Ai do të mbetet në historinë e shqiptarëve si një nga ikonat e fotografisë, njeriu që ua zbardh fytyrën në mbarën botën, ai i cili nuk ka limit në sukses dhe që lirisht mund të quhet histori në vete. Me Fadil Berishën kemi biseduar për këtë numër të gazetës KOHA duke folur shkurt mbi periudhën nëpër të cilën po kalon bota mbarë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Njihesh tashmë si një ikonë e fotografisë jo vetëm tek shqiptarët, por në mbarë botën, çfarë ka ndryshuar në këto vite tek Fadili?
Në qendër të suksesit tim gjithmonë ka qenë dëshira ime për të lartësuar imazhin e shqiptarëve, bërë kjo ndërmjet fotografisë.
KOHA: Të ka mbetur peng ndonjë gjë në karrierë e që mendon të realizosh këtë kohë?
Kam kohë që përpiqem të sjellë për botim libra me fotografi të artistëve shqiptarë nga fusha të ndryshme të artit. Kam nisur të fotografoj modele, njerëz të thjeshtë apo artistë shqiptarë që në vitet ’90. Kam një arkiv të pasur që mendoj ka vlerë historike.
KOHA: Si ka qenë ky vit për ju pavarësisht Pandemisë që po shkund botën?
Ky vit ka qenë i vështirë, fillimisht nuk mund të takoja familjarët e mi, mora Covid në prill dhe u izolova, pastaj pamundësia për të takuar miq e shokë, gjithashtu pamundësia për të shkuar në studio, por në të njëjtën kohë ka qenë një vit reflektiv, sepse kam shpenzuar kohë me familjarët e mi pasi gjithmonë kam qenë shumë i ngarkuar me punë. E ndjej veten edhe më të lidhur me familjen time.
KOHA: Me çfarë je duke u marrë momentalisht dhe cilat janë planet pas stabilizimit të gjendjes?
Po punoj në disa libra me fashion fotografi dhe po bisedojmë me disa shtëpi botuese.
KOHA: Na trego pak a e ka trashëguar ndonjë nga fëmijët profesionin tënd?
Mund të them që po. Vajza ime merret me “Digital advertising” dhe në profesionin e saj të duhet të kesh një sy e vlerësim artistik. Im bir merret në një farë mënyre me fotografimin pasi ai është stilist dhe një stilist i suksesshëm duhet të ketë aftësinë të konceptojë se si veshjet kombinohen dhe si do të duken ndërmjet aparatit fotografik.
KOHA: Fotografon thuajse çdo ditë, po na thuaj këtë vit ndonjë personazh më të veçantë që ke fotografuar?
Këtë vit dhe pse ka qenë i vështirë kam prodhuar tre ballina për revistën BAZAR me modelen legjendare Carmen Dell’ Orfice dhe një ballinë për L’OFFICIEL Italia me supermodelen Robin Holzken.
KOHA: A ka mbetur ndonjë nga yjet botërore që nuk ke fotografuar por do kishe dashur?
Kam dëshirë të fotografoj Angelina Jolie.