësisë, e tjetrën në Prokurorinë Themelorë në Prizren.