Shkup, 15 mars – Taulant Seferi edhe një herë ka hedhur të gjitha dyshimet se për cilën kombëtare do të luajë në të ardhmen. Pas ftesës që seleksionuesi i shpresave të Maqedonisë, Bllagoja Milevski ia bëri atij për dy ndeshjet kontrolluese me Malin e Zi dhe Bullgarinë, futbollisti kumnaovar për gazetën KOHA tha se vendimin e ka sjell që moti dhe nuk ka se çka të diskutohet. Ai vlerëson ftesën për të luajtur për Maqedoninë, por thotë se ai më ka vendosur të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë.
“Edhe unë mësova se jam përfshi në listën e seleksionuesit Bllagoja Milevski, për të luajtur në dy ndeshjet miqësore për Maqedoninë kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë. Falënderoj seleksionuesin që ka besim tek unë, mirëpo unë vendimin tim e kam sjell bashkërisht me familjen time, dhe ajo është se unë në të ardhmen do të jem pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Jam në pritje të marrjes së pasaportës dhe mezi pres të debutojë në fanellën kuqezi”, tha në bisedën tonë telefonike nga Zvicra, Seferi.
Ai edhe njëherë tha se akoma nuk është e sigurt nëse do të luajë në miqësoren me Moldavinë. “Si duket nuk do të mundem të luajë tani më 23 mars kundër Moldavisë. Arsyeja është se ka problem mes FIFA-s dhe Federatave, pasi siç e dini unë kam luajtur ndeshje zyrtare me përfaqësuesen e Maqedonisë me U 19 dhe U 21. Jemi në pritje se çka do të vendos FIFA. Mirëpo, sipas asaj që kam arritur të kuptoj, nuk pritet të ketë ndonjë pengesë që unë të mos mundem të luajë për Shqipërinë”, përfundoi futbollisti kumanovar.
Kujtojmë, dje (e martë) seleksionuesi i shpresave të Maqedonisë, Bllagoja Milevski e ka përfshirë Taulant Seferin në listën e 24 futbollistëve, për dy ndeshjet kontrolluese me Malin e Zi (24 mars) dhe Bullgarinë katër ditë më vonë. Por, pas kësaj seleksionuesi Milevski do të duhet të kërkojë alternativ tjetër, duke marr parasysh se Taulanti më veç ka vendosur që në të ardhmen ti mbrojë ngjyrat kuqezi.