“Deputetët konservatorë britanik kanë kërkuar një votë mosbesimi ndaj Theresa May”. “Sipas rregullave të partisë, një gjë e tillë nxitet nëse 15% e deputetëve konservativ i shkruajnë kryetarit të komitetit të mbështetësve të partisë konservative”. E Imagjinoni një gjë këtu? Një proces kaq transparent dhe normal? Ku lideri do të sfidohej, ku do të vihej para përgjegjësisë?
Nga Nazim RASHIDI
Të mbërthyer me zhvillimet brenda apo dhe ato rreth nesh, mbesim disa herë të mjegulluar dhe nuk shohim se çfarë ngjet më larg. Por, nga raste e zhvillime të tjera dhe mund të mësojmë. Dhe kështu, ndërkohë që fokusi ka qenë tek rastet gjyqësore në Maqedoni për “27 prillin”, për keqqeverisjen, për zyrtarët e pushtetit të kaluar, pastaj për protestat në Tiranë, për studentët, (për të cilët do flas edhe më poshtë) ndodhi dhe mundësia e ikjes së kryeministres britanike Theresa May si lidere.
Por do thoni ju, pse i duhet kushtuar vëmendje këtij zhvillimi? Pse duhet parë se çfarë ndodh në Londër, kur ka aq shumë ngjarje këtu? Për të mësuar. Për të mësuar e parë se si funksionon demokracia dhe më shumë, se si duket demokracia e brendshme partiake. Për të parë e mësuar se si parti nuk do të thotë që një njeri apo dhe një grup njerëzish, mund të vendosin për çdo gjë.
Lajmi i dhënë, në mënyrë të befasueshme ishte ky: “Deputetët konservatorë britanik kanë kërkuar një votë mosbesimi ndaj Theresa May”. “Sipas rregullave të partisë, një gjë e tillë nxitet nëse 15% e deputetëve konservativ i shkruajnë kryetarit të komitetit të mbështetësve të partisë konservative”. “Votat do të numërohen dhe menjëherë pas kësaj një njoftim do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”.
Gjithë kjo ka të bëjë me demokracinë e brendshme. Kjo është e gjithë çështja. Logjika dhe kultura se nuk mund të ketë të paprekshëm e të pa sfidueshëm. Kryeministrja May është kryeministre që pak kohë pasi Britania e Madhe votoi për të lënë Bashkimin Evropian në 2016, u përballë me kritika, sidomos në partinë e saj për planin e Brexit që ajo ka negociuar me Bashkimin Evropian.
Duhej që Parlamenti të votonte për këtë plan, por si duket – nga frika se ligjvënësi britanik nuk do të votonte planin, ajo shtyu votimin. Kjo bëri që partia menjëherë të kërkojë votëbesim.
Pa hyrë shumë në detaje se nëse kanë apo nuk kanë të drejtë rreth qëndrimeve të tyre, ose a është ose nuk është mirë Britania e Madhe të dalë nga BE, çështja është se për shkak të mospajtimit, lideri vihet në dyshim. Në një proces të paraparë sipas rregullave të partisë.
E tani. E Imagjinoni një gjë këtu? Një proces kaq transparent dhe normal? Ku lideri do të sfidohej, ku do të vihej para përgjegjësisë? Politika jonë ishte dhe është përplot sfida, por assesi të dalin sfidues të brendshëm e të krijojnë një proces reflektimi. Një debat e diskutim, por të bazuar në fakte, qëndrime nëpërmjet institucionit të rëndësishëm të politikës: fjalimit.
Të ketë një transparencë, një përplasje qëndrimesh që nuk do ishin personale. Pa vulgaritet e denigrime, por një betejë vizionesh për të ardhmen. Dhe pse jo, në fund të fundit – edhe një tërheqje apo dhe një ngadhënjim në momentin kur ky vizion dështon ose mbështetet.
Ndërkohë që shkruaj këtë tekst, ende nuk dihet fati i Theresa May nga bashkëpartiakët e saj. Nesër kur do të lexoni këto rreshta, do të jetë e qartë nëse do të ketë vazhduar ose jo të jetë lidere e partisë së saj.
Por ajo që do jetë e qartë nesër, është se asnjë prej politikanëve tanë nuk do jetë tërhequr, e as nuk do të ketë bërë një reflektim të thellë. Ajo që mbase do të reflektohet është frika se mos humbet pushteti.
Fokusi i opinionit më të gjerë shqiptarë ishte tek protestat e studentëve në Tiranë. Kërkesa të pastra dhe jetike. Madje, dhe kërkesa të një brezi që është rritur me idenë se politika mund të bëjë gjithçka, ide të cilën e sfidon seriozisht. Por çështja është a sfidohen dot liderët dhe udhëheqësit? Protesta kishte dhe në Francë. Vështirë të tërhiqen paralele, por problemet duken të ngjashme kur kemi elitat në një anë dhe shtresën e mesme dhe të varfrit në tjetrën. Çështja është se sa realisht futen nën flluskën e tyre politikanët kur kanë pushtet dhe nuk shohin dot realitetin?
Presidenti Macron tha hapur se mban përgjegjësi për pjesën e tij të veprimeve. Tha gjithashtu se e dinte që mund të kishte lënduar njerëzit me fjalët e tij. Kritikët thonë nuk është se ishte shumë bindës, por mbajti përgjegjësi. Po liderët tanë këtu rreth nesh dhe pranë nesh? E bëjnë dot këtë gjë?
Edi Rama me gjasë po sfidohet seriozisht. Pak gjasë nga partia e tij. Të paktën ende. Por ajo që dua të theksoj është se rastet e tilla, duhet të na mësojnë. Se të pushtetshmit në mos tjetër, duhet të tunden e të shkunden që të rikthehen në realitet. Në të kundërtën, si në rastin e Britanisë, nuk do të ketë veç “Brexit”, por dhe “Exit”. Aq shumë i padëshiruar!
Protestat e studentëve, në mos për gjë tjetër, duhen parë me sy pozitiv se japin leksionet tona për demokracinë. Në shoqëri të vogla si tonat, ku gjithçka është lehtësisht e kapur, nga njohësit, miqësitë, familjarët, interesat është vështirë të synosh mbase rregulla.
Duam ose nuk duam, realiteti është i tillë ku secili tenton të kryej një punë me njohësi, të fitojë në nder me miqësi. Por kur ky rreth mbetet i vogël dhe kur ende më keq, kur ky rreth i vogël veç pasurohet e të tjerët paguajnë çmimin, tundja e shkundja do të ndodhë.
E kam përsëritur disa herë në disa biseda, dhe gati-gati tani mendoj se këta të pushtetshmit tanë, do të duhet me ligj të kenë pranë vetes kundërshtarë që t’i detyrojnë të dalin nga mjegulla që pushteti ndonjëherë ju krijon. Ndryshe, pas çdo lëkundjeje, sërish do ketë rikthim në të njëjtat shina. Shina të cilat assesi të na çojnë atje ku duhet. Por këtu një gjë duhet pasur parasysh: kritikat dhe përplasjet nuk duhet të sjellin rënie të proceseve, por ngritje të tyre.
Është fakt se rrejtët sociale dhe bota digjitale, por krijon shpesh iluzione të rreme. Rreziku në këtë rast është vetëm një – që nga një proces që duhet të jetë shpëtimi, mos të kalohet në dëshpërim. Mundësia që secili të evidentohet dhe sa më agresiv e vulgar, aq më shumë bie në sy. Por sa më shumë bie në sy, nuk do të thotë se është më mirë. Kujdesi duhet të jetë nga të gjitha anët. Një tundje e shkundje për pushtetin, por dhe një tundje dhe shkundje për aspirantët. Sfidat janë të mëdha dhe vend për injorantë dhe arrogantë s’ka. Exit s’duhet të ketë veç nga momenti, por nga e gjithë kultura e mendësia që frenon zhvillimin. E atyre që janë dhe atyre që e duan pushtetin.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)