Facebook-un siç nuk e njihni

Nga Nazim RASHIDI

Një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare këtyre ditëve është çështja e gjithë të dhënave që eksitojnë në botën digjitale dhe si janë përdorur për qëllime politike. Për ta thënë më direkt, çdo “like” në Facebook, krijon gjurmë, nga të cilat, ata që i shohin mund të krijojnë profilin tuaj politik. Pra, preferencat tuaja zbulojnë preferencat politike dhe si rrjedhojë ju mund të “sulmoheni” me propagandë të targetuar veç ndaj jush, me qëllim që të ndryshoni mendjen dhe në fund të votoni kundër opsionit që preferoni. Keni luajtur ndonjëherë ndonjë kuic? Lojat me pyetje nga më të ndryshmet, çfarë kafshe jeni? Cila është origjina juaj e vërtetë? Kujt personazhi i ngjan? E të tjera si këto, pikërisht këto dhe gjithë reagimet tuaja në rrjetet (a)sociale ju kanë “zhveshur”dhe i gjithë karakteri juaj, dëshirat tuaja, janë në dorë të reklamuesve dhe tashmë dhe propaganduesve politik.

E gjithë kjo çështje me privatësinë, intimitetin dhe politikën doli në sipërfaqe para disa muajsh kur në median botërore filloi të qarkullojë emri i kompanisë Cambridge Analytica. Kompania e konsulencës u përmend se kishte influencuar votuesit pro Presidentit Trump, apo dhe pro Brexit. Që pastaj vetëm para pak ditësh të njoftohet se kompania në fakt kishte ndikime të mëdha në procese zgjedhore në më shumë vende të botës. Nëse hyn në faqen e internetit, slogani i kësaj kompanie thotë: Të dhënat janë shtysë për gjithçka që ne bëjmë (Data drives all that we do). Dhe po gjithçka ka të bëjë me informacione që shkojnë deri te brekët e secilit dhe më shumë.

Ajo që bën kompania britanike e konsulencës, ose përshkrimi i punës së saj nënkupton kombinimin nga gërmimi i të dhënave (proces që do të thotë gjetjen e veprimeve rutinë në sasi të mëdha informacionesh), shitblerjen e të dhënave nga kompani të ndryshme dhe analizën e të dhënave. E gjitha kjo me komunikime strategjike për qëllime elektorale. Ose në përkthim, përpunim i të dhënave dhe përhapje të mesazheve për manipulime zgjedhore.

Para se të kaloj në shtjellimin e çështjes se pse kjo është e rëndësishme për ne, për TY, ajo që dihet deri më tani është se kompania britanike ka përdorë 50 milion profile nga Facebook-u pa leje për të ndërtuar sistem i cili shënjestronte votuesit amerikan me mesazhe të personalizuara politike të bazuara në profilin e tyre psikologjik. Pra, edhe një herë, për secilin prej nesh mund të ndërtohet profil psikologjik, bazuar nga preferencat dhe reagimet tona në Facebook dhe pas kësaj mesazhet politike ndërtohen për secilin prej nesh veç e veç. Që tmerri të jetë më i madh, punonjësit si dhe drejtori tani më i pezulluar i Cambridge Analytica, Alexander Nix, janë filmuar ku pranojnë se kanë krijuar skandale seksuale, lajme të rrejshme dhe truqe të padrejta për kundërshtarët politik të klientëve të tyre, për të arritur rezultatet zgjedhore në favor të klientëve të tyre.

Facebook-u në këtë skandal është përfshirë sepse ka pasur paralajmërime se të dhënat që ka për secilin prej nesh mund të keqpërdoren nga kompania që është në qendër të skandalit, por e ka bllokuar atë vetëm muajin që shkoi. Si rrjedhojë edhe Facebook po hetohet kurse aksionet e tij janë në rënie të lirë.

E tani, si lidhet e gjithë kjo me ne? E para fare është se në Veles, ka disa të rinj që prodhojnë lajme të rrejshme dhe i publikojnë ato në faqe interneti me emra të ngjashme të mediave me relevancë. Lajmet shkruhen me stil dhe strukturë profesionale, por përmbajtja dhe faktet nuk janë të vërteta. Në këtë mënyrë, ashtu siç përshkruhet edhe me skandalin e Cambridge Analytica, përdoren rrjetet sociale për të përhapur këto lajme me qëllim që të ndikohet elektorati. Që tmerri Facebook-ian të jetë edhe më i madh, dihet tashmë se kompania britanike ka bashkëpunuar edhe me një organizatë nga Maqedonia, e cila nga ana e saj ka marrë pjesë në fushata elektorale. Për korrektësi, sepse ende nuk ka informacione nëse kjo kompani këtu te ne, ka përdorë metoda të ngjashme si Cambridge Analytica, nuk po e përmend më emër, por gjithsesi dyshimet janë të mëdha se manipulimet e pista teknologjike mund të kenë qenë opsion nga kush do.

Por, ajo që mund të them me siguri, duke ndjekur rastin personal, është se në një moment të tentimit të zhvlerësimit të imazhit tim, dolën një sërë lajmesh të rreme, me deklarata të pathëna nga ana ime me kontekst fetar, të cilat përhapeshin në rrjetet sociale nga faqe dhe profile në gjuhën shqipe që kishin emra të ngjashëm me emisione ose medie që ta bëjnë mashtrimin sa më të besueshëm. Një përvojë të tillë ndër të tjerë, kaloi edhe Anita Latifi, influensuesja e njohur në rrjetet sociale, apo dhe politikanë të ndryshëm. Këto raste tregojnë se keqdashësit, (që nga një hetim i vogël personal lidhen indirekt me struktura aktuale politike) që duan të kenë përftime politike mund të përdorin metoda nga më ndryshme me teknologji për të arritur fitore zgjedhore, por që nuk janë të drejta. Tek ne ende nuk ka rregulla të qarta për këtë fushë, nuk dihen se cilat kompani mund të kenë të dhëna që janë vjelë nga mbjelljet e pëlqimeve dhe komenteve që kemi lënë në rrjetet sociale. Kjo formë e re e propagandës së sofistikuar me teknologji, mbase as nuk kuptohet nga një pjesë e madhe e popullsisë, por efektet e saj duken se janë të tmerrshme.

Nga hetimet paraprake me kompaninë Cambridge Analytica, del se ajo mund të ketë ndikuar me pa të drejtë dhe duke rrëmbyer konceptin e demokracisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe gjatë referendumit për largimin e Britanisë së Madhe nga BE. Pavarësisht se ç’do të nxjerrin hetimet, një gjë është e sigurt, të dhënat dhe përpunimi i tyre me algoritme e sisteme mund të sjellin një tjetër propagandë, e cila mund të përdoret nga struktura politike që me hile të vinë në pushtet. Është e qartë tashmë se këto të dhëna përdoren për arsye komerciale, dhe këtë mund ta vini re, ku në profilin tuaj, shfaqen reklama të ndryshme nga të afërmit tuaj, sepse reklamuesit ju targetojnë sipas preferencave. Tashmë është evidente se kjo do të bëhet edhe për qëllime politike, proces ndaj të cilit ende nuk jemi shumë imun. Pas skandalit me Cambridge Analytica që përfshin shumë vende në gjithë botën, një eksperte e teknologjisë sugjeronte se bota digjitale ka hyrë aq thellë në intimitetin tonë, sa në disa raste mund të jetë dhe i vonë reagimi. Megjithatë porosia e saj ishte: Mbylleni profilin në Facebook! Por, a e bëni dot?

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)