Tani kur Marrëveshja u arrit dhe u ratifikua në Parlament, po gjenden sërish arsye e motive për ta kontestuar atë. Zakonisht në këto raste gjithmonë do të gjenden njerëz që do të gjejnë anë të dobëta të çfarëdo lloj marrëveshjeje dhe anë të tilla të dobëta ka edhe Marrëveshja e Prespës
Nga Emin AZEMI
Kur shqiptarët ankoheshin në të kaluarën se statusi “qytetar” si kategori kushtetuese nuk i bën gjithaq të lumtur, kishte reagime të furishme që kundërshtonin këtë mospajtim, duke thënë se të jesh “qytetar” në një shtet nuk është ndonjë hendikep, përderisa ky status nuk rrezikon homogjentitetin dhe unitaritetin e shtetit, ndërkohë që statusi i “popullit shteformues” ishte i rezervuar ekskluzivisht vetëm për maqedonasit. Tani kur Shkupi dhe Athina kanë nënshkruar një Marrëveshje që rregullon marrëdhëniet reciproke dhe flak të gjitha dubiozat rreth emërtimit të shtetit, janë zgjuar shpirtrat kundër kësaj Marrëveshjeje, duke e cilësuar atë “asimetrike”, që mohon atributin etnik të maqedonasve dhe që legjitimon shkëputjen e kontinuitetit të shtetësisë. Koncepti “qytetar” nuk po iu pëlqen tani atyre që dikur ua zinin për të madhe shqiptarëve se pse nuk po ndjehen mire në “këmishën” e këtij statusi. Tani po del se të jesh “qytetar” nuk qenka shumë lezet.
Kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës vetëm tani po arrijnë ta kuptojnë sikletin e shqiptarëve, por këtë nuk e thuan haptazi. Ata, tani po japin leksione falas nga fusha e së drejtës, duke na bindur se shteti që deri dje quhej Maqedoni ka humbur brenda vetes shtyllën bartëse të sovranitetit (“populli maqedonas”), dhe pa këtë shtyllë, shteti me emrin e ri nuk ka gjasa të qëndrojë në këmbë. Kjo lagje mendimtarësh edhe në të kaluarën ishin munduar të na bindin se maqedonasit e sotëm kanë histori mijëravjeçare, me Aleksandrin e Madh si birin më të madh që ka nxjerrë ky popull. Të gjithë ata që merrnin mundin të sqaronin shkencërisht se ky popull që vetes i thotë maqedonas janë sllavë, të ardhur pas shek. të 6-të, të e. së re, se gjuha dhe gramatika e këtij populli ishin kodifikuar tek pas Luftës së Dytë Botërore, me ASNOM-in si “amza” që kishte prodhuar të gjitha derivatet e shtetësisë së këtij populli, kualifikoheshin si njerëz me epitete më negative. Ende nuk e kemi të qartë se pse ishte fyerje të quheshe “sllavo-maqedon”, ndërkohë që mekanizmi i shndërrimit të historisë në legjenda dhe mite, po punonte me të madhe në shpëlarjen kolektive të trurit. Po të vazhdonte edhe më tej kjo shpërlarje, gjeneratat e ardhshme do ta kenë patur vështirë ta kuptojnë se si ndodhi që një popull sllav të mos përdor në komunikimin e përditshëm asnjë fjalë nga fjalori i vjetër i gjuhëve antike. Si ndodhi që në njërën anë propagohej antikiteti, kurse në anën tjetër nuk kishte kurrfarë kontinuiteti etnik, arkeologjik, gjuhësor në relacionin antikë – kohë modern që do të dëshmonte se këta maqedonasit e sotëm janë pasardhës direkt të maqedonasve antikë.
Lajthitja që lidhet me gjeografinë, duke e huazuar nocionin “Maqedoni” si tapi e një populli që nuk kishte kurrfarë lidhje me antikën, u mundua të na shitet si program nacional e shtetëror që dote duhej të shërbente si platformë për të zgjidhur kontestet e brendshme dhe të jashtme. Me këto iluzione qëndroi shumë vite në pushtet Gruevski dhe ishte pikërisht fryma e këtij programi nacional-shtetëror ai që shembi të gjitha urat e bashkëpunimit me faktorët ndërkombëtar për tejkalimin e kontesti me Greqinë.
Tani kur Marrëveshja u arrit dhe u ratifikua në Parlament, po gjenden sërish arsye e motive për ta kontestuar atë. Zakonisht në këto raste gjithmonë do të gjenden njerëz që do të gjejnë anë të dobëta të çfarëdo lloj marrëveshjeje dhe anë të tilla të dobëta ka edhe Marrëveshja e Prespës. Por, shpirtngushtësia për të pa efektet pozitive të kësaj Marrëveshjeje historike nuk po i lejon kundërshtarët të nxjerrin konkluzionin logjik: E ardhmja e Maqedonisë do të ishte më e mirë pa këtë Marrëveshje, apo e kundërta, të gjithë ventilat që mbanin të mbërthyer energjitë e brendshme, tani me këtë Marrëveshje do të hapen dhe do të përkthehen në një kreativitet bashkëpunues me botën, që ndryshe i bie që Maqedonia e Veriut, bashkë me qytetarët e saj, me gjuhët e saj dhe me traditat e saj, bëhet pjesë e një familjeje më të madhe europiane, ku vlerat e përbashkëta, e jo pallavrat mitologjike, shkruajnë fabulën e një rrëfimi të ri bashkëveprues e bashkërendues. (koha.mk)