Asnjëra parti politike deri më tani të rinjve nuk u ka dhënë hapësirë të mjaftueshme për të shprehur potencialin e tyre në subjektin politik në të cilën ato bëjnë pjesë. Partitë politike deri më tani asnjëherë nuk kanë vendosur bartës liste të njësisë zgjedhore ndonjë figurë nga Forumi Rinor i asaj partie, ata asnjëherë nuk kanë pasur as edhe kandidat për kryetar Komune nga Forumi Rinor
Zenel MIFTARI
Shkup, 18 dhjetor – Tash më nuk është praktikë e panjohur që në kuadër të partive politike të veprojnë edhe të ashtuquajturit forume rinore. Depërtimi i të rinjve në partitë politike në vendin tonë është një betejë e vështirë, kurse ngritja në hierarkinë partiake has në probleme të ndryshme. Problemi i shoqërisë tonë është edhe më i madh sepse vetëm një pjesë e vogël e rinisë merret me çështjet publike të shtetit edhe ajo pjesë e vogël është në ombrellën e partive politike. Rinia, në shoqërinë tonë nuk del jashtë kornizave partiake. Dukshëm kemi mungesën e organizatave studentore, rinore dhe atyre politike , jashtë forumeve partiake, të cilët do të ishin më aktivë dhe do kundërshtonin më zëshëm problematikat dhe sfidat të cilat përballet rinia në vendin tonë. Omer Ajdini, kryetar i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASh), thotë se synojnë vetëdijesimin politik të të rinjve dhe angazhimin e tyre aktiv në politikë në mënyrë që ata të përfshihen në vendimmarrje dhe të vendosin për fatin e tyre. Sipas tij të rinjtë në politikë duhet të jenë aktorë dhe jo spektatorë, subjekt dhe jo objekt, vendimmarrës e jo si vota mbledhës. Me fjalë të tjera ky forum rinor kërkon faktorizim dhe jo margjinalizim të rinisë. “Qëllimi ynë është të plotësojmë një hapësirë që partia jonë ka nevojë të plotësohet, e ai është afrimi dhe përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të rejave në proceset politike dhe vendimmarrje.
Prandaj në FRASH kur të rinjtë do të përfshihen ata nuk do të kontribuojnë vetëm në fushatë, por edhe mund të japin edhe ide dhe propozime që i shohin të rëndësishme për plan programin tonë si parti politike, por edhe nesër kur të kyçen në institucionet shtetërore të çojë përpara idetë e tij apo sajë”, shton Ajdini. Ai gjithashtu thotë se problemet e rinisë sot janë aq të mëdha saqë nuk mundë të anashkalohen nga asnjë parti politike e as nga shoqëria civile. Florent Bislimi, nënkryetar i Forumit Rinor të BDI-së thotë vizioni i tyre është krijimi i klimës më të volitshme gjatë ushtrimit të veprimtarisë së përditshme për çdo të ri. Sipas tij, përfshirja aktive e të rinjve në të gjitha proceset vendim marrëse është qëllimi i Forumit Rinor të subjektit tonë politik, duke i bërë kështu të rinjtë protagonistët kryesor të jetës së tyre dhe të proceseve politike në vend. “Duke qenë Forumi Rinor strukturë përbërëse e një subjekti, domosdoshmërish veprimtaria jonë është brenda kornizave partiake. Veprimtaria dhe ideologjia politike është ajo që na bashkon me subjektin tonë, por që na dallon nga subjektet tjera. Ne si Forum Rinor trajtojmë politikat rinore dhe çdo veprimtarie që tangon rininë. Problemi rinor është nocion më i gjerë duke përfshirë disa fusha, kjo e bën që problemi rinor të jetë problematikë të cilën e trajtojnë shumë subjekte politike dhe OJQ”, përfundon Bislimi, duke shtuar se problematikat rinore dhe ballafaqimi i rinisë me vendimmarrjen dhe politikbërjen është fenomen global. Rinia vazhdimisht kërkon mundësinë për tu kyçur në këto procese. Eneida Sulejmani, nga Forumi Rinor i Alternativës thotë se bashkimi i të rinjve në luftë ndaj gjithë padrejtësive , është objektivi i tyre. “Në luftë kundër së keqes dhe vetëdijesimin e të rinjve për parandalimin e migrimit e tyre në rrugët e mërgimit.
Qëllimi jonë nuk është vetëm politik, por edhe interes shoqëror , qëllimi ynë është parandalimi i migrimit të rinjve shqiptarë dhe qëndrimi i tyre në vendin e tyre ku janë autokton dhe kjo është bazë e platformës së partisë tonë”, thotë Sulejmani. Ajo shton se problemi rinorënuk është partiak por është më i gjerë për shkak të kushteve jo të mira që i ofrohen të rinjve në vendin tonë, mungesës së perspektivës, mundësive jo të mira për karrierë, punë, vlerësimi jo i mirë i tyre dhe kualiteteve tyre. Ndërsa politologu, Naim Iljazi, thotë se forumet rinore kanë rol në hierarkinë e strukturimit të partive politike. “Ekzistenca e tyre në thelb paraqitet si nevojë për formimin dhe rekrutimin e elitave të reja, si një energji e pashtershme e veprimit politik. Por për fat të keq, në Maqedoninë e Veriut ekzistenca e forumeve rinore shihet vetëm si një “siluetë” apo një ndarje formale në ndërtimin e subjektit politik, duke e përdorur masën e re vetëm si mjet votues apo të grumbullimit të votave dhe për organizimin e manifestimeve që ngjasojnë me ahengjet e dasmave, duke u përjashtuar pothuajse plotësisht nga vendimmarrja dhe veprimi politik”, thotë Iljazi. Lidershipi politik, sipas tij, që nuk dinë të pensionohet nga veprimi politik edhe pse të harxhuar në çdo pikëpamje, duke ardhur nga fryma diktatoriale ata përsëri arrijnë të kënaqin masën e re me iluzione dhe premtime utopike duke u paraqitur para tyre si “shpresa e pavdekshme”. Por ajo që është më me rëndësi nuk duhet në asnjë mënyrë të ndodhë demotivimi i të rinjve në zhvillimin politik të tyre. Përkundrazi duhet që të inkurajojmë masën e re dhe duhet shpjeguar masës së re për rëndësinë dhe rolin e tyre në veprimtarinë politike, sepse ata janë e ardhmja e garantuar në çdo sistem politik, mendon Iljazi. Parittë politike deri më tani asnjëherë nuk kanë vendosur bartës liste të njësisë zgjedhore ndonjë figurë nga Forumi Rinor i asaj partie, ata asnjëherë nuk kanë pasur as edhe kandidat për kryetar Komune nga Forumi Rinor. Me një fjalë asnjëra nuk u ka dhënë hapësirë të mjaftueshme të rinjve për të shprehur potencialin e tyre në subjektin politik.