Elvisi na provon se të fortë janë ata që kanë kurajon ta përulin veten në shërbim të të tjerëve, për të sjellë mrekulli si ajo që erdhi në jetën e Lumes. Faleminderit Elvis, që ndërsa gjendesh pranë më të dobëtave, na mëson ne më të “fortëve” se si t’i zbusim shpirtrat e të bëhemi njerëz më të mirë!
Nga Alteo HYSI
Lumja është një grua heroinë, 43 vjeçare, që përballon çdo ditë, e vetme, fillikat, fatin e saj. Atje në fshatin Urxull në kushtet e mbijetesës, i duhet të kujdeset për bashkëshortin e sëmurë, dy djemtë që kanë trashëguar sëmundjen e tij dhe djalin 6 vjeçar, më të voglin e shtëpisë, më pas të lajë rrobat në krua e të mbledhë drutë e zjarrit në pyll.
“Jetoj se nuk vdes dot”, thotë e mbytur në lot, nga një vuajtje që po e mbyt. Kur Elvis Naçi e shoqëron në Burrel, aty ku ka mundur t’i sigurojë një banesë, pranë spitalit për familjarët e saj, fytyra i shndrit nga ajo që Lumja e quan “mrekulli të jetës”. Për Lumen, është një mrekulli mundësia që po i japin për të patur një strehë, për të qënë afër spitalit ku të mund të vizitojë bashkëshortin dhe dy djemtë e saj, ku të mund të çojë në shkollë fëmijën më të vogël dhe nuk kërkon asgjë më shumë. Madje edhe dhomën e gjumit, të mobiluar e komode, thotë se nuk e meriton, se është shumë për të.
Histori jete si ajo e Lumes na shtyjnë ta vlerësojmë më shumë çfarë kemi e jemi. Shembulli i Elvisit, imamit që fton shqiptarët të bëhen bashkë për të ndihmuar njëri tjetrit, që çdo të premte shfaqet në ekran për të ndryshuar jetë njerëzish, dëshmon një fuqi që të gjithë mund ta shkyçim nga brenda vetes.
E harrojmë shpesh, në këtë udhëtim të përkohshëm, fare të shkurtër, që shpirti i njeriut nuk peshon më shumë as kur arrijmë shumë për veten, as kur grumbullojmë më shumë, as kur fitojmë më shumë, se sa kur atë çfarë jemi e atë çfarë kemi, e ndajmë me të tjerë! E harrojmë shpesh, të përfshirë çmendurisht në ritmin e jetesës sonë të përbashkët, që të merr përpara me njëmijë problemet e veta, që ndërsa endemi në kërkim të një jete më të mirë, është dikush afër teje që thjesht kërkon një jetë.
E gjejmë rrallë e më radhë edhe në media, aty ku flitet për çdo gjë, që nga glamorozja e vip-ave deri te bloza e politikës, demonstrimin e fuqisë së vërtetë të shpirtit njerëzor. Elvisi, me atë që bën, na rikujton çdo të premte se shpirti peshon më shumë, kur veten e vendosim në shërbim të të tjerëve. Dhe se kemi lindur jo për të qenë të vetmuar, as të veçuar mbi të tjerë, por për njëri tjetrin.
Jemi kaq pak njerëz në këtë vend që është sa një kryeqytet i botës, për t’u ndarë, për të mos i dhënë njëri tjetrit një dorë, një zemër, një ndjesi, ndjesinë e të mos qënit vetëm. Më e rëndësishme se kafshata që Elvisi ndan me familjet në nevojë, për ta është ndjenja e sigurisë se tanimë nuk janë vetëm. Këta njerëz i përmbush shumë më shumë përjetimi se dikush u kujtua për ta. E në mundshim ne të gjithë, të bëjmë vetëm kaq, e kemi fituar betejën!
E do ta kuptojmë kështu se janë të rreme të gjitha betejat që bëjmë kundër njëri-tjetrit, boshe do të na ngjajë edhe konkurrenca e frymëzuar nga egoizmi, jo nga dëshira për t’i bërë gjërat më mirë, të padobishme do të na duken edhe cic-micet që bëhen nëpër televizione.
I rremë është edhe besimi se kjo botë është një xhungël ku mbijetojnë vetëm më të fortët. Elvisi na provon se të fortë janë ata që kanë kurajon ta përulin veten në shërbim të të tjerëve, për të sjellë mrekulli si ajo që erdhi në jetën e Lumes. Faleminderit Elvis, që ndërsa gjendesh pranë më të dobëtave, na mëson ne më të “fortëve” se si t’i zbusim shpirtrat e të bëhemi njerëz më të mirë! (dritare.net)