Radamel Falkao ditën e djeshme është parë në mënyrë surprizë teksa ka zbarkuar në Itali, saktësisht në Romë. Kaq ka mjaftuar dhe në mediat përtej Adriatikut janë ndezur zërat se sulmuesi është duke negociuar kalimin e tij në kampionatin italian.
Në fakt kolumbiani me shumë mundësi pas përfundimit të këtij sezoni zhgënjyes me skuadrën e Monakos do të largohet në kërkim të një tjetër aventure. Mirëpo, ideja që qarkullon është se prapa kësaj vizite surprizë në Itali qëndron skuadra e Lacios me në krye drejtorin sportiv, Igli Tare. Shqiptari duket se ka menduar të befasojë, ndërsa po mendon të përforcojë kryeqytetasit me një futbollist të kalibrit botëror.
Nëse në pamje të parë duket si një operacion i pamundur, kjo edhe për shkak të pagës së Falkaos, por edhe për faktin se për sulmuesin do të ketë shumë konkurrencë mes klubeve, mjafton të kujtojmë gjenialitetin e Tares për të firmosur një emër me shumë “peshë” si Miroslav Klose. Në këtë mënyrë konkurrenca duket se nuk e impresionon Taren që në sezonin e ardhshëm të transferojë Falkaon duke konfirmuar gjithnjë e më shumë reputacionin e tij.