Nga Agjencia për rrugë shtetërore nuk kanë dhënë detaje se pse pikërisht në këto pika të pagesës në Pollog ndodhin më shumë aksidente, dhe se a ka nevojë që të shtohen më shumë shenja sinjalizuese, ndriçim më i mirë në periudhën kur ka mjegull, por edhe masa tjera mbrojtëse që do të garantonin sigurinë e punëtorëve të cilët janë të ekspozuar gjithnjë në rrezik
Urim HASIPI
Tetovë, 23 prill – Njësia për kontroll dhe të pikave të pagesës në kuadër të Agjencisë për rrugë shtetërore lidhur me pyetjet që i adresuam për aksidentet e shumta në dhe afër pikave pagesore, thotë se shkaku i këtyre aksidenteve është shpejtësia dhe mos respektimi i rregullave të komunikacionit, shkruan gazeta KOHA.
“Si shkak për rritjen e numrit të aksidenteve që ndodhin në afërsi të pikave të pagesës, mund ta theksojmë mos përshtatjen e shpejtësisë nga ana e vozitësve si dhe mos respektimin e sinjalizimit që është e vendosur përgjatë rrugëve në tërë vendin, por edhe para pikave të pagesës”, thotë Sasho Trençevski, koordinator i njësisë për kontroll dhe të pikave të pagesës në kuadër të Agjencisë për rrugë shtetërore. Të pyetur se a janë në rrezik punëtorët që punojnë në këto pika të pagesës rrugore, ai thotë se ndërmarrja është e angazhuar që të ketë më shumë siguri për punëtorët, por pa theksuar masat konkrete.
“Dëshirojmë të njoftojmë se Njësia për kontroll dhe të pikave të pagesës në kuadër të Agjencisë për rrugë shtetërore është e përkushtuar maksimalisht për të punësuarit e saj dhe sigurinë e tyre, por njëkohësisht jemi të përkushtuar që të gjithë shfrytëzuesve të rrugëve t`u mundësojmë shërbime efikase dhe në kohë” thotë Trençevski. Autostrada Gostivar-Tetovë-Shkup është shndërruar në një tmerr të vërtetë për vozitësit, kurse në pjesën nga Gostivari në Tetovë pritet që të bëhet një investim për të përmirësuar infrastrukturën e dëmtuar dekada me radhë. Statistikat që publikoi ditë më parë gazeta Koha flasin për rritje të numrit të aksidenteve në pikat e pagesës në Pollog. Në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, në pjesën e Gostivarit, gjatë vitit 2017 janë regjistruar 24 aksidente, në vitin 2018 janë regjistruar 22, kurse në tre mujorin e parë 6 aksidente. Bilanci i viktimave nuk është më i mirë as në vitin 2016, kur në këtë autostradë jetën e kanë humbur tre persona.
“Në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, në rajonin e Tetovës, gjatë vitit 2017 janë regjistruar 150 aksidente. Në afërsi të pikës së pagesës në Zhelinë janë regjistruar 7 aksidente me tetë persona të lënduar. Në pikën e pagesës në Tetovë numri i aksidenteve ka qenë 12 me tetë persona të lënduar. Në vitin 2018, në këtë autostradë janë regjistruar 172 aksidente. Në afërsi të pikës pagesore në Zhelinë janë regjistruar 11 aksidente me 3 persona të lënduar, ndërsa në pikën e pagesës në Tetovë 12 aksidente me 10 të lënduar. Në tre muajt e parë të këtij viti, gjithsej numri i aksidente në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup është 31. Në afërsi të pikës së pagesës në Zhelinë ka ndodhur një aksident me një person të lënduar, kurse në pikën e pagesës në Tetovë 4 aksidente ku është regjistruar edhe një viktimë në muajin prill”, thonë raportet e policisë së Tetovës për aksidentet afër pikave të pagesës.
Nga Agjencia për rrugë shtetërore nuk kanë dhënë detaje se pse pikërisht në këto pika të pagesës në Pollog ndodhin më shumë aksidente, dhe se a ka nevojë që të shtohen më shumë shenja sinjalizuese, ndriçim më i mirë në periudhën kur ka mjegull, por edhe masa tjera mbrojtëse që do të garantonin sigurinë e punëtorëve në këto pika të pagesës të cilët janë të ekspozuar gjithnjë në rrezik. (koha.mk)
.