Për dallim nga Maqedonia e Veriut, ku faktoringu si mënyrë alternative e financimit të biznesit përdoret shumë pak, në botën e zhvilluar ai përdoret me të madhe. Shifrat madje arrijnë me miliarda euro, ndërsa tek ne me promile
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 prill – Për dallim prej ekonomive të zhvilluara perëndimore, ku faktoringu si metodë e shitjes së borxheve merr pjesë me 4 deri 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo me dhjetëra e qindra miliarda euro, në ekonominë e Maqedonisë së Veriut një instrument i tillë financiar merr pjesë vetëm me disa promila. Apo me fjalë të tjera, për dallim prej shteteve të Evropës Perëndimore, ku një tregues i tillë paraqet faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike, tek ne – edhe pse ka lëvizje pozitive, megjithatë një produkt i tillë financiar që nënkupton blerjen e borxheve nga kompanitë nuk është i zhvilluar mjaftueshëm. Thënë ndryshe, për dallim prej Maqedonisë së Veriut ku faktoringu si mënyrë alternative e financimit të biznesit dhe mos-vonesës së pagesave ndërmjet palëve, shumë pak përdoret edhe pse është në fuqi që prej dhjetë vitesh. Në botën e zhvilluar , ai përdoret edhe si financim komercial që nuk nënkupton as kolateralin apo garancinë dhe as depozitat, por vetëm kërkesat për borxhet e ndryshme.
Në fakt, faktoringu që vlen për brenda dhe jashtë shtetit, shpjegojnë ekspertët e kësaj lëmie, paraqet shitjen e borxheve apo kërkesave me qëllim që të arrihet deri tek disponimi me para të gatshme apo për të realizuar rritje të biznesit. “Vitet e fundit, në shtet ka një lëvizje në përdorimin e faktoringut falë edhe angazhimit të Odave ekonomike dhe ndihmës së USAID-it, megjithatë akoma mungon vetëdija më e madhe për përfitimet nga ky lloj instrumenti, ku të hollat në vend se për 30, 60 apo 90 ditë, do të fitohen menjëherë dhe me këtë ulë edhe rreziqet komerciale të punës së kompanive të vogla dhe të mesme”, thotë Suzana Dimovska Tunteva nga kompania “Faktor Trast”.
Sipas saj, në shtetet e jashtme me ekonomi të zhvilluar, faktoringu paraqet edhe mënyrë që e përdorin bizneset për të përshpejtuar qarkullimin në tregti apo prodhimtari, apo për të mbështetur strategjinë për depërtimin në tregjet e reja. Vlerësohet se me faktoringun, si burim financimi afatshkurtër për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, bizneset kanë mundësi që menjëherë ti paguajnë faturat dhe jo të presin më gjatë me muaj të tërë, mund të sigurojnë kapital të freskët për veprimtarinë e tyre, të paguajnë furnizuesit dhe punëtorët dhe të orientohen në zhvillim të biznesit dhe jo në mbijetesën e tij.
Nga ana tjetër, ekonomistët thonë edhe kushtet aktuale të ekonomisë, të karakterizuara nga kufizimet e kredisë për bizneset, e bëjnë faktoringun një nga zgjidhjet më favorizuese për kompanitë. Kjo metodë financimi është një nga mënyrat që kërkon një kohë të shkurtër negociatash dhe një nga metodat më të lehta për të siguruar fonde për kapitalin punues, që është një nga pikat më të ndjeshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, problem tjetër i përdorimit të faktoringut në praktikë është se ai kërkon një marrëveshje trepalëshe ndërmjet bizneseve dhe institucionit përkatës që të jetë i suksesshëm dhe më vonë nuk ka mundësi që kërkesat financiare të barten tek palat e tretë
Ndryshe, kriza financiare botërore tregoi më së miri arsyen e zhvillimit të industrisë së faktoringut, pasi shumë banka, pavarësisht se i kishin të siguruara kreditë e tyre me garanci apo kolateral, u gjenden para vështirësive të mungesës së parave kesh apo likuiditetit. Andaj, një nga manovrat e Qeverisë Amerikane për të shpëtuar bankat dhe sistemin bankare ishte blerja e llogarive të arkëtueshme të bankave, duke u mundësuar atyre likuiditet të mjaftueshëm për të vazhduar veprimet operacionale.
Ndryshe, faktoringu paraqet blerjen dhe financimin e llogarive të arkëtueshme i shoqëruar me shërbimet e administrimit të llogarive të arkëtueshme, arkëtimit, mbulimit të riskut të mospagimit nga blerësit, si dhe mbulimit faktik në rast të mospagesës nga blerësit për shkak të pamundësisë financiare të këtij të fundit për të paguar. Në botë rritet me 13.5 për qind në 15 vitet e fundit faktoringu ndërkombëtar, apo në tregun global. Për herë të parë që kur të dhënat e faktoringut po analizohen, industria globale e faktoringut ka tejkaluar 3 trilion dollarë deri më 31 dhjetor të vitit 2013, që paraqet një rritje prej rreth 10 për qind krahasuar me të dhënat e vitit 2012. (koha.mk)