Do të mbetemi keq pa lajmet që na kishin mësuar të befasohemi se pas cilës kaçubë do të del i shumëkërkuari kandidat për birucën e Shutkës. Paskemi harruar se diku në Europë, qenka edhe një kaçubë më e madhe që po u bëka strehë të ikurve nga aktakuzat penale, që rastësisht mund të kenë qenë në të kaluarën edhe politikan të rëndësishëm
Nga Emin AZEMI
“Heroi” Gruevski, përfundoi papritmas në një azilkërkues të zakonshëm. Fama e politikanit që kufizohej me madhështinë e njeriut që vendoste për fatet e të tjerëve, sot është shndërruar në vogëlsi, me të cilin duhet të merren zyrat për emigracion në Hungari. Ai e lartësoi kurbën e karrierës së tij deri në pikën ku përfundon krenaria false e një politikani që kërkonte me ngulm ta burgosnin, nëse është nevoja, vetëm Maqedonia të shpëtojë nga “planet ogurzeza të Zaevit”.
Tani ai në vend të burgut, po kërkon liri të kontrabanduar, kufijve të pakontrolluar të vendit të tij. Kërkimi pas tij, shoqëruar edhe me pompë mediatike, si duket paska qenë një teatër, ku aktori që duhet të luaj rolin e ikësit, për një moment paraqitet në Facebook dhe na e shuan kureshtjen publike. Ikësi kalon kufij e kontrolle doganore, kurse shteti bëhet sikur “tash po e merr vesh”. Ose, ka të ngjarë që shteti në atë moment ka qenë i kyçur në Facebook dhe saora lirohet nga barra e të qenit vigjilent. Bile disa u gëzuan që ikësi qenka shëndosh e mirë.
Gruevski shkoi të kërkoj strehim në një shtet, anëtar i BE-së. Zëdhënësja Kocijançiq, si zakonisht, ende nuk është informuar në vijë zyrtare nga autoritet hungareze, (të paktën deri sa po shkruhet ky editorial) prandaj edhe nuk e ka thënë qëndrimin zyrtar të Brukselit, në rast se një i akuzuar për vepër penale ikë nga vend i tij dhe strehohet në një shtet të BE-së. Cili është detyrimi i këtij shteti në situata të këtilla dhe a mundet Bashkimi Europian, përmes ndonjë vendi-anëtar, të bëhet strehë e të kërkuarve për vepra kriminale.
Shteti, copa-copa, që la pas, nuk arriti të mbledhë forcë për ta futur prapa grilave. Teksa urdhri për arrest po shëtiste nga njëri korrier tek tjetri, ai po i sistemonte gjërat e fundit në një valixhe të vogël për një udhëtim të gjatë. Do t’i kenë mjaftuar ato “pak” kartela bankare dhe ndonjë veshje sportive për të përballuar më lehtë ditët e azilit në dhe të huaj. Kështu e kanë politikanët e Ballkanit, të cilët shesin patriotizëm sa për të kamufluar idenë e ikjes, herët a vonë. Kjo është fama e politikanëve që shkëlqimin e tyre e masin me mjerimin e institucioneve që ata vetë i ngritën për të mbikëqyrur marshutën e ikjes deri në gurin e fundit të kufirit.
Fundja, sot nuk është ndonjë problem i madh të kalosh kufirin edhe pa u vërejtur. Problem më i madh për një politikë është kur ajo i kalon kufijtë e mosrezistencës ndaj së keqes. Partia që deri dje e mbante për lider, sot mund të thurë lloj-lloj teorish konspirative për “jetën në rrezik” të ish-liderit të saj, por ajo nuk do të mund të përgjigjet në një pyetje fundamentale: Çka do të ndodhë me trashëgiminë politike të kësaj partie, e cila është e detyruar të paguaj koston e ikjes të një lideri azilant. Kjo trashëgimi, sipas të gjitha gjasave, do të reduktohet në masën e një njeriu që tash e tutje duhet të veshë pizhamet e azilantit. Do të ketë edhe ndonjë që do të mundohet ta paraqesë këtë udhëtim si sfilatë mode, kurse pizhamet si linjë e stilit të fundit vjeshtë-dimër.
Do të mbetemi keq pa lajmet që na kishin mësuar të befasohemi se pas cilës kaçubë do të del i shumëkërkuari kandidat për birucën e Shutkës. Paskemi harruar se diku në Europë, qenka edhe një kaçubë më e madhe që po u bëka strehë të ikurve nga aktakuzat penale, që rastësisht mund të kenë qenë në të kaluarën edhe politikan të rëndësishëm. (koha.mk)