Facebook na vëzhgon gjithçka

Vetë Mark Zuckerberg tregohet i kujdesshëm që të mos përgjohet dhe vëzhgohet nga askush, por krijesa e tij, Facebook përgjon (thuajse) gjithçka ne bëjmë kur hapim profilin tonë në të. Hang Do Thi Duc dhe Regina Flores Mir kanë ndërtuar shtojcën (extension) “Data Selfie” që i bashkangjitet shfletuesit (broëser) Google Chrome dhe përmes tij arrijnë që të dokumentojnë se çfarë të dhënash ruan Facebook. Shtojca aktivizohet menjëherë sapo hapet faqja Facebook dhe përllogarit kohën që harxhohet në çdo profil apo “Fan Page”. Veç kohës, gjurmohen edhe “Pëlqimet” (Like), komentet dhe çdo veprim tjetër që kryhet qoftë nga kompjuteri, qoftë nga një telefon inteligjent. Këto janë opsionet ekstra të “Data Selfie”. Baza e kësaj shtojce që mundëson vëzhgimin e vëzhguesit, pra të Facebook është sektori i quajtur “Predictions” (Parashikimet). Pikërisht në këtë sektor analizohen algoritmat e rrjetit sociale, mënyra si funksionojnë dhe si ndërtojnë një profil jo vetëm psikologjik, por edhe demografik të përdoruesit. Në fund, rezultati është tronditës (për ata që ndoshta nuk e dinin). Facebook praktikisht ruan në serverat e tij çdo veprim tonin në të, pavarësisht preferencave të privatësisë që zgjedhim ne. Ky ishte edhe rezultati i eksperimentuar nga “Data Selfie”, e që vetë Facebook e ka pranuar me gjysmë zëri. Mark Zuckerberg ka pranuar se kjo ndodh, por jo për të përgjuar, por për t’u mundësuar përdoruesve një përvojë sa më të kendshmë në rrjetin social e për t’u ofruar atyre shërbimet që i përqasen sipas atyre që ata vizitojnë dhe klikojnë në platformë.