Ekonomistët thonë se nevojitet të gjendet një balans midis ndihmës për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë borxhet dhe keqpërdorimeve për pika politike të një mase të tillë, kaq të nevojshme për një pjesë të popullatës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 shkurt – Pesë vite pas faljes së borxheve të energjisë elektrike për mijëra pranues të ndihmës sociale, ato për ngrohje, kartela kreditore, kredi konsumatore dhe borxheve për taksën radidodifuzive, sërish aktualizohet një masë e ngjashme. Shfrytëzues të kësaj mase ishin personat e papunë që më gjatë se 12 muaj ishin të regjistruar në Entin për punësim, me kusht që të mos kenë realizuar të ardhura tjera më të larta se 1700 euro përgjatë vitit paraprak. Me këtë masë, mbi 13 mijë qytetarëve ju falën mbi 25 milionë euro borxhe të ndryshme, që i kishin bërë deri më 31 dhjetor të vitit 2013, shkruan gazeta KOHA.
Tani, Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar se në bashkëpunim me EVN-në dhe Elektranat e Maqedonisë, do të shqyrtojë faljen e borxhit të rrymës në vlerë prej 110 milionë euro për 220 mijë familje që nuk kanë paguar deri në vitin 2006.
“E shqyrtuam situatën me borxhet e vjetra të rrymës deri në vitin 2006 për 200 mijë familje dhe qytetarë që janë të zhytur në na labirintet e përmbaruesve dhe llogaritë e bllokuara. Këto ditë jemi në bisedime dhe mundem lirisht të them se kur edhe formalisht do të nënshkruajmë këtë në aspektin juridik, të njëjtën do të shpallim edhe publikisht. Megjithatë, vullneti i Qeverisë si nga ELEM-i ashtu edhe nga EVN-ja si kompani private, është konfirmuar”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në fund të javës së kaluar në Ohër.
Sipas tij, kjo është një shumë e madhe e parave, që nënkupton edhe lehtësim për qytetarët. Të gjitha masat që i ndërmarrim janë në drejtim të injektojmë para tek qytetarët shtoi ai. Megjithatë, ekonomistët thonë se nevojitet të gjendet një balans midis ndihmës për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë borxhet, dhe keqpërdorimeve për poenë politike të një mase të tillë, kaq të nevojshme për një pjesë të popullatës. Nevojitet edhe rritje e fuqisë së tyre financiare, me çka do të mundësohet që të gjithë të paguajnë rregullisht të paguhen borxhet e ndryshme. Një pjesë e ekonomistëve thonë se masat e tilla për shlyerjen e borxheve në të kaluarën, por edhe tani për kategoritë e prekshme sociale, shpesh janë joekonomike, por masa politike dhe afatshkurtra.
“Shtrohet pyetja se çka do të ndodhë në të ardhmen me qytetarët që në vazhdimësi kanë probleme me pagesën e borxheve, pasi një pjesë e madhe e tyre punojnë për paga prej 250 euro apo pranojnë pensione deri 150 euro. Pra, nevojitet që ky problem të zgjidhet në mënyrë afatgjate, të punohet më shumë duke hapur vende të reja të punës, të rriten pagat minimale dhe mesatare, si dhe ndihmat sociale, që të mos vijmë sërish në situatë që për ndonjë vit, për shkaqe qoftë populiste apo edhe të aspektit social-ekonomik, të na përsëritet një masë e tillë në të ardhmen”, vlerësojnë ekonomistët.
Sipas tyre, nevojitet edhe një qartësim më i madh dhe llogaridhënie më e madhe se cilat kategori të qytetarëve do të ndihmohen me këtë masë, me qëllim që të mos ketë reagime të kundërta në opinion nga qytetarët që paguajnë rregullisht llogaritë e tyre.
Nga ana tjetër, vlerësohet se një masë e tillë është e diskutabile në aspektin populist për të joshur votuesit në zgjedhjet e ardhshme nga njëra anë, dhe nga ana tjetër – për të ndihmuar një pjesë të madhe të popullatës që me të vërtetë ka nevojë për një mbështetje më të madhe financiare.
“Kjo paraqet një masë sociale dhe është edhe një dëshmi se na nevojiten masa të më mëdha për eliminimin e varfërisë. Në këtë drejtim udhëzon se jo vetëm varfëria, por edhe varfërimi është një dukuri në rritje që përfshin në Maqedoni edhe njerëzit që kanë pasur në të kaluarën një jetesë relativisht të mirë, ndërsa me kalimin kohës – u është përkeqësuar mirëqenie jetësore si rrjedhojë e problemeve të ndryshme”, thotë anëtari i Lëvizjes “Solidariteti”, Zdravko Savevski. Ai dyshon në kohën që paralajmërohet kjo masë, para zgjedhjeve presidenciale dhe eventualisht edhe atyre parlamentare, ku më shumë luhet në kartën e tërheqjes së votuesve në vend të zgjidhjes reale të problemeve.
“Edhe Qeveria paraprake kishte një fushatë të tillë për faljen e borxheve, mirëpo e njëjta kishte mjaft kufizime dhe pak njerëz e shfrytëzuan atë. Nuk duhet të vendosen kritere të përkufizohet e drejta e qytetarëve që të shfrytëzojnë faljen e borxheve, ndërkohë që një veprim i tillë duhet të anulohet pas zgjedhjeve dhe jo të keqpërdoret për qëllime politike”, thekson Savevski.
Ndryshe, para Vitit të Ri, ekzekutivi me intervenim ligjor ka shlyer kamatat ndëshkuese për borxhet e vjetra për harxhimet themelore të borxheve më të vjetra nga 2011-ta. Kjo ju mundëson ndërmarrjeve shtetërore dhe komunale të anulojnë kamatat. Nga ana tjetër, kompanitë private kanë mundësi që sipas dëshirës të vendosin se si do të veprojnë me këto kamata. Njëherazi, janë zvogëluar edhe harxhimet që noterët dhe përmbaruesit ju llogarisin qytetarëve. (koha.mk)