Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 nëntor – Kalimi i studentëve nga një modul i caktuar studimi në një modul tjetër, brenda të njëjtit program studimor apo edhe rastet e regjistrimit nëpër programe të ndryshme, shoqërohen shpesh herë me ngatërresa dhe paqartësi, shkruan gazeta KOHA. Pak rëndësi ka nëse ke kryer ose jo njërin modul apo program studimor në të njëjtin fakultet, ku mund të synosh regjistrimin në modulin apo programin tjetër, pasi ndodh shpesh herë që brenda të njëjtit fakultet të mos njihen si ekuivalente provimet, respektivisht lëndët të cilat kandidati i ka kaluar me notë pozitive disa vite më parë. Kur bëhet fjalë për rikualifikim të kandidatëve, të cilët mund të kenë studiuar në fakultet apo universitet tjetër, gjërat ndërlikohen edhe më shumë. Probleme të paqartësisë, ankesa për shkelje të rregulloreve dhe kandidatë që pretendojnë se u bëhet padrejtësi, gjen në çdo kohë, madje edhe në fakultete e gjuhëve, të cilat bëjnë kualifikimin e gjuhëtarëve – pedagogë si dhe të gjuhëtarëve – përkthyes. Kështu, në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup, ata që kanë diplomuar në programin e përkthyesve ankohen se janë më të nënvlerësuar se ata që kanë diplomuar në drejtimin e pedagogëve. Sipas tyre, pedagogët me një “vulë nga gjykata”, përveç se mund të punojnë si mësimdhënës nëpër shkolla pa pasur nevojë të japin provime diferenciale, mund të punojnë edhe si përkthyes me një vulë që sigurohet nga gjykata. “Por, që të fitojmë të drejtën për të dhënë mësim nëpër shkolla, për neve që kemi kryer drejtimin e përkthyesve, është shumë e vështirë”, pohon Sebahate Jahiu.
Duhet të kryhet edhe një gjysmë fakulteti, sqaron më tej ajo, duke nënvizuar faktin se pedagogët dhe përkthyesit kanë shumë lëndë të përbashkëta. “Gjatë katër viteve e kemi mësuar si gjuhën shqipe, ashtu edhe gjuhën maqedonase. Është vërtetë e pakuptimtë që të detyrohemi të japim 12 provime diferenciale për të pasur mundësi që të inkuadrohemi edhe në mësimdhënie”, shprehet ajo. Për Jahiun është e kuptueshme kërkesa që të jepen provimet e didaktikave, psikologjisë apo pedagogjisë. “Mirëpo, që të mos të njihen provimet e lëndëve zgjedhore, të cilat janë të njëjta për të dyja programet, kjo nuk është aspak e drejtë”, shprehet ajo.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), zyrtarisht nuk është regjistruar ndonjë ankesë e këtij lloji dhe aq më pak për kontestin e kualifikimeve në fakultetet e gjuhëve. Agim Rushiti, përgjegjës në sektorin për arsim të lartë, thotë se MASH përmes Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, ka kompetenca të plota të mbikëqyrën çështjen e kualifikimeve dhe rikualifikimeve në të gjitha universitete e vendit. Mirëpo, inspektorati, sikurse vëren ai, punon mbi bazën e ankesave. “Prandaj, nëse dikush konsideron se i bëhet padrejtësi në procesin e njohjes së provimeve në rastet kur ka kryer një program dhe dëshiron të kryejë një program tjetër studimor, lirisht mund të drejtohet ose në Ministri ose në Inspektorat. Kjo vlen edhe për ata që bëjnë transferim nga njëri program në programin tjetër, kuptohet nëse kanë dyshime se janë dëmtuar me çështjen e njohjes dhe ekuivalentimin e provimeve”, sqaron për KOHA, Rushiti. Ai, tregon gjithashtu se ka edhe një rrugë tjetër për të pastruar dilemat dhe kjo është e drejta e kandidatëve që të kërkojnë nga fakulteti formimin e një komisioni tjetër, nëse pretendojnë se komisioni paraprak nuk është treguar i drejtë me ta. “Institucioni, fakulteti është i obliguar me Ligj të formojë komision tjetër për njohjen e provimeve, nëse studenti apo i diplomuari ka dyshime për punën e komisionit të parë”, deklaron zyrtari i lartë i MASH-it. Megjithatë, plotëson më tej ai, ka shumë raste kur provimet edhe pse janë për lëndë të njëjta mund të mos pranohen në tërësi, sepse ndodh shpesh herë që të ndryshojnë silabuset e programeve studimore, pra të mos jenë të njëjta për studentët të cilët kanë regjistruar studimet në vite të ndryshme. Një rast i tillë mund të jetë edhe ai i përkthyesve të Fakultetin “Bllazhe Koneskti” në Shkup. Ata që kanë diplomuar deri në dhjetor të 2013-ës, për të marrë një rikualifikim edhe si pedagogë duhet të japin 7 provime diferenciale, ndërsa për gjeneratat nga viti 2014 lista e provimeve diferenciale është shtuar në 12 lëndë. (koha.mk)