Krerët zyrtarë të Beogradit me veshë janë nga Brukseli e Washingtoni, kurse me sy e zemër nga Moska. Tani edhe në kushtet e kësaj pandemie globale po luhet sërish kjo lojë, duke nxjerrë përfitime maksimale nga kriza shëndetësore, në njërën anën, dhe duke vënë në dyshim të drejtpërdrejt besueshmërinë dhe efikasitetin BE-së dhe partnerëve të tjerë, në anën tjetër
Nga Emin AZEMI
Ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq drejtoi akuza të ashpra ndaj BE-së për sjelljen neglizhuese, sipas tij, ndaj situatës së pandemisë në Serbi, e cila ka mbet pa ndihmën e nevojshme nga shtetet evropiane.
Për të kompensuar këtë solidaritet të munguar evropian, sipas Beogradit zyrtar, Vuçiqi iu drejtua Kinës, duke kërkuar nga presidenti i saj Xi Jingping që të dërgojë në Serbi ndihma të domosdoshme sanitare për tu ballafaquar me virusin Covid-19.
Fill pas këtij apeli, në aeroportin e Beogradit ateruan disa aeroplanë me pajisje dhe medikamente nga Kina dhe kjo ka mjaftuar që kryeqyteti serb të mbushet me mirënjohje publike drejtuar Kinës. Në rrugët kryesore të Beogradit në vende tepër të dukshme mund të vërehen disa bilborde me sloganin “Faleminderit, vëlla Xi!”, si shenjë mirënjohjeje ndaj Kinës dhe presidenti të saj, Si Jinping.
Në Bruksel nuk është pritur mirë kjo qasje e njëanshme e Serbisë. Shërbimi i Punëve të Jashtme Evropiane (EEAS) ka dalur me një raport me të cilin analizon situatën e krijuar në Ballkanin Perëndimor, pas kritikave që erdhën nga presidenti serb Vuçiq. Në këtë raport konstatohet se kriza e pandemisë së virusit korona në Ballkanin Perëndimor është duke u përdorur për ta paraqitur Bashkimin Evropian se gjoja “po i kthen shpinën” rajonit, ndërkohë që po shpërndahen teori të ndryshme të konspiracionit se gjoja “virusi korona është një armë biologjike e Shteteve të Bashkuara”.
Duke marrë si shkas pandeminë, ky raport bën fjalë edhe për propagandën e motivuar dhe e financuar nga Kremlini dhe satelitët e tij, të cilët me të madhe po përhapin dezinformata se gjoja BE-ja është e pafuqishme që të ballafaqohet me këtë krizë global shëndetësore dhe për rrjedhojë ajo është afër shpërbërjes. Por, sipas autorëve të kësaj propagande, Kina dhe Rusia, megjithatë, po tregohen gjoja të përgjegjshme ndaj kësaj krize, prandaj edhe ndihma kineze për Serbinë shikohet në këtë kontekst.
Kjo lojë me standarde të dyfishta e Serbisë nuk po ndodhë për herë të parë. Krerët zyrtarë të Beogradit me veshë janë nga Brukseli e Washingtoni, kurse me sy e zemër nga Moska. Tani edhe në kushtet e kësaj pandemie globale po luhet sërish kjo lojë, duke nxjerrë përfitime maksimale nga kriza shëndetësore, në njërën anën, dhe duke vënë në dyshim të drejtpërdrejt besueshmërinë dhe efikasitetin BE-së dhe partnerëve të tjerë, në anën tjetër.
Beogradi edhe krizën e raporteve me Kosovën po e vendos në “mullirin” e interesave të saj gjeopolitike, duke e paraqitur veten edhe si viktimë edhe si përfituese nga kjo krizë. Sepse ndryshe si të shpjegohet fakti që në fluturimet çarter të aeroplanëve ushtarak rus pa kurrfarë pengese nga BE dhe Washingtoni, zbarkohen armatime të sofistikuara ruse.
Kundër kujt do të përdoret ky armatim?! (koha.mk)