Më shumë se 26 milionë fëmijë dhe adoleshentë në Evropë kërcënohen nga varfëria ose izolimi social. Një nga pasojat më të rënda të kësaj gjendjeje është mungesa e arsimimit, që prek 1 adoleshent evropian në 5, të cilit i mohohet mundësia për të ndërtuar një të ardhme të pasur me mundësi dhe shanse. Të dhënat janë publikuar në raportin me temë “Mposhtja e varfërisë arsimore deri në fëmijën e fundit”, i hartuar nga organizata “Save the Children”. Sipas raportit, i prezantuar këtë të premte, kuota mesatare e të miturve që preken nga ky fenomen në nivel evropian është 28 për qind. Ndërsa ndër vendet me përqindjen më të lartë të fëmijëve që i përkasin kësaj kategorie në Evropë rezulton Italia, me 32 për qind. Në vlerësimin e hartuesve të dokumentit, arsimi i mohuar përbën një nga aspektet më shkatërrues të varfërisë fëmijërore.