Deri vetëm para pak vitesh këtu kishte njerëz që besonin se maqedonasit janë antik. Ec e hiqe bindjen tani se figura historike bullgare janë prezantuar me të pavërteta këtej. Ju kujtohej para disa vitesh thuhej se Nënë Tereza është vllehe, maqedonase, por jo shqiptare. Sa pak njerëz me dijeni ka dhe sa të vështirë e kanë ata të dalin në sipërfaqe sepse kakofonia e falsitetit na mbyt të gjithëve, a? Më falni po kjo vorbull e padijes dhe e një realiteti të rremë do na bjerë keq kokës, për gjithçka, sepse mos shërimi i kësaj lije injorance do na marrë kokën
Nga Nazim RASHIDI
Bullgaria, BE, veto, Ballkani, integrimet… janë këto fjalë që dominojnë hapësirën publike. Por problemi i shoqërisë tonë që lidhet edhe me gjithë ato fjalë më lartë është diku tjetër. Për mua te mashtrimi dhe realiteti fals që ia krijojmë vetes. Gjithmonë e kam pasur shqetësim dhe ende e kam, se çfarë niveli arsimor do të marrin fëmijët tanë, e sidomos kur do përballen me botën, ku do jenë, sa të arrirë do jenë? E kam pasur këtë shqetësim edhe në raport me nivelin arsimor brenda vendit. A marrin të njëjtën dije nxënësit shqiptarë dhe ata maqedonas, apo dhe të tjerët?
A i kanë kushtet e njëjta në shkolla? Unë jam i mendimit dhe i qëndroj fort idesë se arsimi duhet të përforcohet shumë, nëse duam që ta arrimë atë zhvillimin e munguar dhe ky arsim me kushte të njëjta në shkollat publike duhet të garantohet njëlloj si për ata që janë në një fshat edhe ata që janë në qendër të Shkupit.
Por sigurisht kjo nuk është ashtu. Dhe mu në qendër të Shkupit ndodhi hataja. E kam marrë edhe vetë si shembull në shumë debate, e thonë edhe shumë të tjerë, se gjimnazi “Orce Nikollov” nga gjimnazet publike është më i miri në Shkup e në vend. Si rrjedhojë, pak ditë më parë, për shkak të interesit të madh dhe famës që ka gjimnazi, kishin konkurruar që të jenë gjimnazistë aty më shumë se sa ka kapacitete shkolla. Për këtë arsye u organizua konkurs pranimi.
Vini re tani: Në konkursin e pranimit për rreth 250 vende kishin konkurruar rreth 300 nxënës të gjithë me mesatare 5.00. Pas testimit vetëm 11 nxënës, pra vetëm 11 nxënës kanë pasur dijet njëjta në raport me notat, ose vetëm 3.76 e atyre që u testuan e kishin realisht notën 5.00. Me notën 4 pas testimit ishin vlerësuar 39 nxënës, ose 13.56 për qind. Me 3, 133 ose 45.55 për qind, me 270 nxënës ose 13.36 për qind. Dhe më e tmerrshmja, 39 nxënës që në dëftesat e shkollës fillore kanë qenë me 5.00, pra maksimumin e notave, në testim kanë marrë 1. Notë jo kaluese.
Imagjinoni, në gjimnazin më elitist publik të vendit, ku të gjithë kanë qenë me 5.00 sipas dëftesave të shkollës fillore, ka nga ata që nuk dinë asgjë fare. Dhe shumica janë mediokër.
Eh, të dashurit e mi, këto jemi ne.
Fals. Falsitet total, që nga prindërit e deri tek shkolla, ku mësojmë ata që s’dinë se si të rrejnë. E mësojnë ata që dinë se si të rrejnë. Dhe i gjithë ky realitet na përplaset pas koke pastaj. Tragjikja për mua është se kjo situatë e kulturë përhapet kudo. Një nga mësuesit e shquar Satki Ismaili në program televiziv tha hapur se në vend mbi 55 për qind e nxënësve janë të shkëlqyeshëm dhe ky sipas tij është një vlerësim joreal. Por edhe unë personalisht di raste që kam dëgjuar ditët e fundit, se si nxënës që s’kanë shkuar fare në shkolla kanë kaluar klasën, se si të tjerë që s’kanë mësuar kanë kaluar klasën, se si prindërit kanë nxituar të përmirësojnë notat e fëmijëve, se si madje ka pasur edhe nga ata që janë kërcënuar nëse nuk përmirësohen notat. Por më falni, kjo shkon në thelbin e problemit të kohës tonë. Një falsitet për realitetet.
E si duam pastaj të tjerët të na shohin me seriozitet. Se që ne se shohim dhe e gënjejmë veten s’ka asnjë dilemë.
Për shkak të tolerancës të këtij realiteti ne kemi debate false, shoqëri false, me lehtësi krijojmë histori false. I besojmë gënjeshtrës, vritemi për të. Ne i besojmë falsitetit, prindërit besojnë se fëmijët janë të shkëlqyer ndërkohë ata s’dinë asgjë. Mësuesit japin nota fals, nxënësit s’dinë asgjë. Shoqëria mendon se të diplomuarit janë profesionistë, ata s’dinë asgjë… e kështu me radhë duke arritur tek politika, që në fund do dalë se edhe ata s’marrin vesh fare nga asgjë, por flasin me fjalë të mëdha për integrimet, BE etj. si këto. Dhe shikoni çfarë ka shkaktuar kjo logjikë falsiteti. Deri vetëm para pak vitesh këtu kishte njerëz që besonin se maqedonasit janë antik. Ec e hiqe bindjen tani se figura historike bullgare janë prezantuar me të pavërteta këtej. Ju kujtohej para disa vitesh thuhej se Nënë Tereza është vllehe, maqedonase, por jo shqiptare. Sa pak njerëz me dijeni ka dhe sa të vështirë e kanë ata të dalin në sipërfaqe sepse kakofonia e falsitetit na mbyt të gjithëve, a?
Më falni po kjo vorbull e padijes dhe e një realiteti të rremë do na bjerë keq kokës, për gjithçka, sepse mos shërimi i kësaj lije injorance do na marrë kokën. Nuk është fare naive që nxënësit më të mirë të një vendi mezi të kenë dalë mesatarë. Ata janë ata që vinë e që duhet të thyejnë barrierat e falsiteti të ushqyer prej vitesh.
Alarmi do të duhej të kishte rënë prej kohësh. Por, as ka rënë dhe as se dëgjon njeri. Për momentin do vazhdojë të dominojë retorika Bullgaria, BE, veto, Ballkani, integrimet… kurse esenca do mbesë fals.
Ata që vlejnë do ikin, e të tjerët do mbyten në betejat e realitetit të rremë, të krijuar që nga prindërit e deri tek politika. Ne s’jemi as për 1 e krekosemi se shkëlqejmë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)