“Mjafton ne shqiptarët të shohim veten në pasqyrë e të kuptojmë se sa të shëmtuar e kemi shndërruar diskursin e të drejtës së trashëguar”, deklaroi për gazetën KOHA, opinionistja Adelina Marku
Destan JONUZI
Shkup, 10 janar – Që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë e këndej, çdo thirrje apo kërkesë e shqiptarëve për të përmirësuar statusin e tyre juridiko-kushtetues, por jo vetëm – edhe për ndonjë të drejt tjetër elementare, është parë nga pala maqedonase, qoftë elita politike apo shtresat tjera si proces negativ, që sipas analistëve, është një qasje shumë e gabuar. Por, pas konfliktit të vitit 2001 e këndej, disa çështje kanë lëvizur në drejtim të përmirësimit të statusit të shqiptarëve, por a ka ndryshuar edhe mendimi i klasës politike dhe bashkëqytetarëve maqedonas për kërkesat legjitime të shqiptarëve.
Opinionistja Adelina Marku në një prononcim për gazetën KOHA thotë se në shoqërinë tonë të drejtat e trashëguara janë korruptuar nga të drejtat e kuptimit politik dhe ngatërresa e këtillë ka krijuar hapësira për interpretime ideologjike të së drejtës.
“Nga këtu vlerësimi im vjen si rezultat i pasojës dhe jo si rezultat i origjinës së të drejtës, prandaj pasojën në rastin konkret e kanë krijuar bashkërisht elitat politike shqiptare dhe maqedonase. Fajësimi i tjetrit është diskurs i gabuar tani në shekullin e 21, sepse mjafton të shohim vetën në pasqyrë ne shqiptarët e të e të kuptojmë sesa të shëmtuar e kemi shndërruar diskursin e te drejtës së trashëguar”, deklaron Marku.
Nga ana tjetër, analistja Katarina Sinadinovska thekson se shoqëria në Maqedoni thellësisht është e polarizuar edhe atë jo vetëm në baza etnike, por edhe politike. Problemi është shumë serioz dhe kërkon zgjidhje sistemore, jo nëpërmjet miratimit të ligjeve për amnisti apo ndryshimeve Kushtetuese, por nëpërmjet proceseve serioze politike që do të bashkonin elementet arsimore, kulturore, sociologjike.
“Këtë që po e shoh në Parlament para votimit të ndryshimeve Kushtetuese nuk ka fare të bëjë me një proces të pajtimit, por as me zvogëlimin e stereotipave të një etniteti ndaj tjetrit. Përkundrazi, mënyra se si po bëhet kjo pa pjesëmarrjen e qytetarit, mundet vetëm në mënyrë plotësuese ta rris mosbesimin. Kam përshtypjen se shumë politikan të margjinalizuar apo kriminel e shfrytëzojnë mundësinë që të shantazhojnë, me qëllim që t’u ikin dënimeve dhe të faktorizohen në skenën politike, krejtësisht pa ndjenja për rëndësinë e momentit dhe për rendësinë e eurointegrimeve”, tha për gazetën KOHA, Katarina Sinadinovska, analiste. Sipas saj, anëtarësimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO patjetër të shikohet jashtë interesave të ngushta partiake, pasi që nuk ka proces më të rëndësishëm se ky për të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë së tyre etnike.
“Nëse liderët e tyre nuk janë të vetëdijshëm, nuk meritojnë aspak të quhen lider, as partitë parti, e jo më parti të një populli apo etnie”, nënvizon Sinadinovska. (koha.mk)