Shkup, 14 janar – Gjasat reale nga Ballkani Perëndimor të marrin anëtarësim të barabartë në BE janë reduktuar në minimum. Alternativa e re-e vjetër e cila ofrohet është anëtarësimi në Zonën ekonomike evropiane, shkruan gazeta gjermane FAC.
Frankfurter algemajne cajtung në analizën e sotme kumtoi se askush tashmë realisht nuk beson se zgjerimi i BE-së do të vazhdojë me gjashtë vendet nga Ballkani Perëndimor, apo madje edhe me vetëm ndonjërën prej tyre, në dekadën e ardhshme, Shkruan se në sipërfaqe del alternativa e vjetër – anëtarësim në Zonën ekonomike evropiane.
“Tashmë me 27 vendet-anëtare aktuale, në raport me çështjet e politikës së jashtme, buxhetore dhe çështjeve të tjera të cilat kërkon unanimitet, BE-ja shpesh herë është në vështirësi, ndërkaq ndonjëherë edhe fare nuk është e aftë të veprojë. Në një Union me 33 anëtare kjo do të jetë akoma më vështirë. Mund ta paramendoni se çka do të thotë kur Serbia si anëtare do të ketë të drejtë vetoje rreth çështjeve për raportet e BE-së me Rusinë”, shkruan FAC.
Sipas gazetës gjermane, BE-ja nuk dëshiron tërësisht të ndahet nga fqinjësia ballkanike, ndërsa përmes Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim tashmë u ofroi vendeve nga rajoni ndërmjet-shkallë drejt anëtarësimit të barabartë.
“Receta, e cila çdoherë përmendet rishtazi, thotë: Anëtarësim i barabartë i shteteve ballkanike në Tregun e vetëm evropian. Me fjalë të tjera: pjesëmarrje e plotë ekonomike pa të drejtë të fjalës politike”, thekson FAC.
Për këtë koncept (i cili për herë të parë u ekspozua nga Gerald Knaus pas vetos franceze në tetor të vitit 2019, v.j.), përkujtojnë nga gazeta, ndërkohë angazhohet edhe eurodeputeti shumëvjeçar gjerman dhe anëtar i kryesisë në CDU-në në pushtet të kancelares Angela Merkel, Elmar Brok.
“Madje edhe sikur ndonjë vendi ballkanik t’i shkojë për dore t’i mbyllë negociatat në pajtim me kërkesat e BE-së, ratifikimi i anëtarësimit në Parlamentin evropian dhe në parlamentet nacionale është pak i besueshëm. Është për pritje se çdoherë rishtazi disa vende të caktuara anëtare do të gjejnë shkaqe për shtyrje”, thotë Brok, kumtoi FAC dhe shton se ai propozon zgjidhje e cila njerëzve nga rajoni do t’u sjellë fitime të konsiderueshme, ndërkaq në të njejtën kohë do të pranohet edhe nga anëtaret e BE-së. Ajo zgjidhje e provuar, sipas tij, është “anëtarësimi në Zonën ekonomike evropiane, ZEE”.
Sipas eurodeputetit Elmar Brok, zgjidhja më e mirë për Ballkanin Perëndimor është anëtarësimi në ZEE.
“Anëtaret e ZEE-së kanë qasje të plotë drejt tregut evropian me të gjitha të drejtat dhe obligimet, dhe për to vlen e drejta e BE-së. “Por, ato nuk janë anëtare të institucioneve të BE-së. Kjo funksionon me Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin, në kënaqësi të ndërsjelltë në ZEE si një lloj i “stacionit bazë”. Duke e pasur parasysh se për hyrje në ZEE nevojitet përmbushje e rreth 70 për qind të kritereve për anëtarësim të barabartë, nënvizon, rruga nuk është e largët.
Brok, siç kumtoi gazeta gjermane, i hedhë poshtë vërejtjet nga Ballkani se po punohet për “anëtarësim të klasës së dytë”.
“Edhe pse idetë të cilat i reklamon Brok po sillen me vite, nuk mund të thuhet se ato marrin hov në diskurs publik të shteteve ballkanike. Atje, në në masë më të vogël “proevropianë” akoma shikojnë vetëm drejt anëtarësimit të barabartë. BE-ja, së paku përmes qëndrimeve të komisarit të vet për zgjerim, Oliver Varheji, ende e mbështetë këtë perceptim me pohimin se anëtarësimi i barabartë është ofertë reale të cilën vendet-kandidate mund ta arrijnë me forcat e veta”, shkruan FAC.