Është koha e fundit që ne ta kuptojmë që neve të rinjve të shkolluar dhe të vetëdijshëm fajin e dështimeve politike eventuale në të ardhmen nuk do ta bartë më as BE-ja e as Bujar Osmani me partinë e tij, por atë do ta bartim pikërisht ne vet, sepse ne sot e kemi shansin që të mos tolerojmë që në emrin tonë të flasin njerëz të cilët janë ose analfabetë ose hajdutë dhe të cilëve jo vetëm që nuk u duhet zhvillimi dhe integrimi në BE, por u pengon ai integrim meqë ua zvogëlon mundësinë e pasurimit në kurriz të popullit
Nga Omer AJDINI
Të shtunën e kaluar, Bujar Osmani kishte mbledhur disa të rinj e të reja, i kishte veshur me bluza të kaltërta me mbishkrim “It’syEUr turn”, dhe ua kishte dhënë nga një fjalim ta lexojnë para mediumeve duke dërguar mesazh Bashkimit Evropian që të rinjtë e Maqedonisë së Veriut ishin lodhur dhe po zhgënjeheshin nga Bashkimi Evropian dhe se BE-ja duhet urgjentisht të hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut. Duke e parë atë shfaqe të çuditshme teatrale, mendoja me vete: “a thua vallë këta të rinj e përfaqësojnë të riun mesatarë në Maqedoninë e Veriut dhe kush realisht i ka fajet që Maqedonia e Veriut për njëzet vite dështoi në procesin e euro-integrimeve edhe pse ishte ndër të parat shtete ballkanike që e filloi këtë proces?!”
Përgjigja e dilemës së parë ishte po aq e lehtë sa jo e së dytës. Ata të “të rinj” që ishin të shtunën me Bujar Osmanin për mua ishin gjithçka përveç të rinj, dhe ata nuk e përfaqësonin aspak rininë e vërtetë të këtij shteti. Të rinjtë e vërtetë, pra ata të cilët kanë karakter dhe shpirt njëmend rinor me vetëdije, guxim, inat, etj., janë të ndarë në dy lloje: në ata të cilët nuk kishin durim të presin integrimin e vendit në BE dhe u integruan vet duke ikur për Gjermani; dhe në ata të cilët janë politikisht të vetëdijshëm dhe që kanë pak inat dhe që kanë refuzuar të jenë aty me Bujar Osmanin sepse e dinë që BE-ja nuk na ka faj për këtë dëshpërim por fajin e ka pikërisht qeverisja 20 vjeçare e partisë së Bujar Osmanit e cila bëri gjithçka qe ne mos të jemi pjesë e BE-së. Pra një “i ri” që del dhe fajëson BE-në dhe nuk e kupton që Bujar Osmani dhe partia e tij janë kryekëput përgjegjëse për dështimin në procesin e integrimeve, është ose naiv politik ose thjeshtë ka aspirata për një vend pune në administratë, e që e bëjnë atë të mos e meritojë të quhet i ri. Pra shpjegim tjetër nuk ka, sepse BE-ja mund të ketë faj për gjithçka, ama jo për korrupsionin e nivelit të Tanzanisë apo gjyqtarët e prokurorët e emëruar nga shtabet partiake siç kanë bërë deri tani partitë qeveritare. Pra i riu i cili njëmend është i ri nuk i rri mbrapa Bujar Osmanit që të ankohet, por refuzon me vetëdije që të jetë aty dhe por angazhohet që dështakët të marrin dënimin e merituar politik. E mund të shkojmë edhe një hap më tej dhe lirisht mund të themi që i riu me mentalitet të vërtetë evropian (dhe jo vetëm me bluzë të kaltërt) nuk del në media për t’u ankuar se si është mërzitur duke pritur që Maqedonia e Veriut të integrohet në BE, por angazhohet që njerëzit të cilët kanë bërë që ky proces të stagnojë mos të jenë më në fuqi.
E tek sa isha duke e menduar çështjen e ngecjes së procesin e integrimit, çuditërisht fillova të pajtohem pak me ata të rinjtë që ankoheshin bashkë me Bujar Osmanin. Ndoshta ata kishin të drejtë deri në një nivel kur aludonin që BE-ja na ka faj që po vonohemi në procesin e integrimeve. Për 20 vite të tëra BE-ja ka derdhur miliarda euro në Maqedoninë e Veriut, ka angazhuar ekspertë, ka dhënë përkrahje institucionale vetëm e vetëm që të kryhen reformat e nevojshme ekonomike, juridike e sociale që ne të bëhemi gati për anëtarësim në BE, duke besuar që politikanët tanë vërtetë e duan integrimin në atë familje dhe janë të dedikuar t’i bëjnë ato reforma. Pra siç duhet BE-ja ka faj që ka besuar në kapacitetin dhe gatishmërinë e qeveritarëve tanë që t’i bëjnë ato reforma, duke mos e kuptuar që qeveritarët tanë para reformave ekonomike e kishin pasurimin individual, para drejtësisë jo-selektive e kishin fshehjen e krimit dhe korrupsionit dhe para BE-së e kishin veten e tyre. Pra, në të vërtetë Bashkimi Evropian ka faj që politikanët tanë ballkanas i ka trajtuar si të ishin evropian të njëmendët, dhe atyre që realisht nuk kanë dashur që vendi të integrohet në BE ua ka dhënë benefitin e dyshimit duke i trajtuar si palë të denjë për bashkëpunim në procesin euro-integrues.
Duke e ditur ku qëndron faji i vonesës sonë të stërzgjatur në rrugën e euro-integrimeve, neve të rinjve nuk na ngjanë të jemi aktorë në skenarët e njerëzve të dështuar të cilët i përdorin të rinjtë për të bërë presion ndaj BE-së që t’i hapë negociatat me ne edhe pse ata dhe partitë e tyre vazhdojnë të mbeten në veprime njerëzit që nuk e çojnë përpara evropianizimin e vendit dhe shoqërisë tonë. Neve na ngjanë t’i përveshim krahët, të angazhohemi politikisht dhe t’i dërgojmë këta njerëz në opozitë dhe përfundimisht të fillojmë procesin e evropianizimit me participim demokratik dhe luftim të krimit dhe korrupsionit.
Është koha e fundit që ne ta kuptojmë që neve të rinjve të shkolluar dhe të vetëdijshëm fajin e dështimeve politike eventuale në të ardhmen nuk do ta bartë më as BE-ja e as Bujar Osmani me partinë e tij, por atë do ta bartim pikërisht ne vet, sepse ne sot e kemi shansin që të mos tolerojmë që në emrin tonë të flasin njerëz të cilët janë ose analfabetë ose hajdutë dhe të cilëve jo vetëm që nuk u duhet zhvillimi dhe integrimi në BE, por u pengon ai integrim meqë ua zvogëlon mundësinë e pasurimit në kurriz të popullit. Prandaj, është koha që t’i ndalim ankesat dhe të bashkohemi kundër anti-evropianëve të vërtetë dhe për të ardhmen që ne e duam.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)