Fakultetet shtohen, studentët zvogëlohen!

Situata në fakultete po përkeqësohet, kurse tendenca e uljes së numrit të studentëve është vërejtur në të gjitha fakultetet në territorin e Maqedonisë. Numri prej 53.677 studentë të regjistruar në vitin akademik 2018/19, është numri më i vogël i studentëve në arsimin e lartë në njëzet vitet e fundit, kurse për këtë luajnë rol shumë faktorë

Remzije BILALLI

Shkup, 21 janar – Këtë vit u regjistrua vetëm një student në drejtimin e kimisë mësimorë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Matematikës në Shkup. Ndërkaq në degën e gazetarisë në Fakultetin e Drejtësisë “Justinijani i Parë” në Shkup kishte vetëm dymbëdhjetë studentë, që deri më tani është numri më i ulët i studentëve të regjistruar në këtë drejtim. Vetëm tre vjet më parë, kjo shifër ishte tre herë më e lartë, sipas të dhënave nga Inbox7.
Situata në fakultete po përkeqësohet, tendenca e uljes së numrit të studentëve është vërejtur në të gjitha fakultetet në territorin e Maqedonisë. Numri prej 53.677 studentë të regjistruar në vitin akademik 2018/19, është numri më i vogël i studentëve në arsimin e lartë në njëzet vitet e fundit. Në krahasim me vitin shkollor 2000/2001 kur në institucionet e arsimit të lartë ishin regjistruar 39.406 studentë, tani ky numër është ulur për më shumë se 14.000. Trendi është negativ edhe në arsimin fillor dhe të mesëm. Në 19 vitet e fundit, numri i nxënësve të shkollave fillore ka rënë me mbi 61,000, ndërsa në shkollat e mesme me mbi 21,000. Enti Shtetëror i Statistikave gjithashtu tregon një rënie prej 5.7 të vitit akademik 2018/19 krahas atij 2017.18.

Nga Universiteti i Tetovës statistikat i komentuan si reale. Ibrahim Neziri shefi i Zyrës për Arsim theksoi se viteve të fundit numri është në rënie, ndërsa për këtë luajnë rol faktor të ndryshëm.

“Rënie ka, besoj se këtu rol kanë faktor të ndryshim si numri i madh i fakulteteve, programeve studimore, statusi ekonomik, natalitetit, shpërngulja…dhe kjo vërehet që nga shkollat fillore dhe ato të mesme. Këtë e vërejmë në shkollat e mesme ku zakonisht shkojmë për të prezantuar programin tonë tek vitet e katërta, nga viti në vit aty shohim se numri i nxënësve po zvogëlohet. Të dhënat e tanishme nuk janë shqetësuese, mirëpo nëse vazhdon ky trend besoj që duhet të merren masa më serioze”, tha Neziri për gazetën KOHA. Ai shtoi se duhet të rishikohen edhe njëherë çështja e arsimit të lart, numri i programeve, numri i universiteteve…me qëllim që studentët të motivohen për studime në drejtimet e nevojshme. Sipas tij studentët më shumë orientohen në programe profesionale të cilat i mundësoj që të gjejnë më lehtë punë si në vend ashtu dhe jashtë vendit.

“Institucionet gjithashtu duhet të shohin se cilat drejtime janë të nevojshme dhe cilat jo, edhe ne në vazhdimësi bëjmë evalvim të tregut për të parë se për cilat profile kemi nevojë në vend. Ndërkaq duhet të bëhet një stimulim më i madh i studentëve duke filluar që nga ndarja e bursave”, tha Neziri. Nga ana tjetër, nga Universiteti Nënë Tereza theksuan të kundërtën, për ata ka rritje të studentëve nga viti në vit. “Në vitin 2016-të filluam me 218 studentë, vazhduam në vitin 2017 me rritje prej më shumë se dyfish, 492 studentë. Në vitin akademik 2018-2019 interesim për të studiuar në UNT shprehën 656 studentë, pra trefishuam numrin e studentëve”, tha Naim Vrenezi për gazetën KOHA.

Aktualisht, UNT është i vetmi universitet publik në gjuhën shqipe në kryeqytet, nga kjo mund të konstatojmë se për studentët shqiptarë të Shkupit është opsion më i duhur për harxhime më të ulëta. Ndryshe ky vit akademik i gjeti studentët me ndryshimet në Ligjin për arsim të lartë, i cili parasheh kthimin e autonomisë së Universiteteve, krijimin e ambientit për hulumtime shkencore dhe rritjen e nivelit të krijimtarisë artistike. (koha.mk)