Një ngjarje e çuditshme është filmuar gjatë ndeshjes së fundjavës mes PSG dhe Monakos në kampionatin francez. Parisienët fituan 3-1 përballë skuadrës së Principatës por vëmendjen e të gjithëve e ka marrë momenti kur Radamel Falkao është zëvendësuar dhe është ulur në pankinë.
Sulmuesi kolumbian u pa me celular në dorë në pankinë, duke parë ekranin në vend që të ndiqte ndeshjen, një pamje e cila bëri që të lindin polemika për përkushtimin e futbollistit ndaj ekipit. Megjithatë, klubi ka nxituar shumë shpejt të sqarojë që gjithçka kishte qenë shumë normale pasi lojtari po përdorte celularin për t’u riaftësuar.
Në fakt, celulari përdorej për të kontrolluar një pajisje për simulimin e muskujve, që përdorej për trajtimin dëmtimeve si ai që pësoi lojtari gjatë ndeshjes në fjalë. Ndaj në ato momente ai po merrej thjesht me riaftësimin e tij dhe nuk po bënte asgjë të parregullt apo nuk po tregonte mungesë respekti ndaj shokëve të skuadrës duke i injoruar, siç u aludua fillimisht.