Riyad Mahrez ka falenderuar në mesazhin e tij të lamtumirës në Twitter tashmë ish-trajnerin e Leicester City-t Claudio Ranieri-n, por komenti i tij është pritur shumë keq nga fansat të cilët e kanë etiketuar lojtarin me shenjën e gjarprit. Mahrez u zgjodh “Lojtari më i mirë i vitit” sezonin e kalur pasi ndihmoi “Dhelprat” në arritjen e jashtëzakonshme, titullit të parë të Premier League-s në historinë e tyre. Por këtë sezon ai nuk ka përsëritur veteveten duke kontribuar në rënien në klasifikim të kampionit të Anglisë që pozicionohet në vendin e 18 të renditjes dhe rrezikon seriozisht mbijetesën. Këtë situatë e pagoi trajneri Ranieri, të cilit iu komunikua shkarkimi nga detyra pas humbjes 2-1 në fushën e Sevilla-s në Ligën e Kampioneve edhe pse një rezultat që i mban ende në lojë.
Mahrez e ka cilësuar italianin “njeri të madh” dhe e ka falenderuar për besimin që ka treguar ndaj tij në 18 muaj bashkëpunim, por mesazhi prekës i anësorit nuk është pritur ashtu si ai shpresonte. Një raportim në “Sun” ka sygjeruar se katër lojtarë të “Dhelprave” janë takuar me drejtuesit e klubit për të folur mbi të ardhmen e Ranieri-t, por pavarësisht se nuk ka asnjë të dhënë për përfshirjen e Mahrez, ky i fundit akuzohet se nuk e ndihmoi trajnerin kur ai kishte më shumë nevojë për të. Ndërkohë Leicester do të përballet mbrëmjen e së hënës me Liverpool-in në kuadër të javës së 26-të të Premier League-s dhe menaxheri i përkohshëm Craig Shakespeare, shpreson të bëjë kthesën ndaj të Kuqve. Për sa i takon njeriut që do të marrë postin e lënë tashmë nga Ranieri janë disa emrat e lakuar si Alan Pardew, Gary Rouet, por nuk përjashtohet as një rikthim i Nigel Pearson.