Sot, 20 vite pas, Kosova është Shtet i Pavarur që falë shumë sakrificave të gjeneratave të ndryshme po ecë në përmbylljen e ëndrrës finale kuq e zi. Familjes Aziri, Lagjes Çerkez, dhe gjithë kumanovarëve publikisht ju shprehi një falënderim nga zemra për konakun, bukën, krypën dhe zemrën që ndanë me neve në kohërat e vështira për ne
Nga Gazmend BADIVUKU
Periferia e qytetit të Kumanovës ndahej me hekurudhën që ishte një lloj e mexhës me fshatin e vogël Çerkez e banuar me familjarë me tipare modeste dhe shumë bujar. Burria e trenit që kalonte çdo ditë andejpari ishte sinjal për kujdes të shtuar këmbësorve që k’putin rrugën andej e këndej qytetit. Burria për qytetarët nga viset e ndryshme të Kosovës ishte rikujtim i dhunës dhe tmerrit të përjetuar. Banorët e Qerkezit të Kumanovës ndonëse në kushte modeste asokohe kishin hapur zemrat dhe dyert për vllaznitë dhe motrat e rrezikuar nga Kosova.
Unë vet i katërti i larguar nga dhuna sistematike e forcave serbe aty në fshatin Çerkez gjeta familjen që na dha konakun me gjithë zemër. Kryefamiljari i konakut Aga Musë ishte një njeri që trashëguar nga familja edukatën themelore shqiptare. Takimi i parë dhe i fundit me të i vitit 1999 ishte nën shikimin e syve të tij të mjegulluar nga lotët e dhembjes për popullin e shumëvuajtur shqiptarë të Kosovës. Aga Musë jetonte me shoqen, Nena, siç e quanin familja e ngushtë dhe tre djemtë me familje në një oborr. Djali i madh Aziri, Ridvani dhe Qenani ishin shtyllat e shtëpisë dhe vatrës së agës Musë. Më e mira e familjes ishte lidhja dhe harmonia e tyre në mes veti. Na ju bashkëngjitëm dhe ndamë dhimbjen dhe ëndrrat me familjen Aziri nga Çerkezi i Kumanovës.
Të gjendur në një vend dhe familje deri atëherë të panjohur nuk ishte e lehtë për ne. Familja jonë ishte e ndarë në qytete të ndryshme natyrisht dhe brengat ishin serioze për ne. Aga Musë i mbështetur në fisniken e shtëpisë Nenën, djemtë dhe kushërinjtë që i kishin n’mexhë, e deri te gëzimi më i ri, Agoni djali i vetëm pas tre motrave Albulenës, Flakës dhe Fjollës.
Ishte koha kur çdo ditë ishte një shpresë shtesë për ne që gjetëm strehim të përkohshëm dhe ata që ishin në fushëbetejë. Lajmet transmetonin gjendjen kurse numrat e viktimave të okupatorit shpesh na shtonin shpresën e fitores. Çdo ditë e nat’ vinin lajme të ndryshme që na ngrohnin ose brengosnin për fatin e popullatës tonë që ishin gjithnjë në lëvizje nga terrori pushtuesve serb.
Treni që kalonte nën Çerkez me fishkëllimën e fortë veç shtonte frikën në mendjen e dy fëmijëve të mi të ndrojtur, djalin Valonin 11 vjeç dhe Vlonën vajzën asokohe 9 vjeçe. TV dhe radiot lajmëronin për situatën dhe të rejat nga fronti dhe forcën nga qielli. Zhurma e avionëve të aleancës NATO çdo natë për ne ishte shpresa shtesë se po i vie fundi uniformës serbe në Kosovë. Aga Musë nga fisnikria dhe mendja gjithnjë optimist ishte ideatori dhe fjala pozitive për gjendjen që po merrnin kahjen e duhur. Aty, në vatrën e familjes Aziri kur nuk u kursye, aty prioriteti në konak ishim ne.
Mëngjesi i bukur dhe me diell i dt. 12.06.1999 jepte shijen magjike në oborrin e Agës Musë siç njihej i urti i familjes dhe lagjes Çerkez. I përlotur ishte nga gëzimi dhe afërsia që krijuam, Aga Musë dhe Nena bashkë me djemtë, nuset dhe kalamajtë e shtëpisë sot e 20 vjet më parë na shtruan drekën solemne të fitores. Festa shtohej me ardhjen e kushërinjve në gostitjen e përbashkët të ngadhënjimit. Sa herë viteve në vazhdim vizitoja familjen
Aziri kisha arsye gëzimi, sepse fëmijët dhe familja shquheshin me suksese si në shkollë ashtu dhe në punë. Kaluan 20 vite nga atëherë, nga ndarja solemne, tash ndjehet mungesa e Agës Musë dhe Nenës por reflektohet virtyti i bujarisë që kjo familje trashëgoi nga kryefamiljari i shkëlqyer.
Sot, 20 vite pas, Kosova është Shtet i Pavarur që falë shumë sakrificave të gjeneratave të ndryshme po ecë në përmbylljen e ëndrrës finale kuq e zi. Familjes Aziri, Lagjes Çerkez, dhe gjithë kumanovarëve publikisht ju shprehi një falënderim nga zemra për konakun, bukën, krypën dhe zemrën që ndanë me neve në kohërat e vështira për ne.