Shkup, 12 janar – Karriera futbollistike e njërit prej futbollistëve më të mirë shqiptar Ezgjan Alioski nisi në kampionatin zviceran. Ai në moshën e tij të re u bë pjesë e ekipit të të rinjve të Jang Bojs, duke kaluar më pas për tri vite te një tjetër skuadre zviceran Shafhausen. Një vit luajti veshi edhe fanellën e Luganos, ku me lojërat e tij të mira te treguar për këtë ekip bëri që në vitin 2017 të transferohet në kampionatin anglez atë të Shampionship te Lids Junadet. Alioski me skuadrën e Lids nga ky sezon është bërë pjesë e bërë pjesë e Premier Ligës, ndërsa është futbollistë i rregullt në formacionin e trajnerit argjentinas Marselo Bielsa. Futbollisti shqiptarë është edhe pjesë e reprezentacioni të Maqedonisë më të cilët ka arritur suksesin më të madh në karrierë duke u kualifikuar në kampionatin Evropian.
Alioski ka zgjedhur gazetën KOHA për të shpalosur suksesin e tij me ekipin anglez si dhe për sukseset me përfaqësuesen e Maqedonisë.
Intervistoi: Fisnik NUHIU
KOHA: Ezgjan, tanimë e ke bërë “sefte” ke shënuar golin e parë me Lids Junajted! Do shohim edhe më shumë gola në vitin 2021 në Ligën angleze?
ALIOSKI: Ndjenjë e bukur të realizoj në Premier Ligë dhe besoj se këtë sezon do e bëj një gjë të tillë më shpesh. Pak kohë pas golit tim të parë në Premier League në ndeshjen ndaj Njukasëll Junajted, kam gjetur edhe të dytin në sfidën me Uest Bromouiç Albion. Gjithmonë është bukur të shënosh, por më me rëndësi të ndihmosh ekipin të arrijë objektivat.
KOHA: Keni paralajmëruar se së paku edhe vitin 2021 do të jeni në Lids, sepse keni një kontratë të nënshkruar! Do të thotë kjo se planifikoni për një fanellë tjetër?
ALIOSKI: Po shijoi maksimum sezonin e parë në Premier Ligë dhe ky ishte një synim i madh për mua që fatmirësisht arrita ta realizoj. Kënaqem në çdo minutë të kaluar në terren dhe pengu i vetëm më mbetet që pandemia pamundëson të luajmë para spektatorëve unik në Angli. Me çështjen e kontratës merren menaxherët, nuk preokupohem me gjëra të tilla unë. Fokusi im është të jap më të mirën në terren, ndërsa gjërat tjera besoj se rregullohen në kohën e vet.
KOHA: Ky vit ka qenë i suksesshëm për JU. Po ashtu edhe kombëtarja e Maqedonisë arriti të kualifikohet në Kampionatin Evropian. Çfarë pret nga kombëtarja?
ALIOSKI: Vitin e kaluar kam thënë disa herë se kisha vendosur para vetes dy objektiva të mëdha, të inkuadrohesha me Lids në Premier Ligë dhe me Maqedoninë të kualifikohemi në Kampionatin Evropian. Është diçka shumë e veçantë dhe fantastike që këto dy qëllime të mëdha u realizuan dhe vërtet jam krenar për këtë. Tash shikojmë përpara për tjera synime dhe Evropiani besoj se do të jetë mundësi unike për të treguar se ne me meritë jemi pjesë e më të mirëve në kontinent.
KOHA: Kur jemi te Maqedoni, keni qenë disa herë cak i sulmeve verbal vetëm pse jeni shqiptar! Ka ndryshuar kjo qasje ndaj jush dhe futbollistëve shqiptar?
ALIOSKI: Nëse i referoheni rastit në Prilep, është diçka që e kam sqaruar dhe nuk dua të kthehem prapa të flas për të, por gjithsesi se më dha një mësim se sado që të ketë njerëz negativ, ka shumë të tjerë që të respektojnë dhe unë këtë e kam ndjerë pas atij incidenti kur në mbështetje më dolën edhe krerët e shtetit. Ndërkohë në përfaqësuese nuk ka gjëra të tilla, ne frymojmë si një familje dhe suksesi nuk është rastësi. Federata ka ecur shumë para, presidenti dhe bashkëpunëtorët punojnë për të ecur në rrugë profesionale dhe ne jemi të lumtur që në terren sjellim suksese për të plotësuar punën e mirë që bëhet.
KOHA:Si ndjeheni kur luani me fanellën e Maqedonisë, kundër Kosovës dhe Shqipërisë? A i kurseni?
ALIOSKI: Ne jemi profesionistë dhe në terren gjithmonë kërkojmë më të mirën. Jemi vëllezër jashtë fushës, kam shumë miq si te Shqipëria ashtu edhe te Kosova, ashtu si kam te Zvicra apo Gjermania dhe ne edhe shoqërohemi bashkë. Por në fushë bëjmë punën tonë dhe e kemi shumë të qartë se kjo është vetëm një garë ku secili kërkon fitoren.
KOHA: Ezgjan, keni ndjerë fushën e blertë në Itali dhe Zvicër, tash jeni në terren anglez. Si është ndjenja të luash në kampionat anglez? Apo thënë ndryshe çfarë e dallon futbollin anglez me atë italian?
ALIOSKI: Mund te them nga përvoja se futbolli britanik është një magji në vete. Kam pasur fatin ta shijoj magjinë e këtij spektakli që krijojnë tifozët në Shampionship dhe e thash më lartë se më vjen keq se pandemia na ka penalizuar dhe momentalisht luajmë me kufizime. Gjithandej ka cilësi e spektakël, por Anglia është diçka vërtet e veçantë në çdo pikëpamje. Stili i infrastrukturës së stadiumeve, lidhja e tifozëve me klubet e tyre, publiciteti, të drejtat televizive dhe marketingu që i bëhet gjithë kësaj është thjesht unik.
KOHA: Xhani, kur jemi te ndjenjat! Kombëtarja e Maqedonisë në kualifikimet për Botëror është me një grup me Gjermaninë. Çfarë pret në këtë drejtim?
ALIOSKI: Personalisht e cilësoj një grup shumë të mirë dhe duke respektuar të gjithë besoj se edhe ne do të kemi shanset tona. Gjermania është forcë botërore dhe do të jetë sfiduese do të jetë të ndeshemi me ta. Përfaqësueset tjera kanë cilësi, por realisht duhet të besojmë se mund të bartemi me secilin, pa nënçmuar as Lihtenshajnin që kushtimisht thënë është përfaqësuesja më modeste në grup.