As Zaevi, as ministrat Osmani ose Dimitrov, nuk mund të jenë përgjegjës për veprimet e Karakaçanovit, Zaharievës e Borisovit, të cilët jo vetëm që shkelën marrëveshjen bilaterale, por me frymën dhe nivelin e komunikimet si dhe me veprimet konkrete, dolën nga çdo kornizë miqësie…
Nga Daut DAUTI
Zaharieva e tregoi verdiktin e shtetit të saj se do të vë veto për Maqedoninë, e këtu te ne opozita nxitoi ta kapitalizojë atë, duke kërkuar interpelancë për ministrin për eurointegrime, Nikolla Dimitrov. VMRO-së i bashkëngjitet edhe Aleanca për Shqiptarët, duke zgjeruar listën e përgjegjësve edhe në Zoran Zaevin dhe ministrin e jashtëm, Bujar Osmanin. Këta tre potencohen si fajtorët për “dështimin” në procesin eurointegrues.
KUSH ËSHTË FAJTOR?
Dakord, çdo qeveri, është përgjegjëse për veprimet e veta. Në kushte normale ku funksionojnë institucionet, përgjegjësia shkon edhe në nivele më të larta. Jo vetëm që përgjegjësia mund të jepetme iniciativa parlamentare, por dhe si akte morale personale për përgjegjësi objektive.
Por në momentin e pikërishëm, për përgjegjësi objektive të këtij karakteri, vetëm nga një person mund të kërkohet përgjegjësi e tillë. Nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Sepse, me gjithë impenjimet e tij, me gjithë angazhimin në vijën e parë të frontit kundër pandemisë, në Maqedoni diçka nuk shkon mbarë. Krahasuar me shtetet përreth, të ngjashme, si Kosova ose Shqipëria, kemi dyfishin e infektimeve dhe vdekshmëri më të lartë për kokë banori. Shpjegimet se Maqedonia i zbaton protokollet e OBSH-së, nuk është sqarim aq bindës, përderisa edhe të tjerët me të njëjtat protokolle, kanë vdekshmëri më të ulët…Pra, nëse për dikë në këtë moment duhet interpelancë, pa le të mbetet prapë aty ku është pas një votimi, është ministri i shëndetësisë, e jo ministri i jashtëm, jo ai i eurointegrimeve dhe as kryeministri, për veton bullgare.
Nëse duam të bëjmë politikë në kritikomani vetëm për shkak të arsyetimit të pozicionit opozitar, nuk do të thotë se e drejta morale dhe faktike është në anën e tyre. Sepse, kërkohet përgjegjësi për diçka që ka ndodhur jashtë Maqedonisë, në zyrat qeveritare të një vendi fqinj. Sepse ai vend fqinj, si me vonesë u kujtua të vë kushte të cilat gjatë gjithë këtyre viteve nuk i kishte vënë në kontekst të integrimeve euroatlantike. Bie fjala Greqia gjithë kohën i kishte kushtet e veta të qarta dhe ato vlenin si për NATO, si për BE, meqë kishte të drejtën e vetos dhe ta keqpërdorte atë. Bullgaria gjatë gjithë kësaj kohe luante rolin e një fqinji përkrahës dhe që nuk vinte kushte. Gjërat që tash i përdori, atë të gjuhës dhe gjërave tjera të karakterit historik, janë tema të cilat vazhdojnë që nga vitet e pas çlirimit(sidomos pas vdekjes së Gjeorgji Dimitrovit, të cilin tash vetë bullgarët e satanizojnë që ka pranuar ekzistimin e popullit maqedonas). Jo që nuk ka se çka të diskutohet në temat historike, por çështja është sa ka bazë Bullgaria që ato t’i përdorë për ta kushtëzuar Maqedoninë. Ajo që duhet ta dijë opozita te ne, dhe besoj që e di më mirë se shumëkush, është se Bullgaria dhe Maqedonia nënshkruan para tre vjetësh një marrëveshje për bashkëpunim, miqësi e fqinjësi të mirë, në të cilën Bullgaria nuk ka vënë asnjë kusht për Maqedoninë, përkundrazi, obligohet që ta përkrahë pikërisht në proceset integruese. Një klauzolë për rishikim të së kaluarës përmes një komisioni të përbashkët hapi debatet e vjetra, por ato në asnjë moment, në atë marrëveshje, nuk janë vënë si kusht për eurointegrimet dhe Bullgaria në këtë mënyrë e kthen procesin mbrapa. Nuk mund të thuhet me siguri të plotë, por ka indicie që e përmendin qarqe intelektuale bullgare se e gjithë kjo situatë është për “konsum” të brendshëm bullgar, pasi eksponenti më i ashpër i vetos ka qenë partneri koalicionist i Bojko Borisvoit, Krasimir Karakaçanov, i cili me deklarimet e tij publike, me tonin dhe përmbajtjen e porosive, doli tërësisht jashtë kornizës miqësore të marrëveshjes bilaterale.
Me të drejtë kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, hedh poshtë çfarëdo përgjegjësie për veton e Sofjes, duke cilësuar kërkesat bullgare “jashtë Marrëveshjes për fqinjësi të mirë”, sepse “në marrëveshje nuk ka asnjë bazë juridike për bllokadë” sepse “bllokada bullgare bazohet në kërkesa që nuk përmenden fare në marrëveshje “.
Mbase kjo është shumë e saktë, kush e ka lexuar marrëveshjen do ta kuptojë. Ka edhe një çështje tjetër që flet për përgjegjësinë e të dy palëve, e kjo është retorika. Deri tash nuk ka asnjë zyrtar të lartë nga Maqedonia, që bie fjala ka folur aq ashpër, e me tone akuzuese si ato të Karakaçanovit(i cili para do kohe qe kërcënuar se mund të dërgojë njësi të xhenios për t’i rrëzuar të gjitha përmendoret e figurave të përvetësuara si maqedonase!). Përkundrazi, tonet e zyrtarëve të Maqedonisë Veriore kanë qenë të buta përtej çdo mase dhe jo ujë turbulluese, ndoshta edhe në pritje të ndonjë mrekullie se në fund Bullgaria do të heqë dorë nga vetoja. Por kjo qasje nuk u shpërblye nga fqinji që duhej të ishte mik.
Vetoja bullgare nuk ka hasur në ndonjë mirëkuptim në Evropë dhe më gjerë. Departameni i Shtetit amerikan, në mënyrë direkte ose indirekte, dha porosi të qartë që kontestet ndërfqinjësore të vazhdojnë jashtë kornizës paraaderuese në BE, në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët- anëtarësimi i Maqedonisë në BE. Sepse, sipas Departamentit të Shtetit, “çdo pengesë në qasjen e këtyre vendeve në BE, e rrezikon hapjen e çështjes së kredibilitetit të BE-së në rajon”. Kur kësaj t’i shtojmë keqardhjen e shumë qarqeve të BE-së, para së gjithash Gjermanisë, duke mbetur pa fjalë me veton bullgare, atëherë adresa e përgjegjësisë dihet ku është.
ANALOGJI MIDIS QEVERISË Së GRUEVSKIT DHE ZAEVIT
Pra, qëndrimi opozitar do të duhej të ishte me vend, sikur marrëveshjen për fqinjësi të mirë e bashkëpunim, ta shkilte Maqedonia. Gjithsesi, në nënteks mund të jetë analogjia që VMRO-DPMNE mund të bëjë me kontestin tashmë të harruar me Greqinë, por këtu gjërat duhet të merren në mënyrë të anasjelltë. Në atë kohë, pikërisht qeveria e Gruevskitu bë bashkëfajtore me palën greke, sepse, përderisa Greqia e kishte shkelur marrëveshjen e përkohshme, me të cilën obligohej të mos e pengonte Maqedoninë në integrimet nëpër organizma ndërkombëtarë(ndërkaq e pengoi për NATO dhe BE dy dekada e gjysmë!), kur erdhi në pushtet Gruevski, ndërmori hapa që poashtu paraqisnin obstruksion të procesit negociator, me promovimin e kuazishkencës për origjinën antike të maqedonase(mbase për t’i ikur sadopak “origjinës së përbashkët” me bullgarët, edhe pse në fillim kjo parti konsiderohej si bullgarofile!) dhe në këtë mënyrë, jo vetëm që provokoi dhe irritoi Greqinë, por e relativizoi fajin e saj në sytë e faktorëve ndërkombëtarë, duke humbur kështu përkrahjen që më parë e kishte prej tyre. Marrëveshjet që bëri Zaevi si me Greqinë, si me Bullgarinë, janë hapa të guximshëm, përkundër kritikave në adresë të tij për gjoja shitje të interesave kombëtare. Me guxim dhe vazhdon t’i mbrojë ato, pa bërë diçka që atë dhe qeverinë e tij do ta bënin fajtore. Prandaj, as Zaevi, as ministrat Osmani ose Dimitrov, nuk mund të jenë përgjegjës për veprimet palëve që nuk i respektojnë marrëveshjet dhe të cilat nxjerrin tema e dilema të tjera, përtej marrëveshjeve që vetë i kanë nënshkruar.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)