Ne më duhet të sillemi si në Evropë. Ajo Evropa e shkretë nuk do vijë vetë e duke na ndryshuar si me çip mendësinë. Evropa vjen duke bërë edhe më të voglën gjë, mos të hedhim mbeturina në rrugë. Pastaj bashkë do bërtasim që autoritetet të merren me pastrimin siç duhet e deri tek drejtimi i institucioneve edhe më të larta
Nga Nazim RASHIDI
Janë plot humor por dhe njëkohësisht tejet thumbuese një sërë reagimesh, batuta apo dhe barcaleta, krijime të shkurtra dhe plot kuptim që shfaqen e pastaj përhapen në rrjetet sociale. Me bien në sy shpesh, të cilat për veç se ta vënë buzën në gaz shprehin dhe përplot ironi, të vërtetë e reale, për realitetin tonë sidomos ndaj Evropës. Marrin edhe më shumë kuptim këto thumba, që vinë në formë të një folklori modern, sepse mu tani Maqedonia flet shumë për Evropën, integrimet për shkak të referendumit për emrin që do të mbahet në fund të shtatorit.
Nuk ka njeri që se ka gojën plot Evropë por nga ana tjetër jo dhe veprimet.
Dhe po, nuk kam takuar njeri që nuk do të “shkojë” në Evropë edhe figurativisht por edhe fizikisht, por nga ana tjetër, disi mbetemi në vend. Kjo për shkak se institucionet ngecin në reformimin e tyre por edhe për shkak të vetë njerëzve që se bëjnë dot ndryshimin që të sillen evropiançe, edhe pse gojën plot Evropë edhe ata e kanë.
Lëvizja nëpër rrugë në këmbë e veturë, gjatë verës është më dinamike. Ka përplot të ardhur, turisë apo dhe mërgimtarë. Dhe kur do të marrësh pak ajër, sidomos kur je me veturë dhe hap dritaren e nxjerr kokën jashtë, atë që sheh, është plehra. Gjësende të hedhura, mbeturina produktesh, etj dhe të gjitha këto nga vetë njerëzit.
Të sqarohem. Më duket skandaloze që qytetet tona, e sidomos disa pamje që qarkullonin me mbeturina të pa mbledhura nga ndërmarrjet që duhet ta bëjnë atë punë. Më duket e pa shpjegueshme letargjia e drejtuesve të komunave që pas zgjedhjeve u rehatuan sa gjerë e gjatë, e nuk merren me përmirësimin e veprimeve elementare, siç është pa pastërtia. Më duket e pafalshme që pranë rrugësh, mes ndërtesash dhe shtëpive, të kundërmojë erë e rëndë dhe mbeturinat të rrinë aty me ditë.
Por ama më duket edhe e pa falshme kur ne, njerëzit, pa pikë kujdesi e bëjmë edhe këtë vetë.
E bëra gjithë këtë parantezë, sepse në një moment me gojë plot Evropë, kurse me rrugët plot mbeturina, kontribuuesit e kësaj pamje s’janë vetëm institucionet.
Një makinë para meje, hapi dritaren dhe hodhi shishen pa pikë kujdesi.
Shishja, e plastikës, ra në xhamin tim. Shoferi e pa skenën dhe u ndal. U ndala dhe unë.
Sigurisht më kërkoi falje. Por kjo nuk për mua nuk kishte më rëndësi. Zemërimi më i madh erdhi kur kuptova, se shishen e kishte hedhur bashkudhëtari, të cilit shoferi i zemëruar dhe turpërua i tha: “Po atje në Evropë do e kishe hedhur shishen nga dritarja?”.
Në fakt nuk do ta kishte hedhur.
Dhe mbase jemi peng i një rrethi vicioz, ku nëse rrugët nuk janë të pastra, atëherë edhe ne, sillemi me kujdes. Dhe kur janë plot plehra, atëherë s’na bën përshtypje nëse do ketë një shishe më pak apo më shumë.
Por kjo duhet të ndalojë. Mendoj, se aq sa mundet të ketë një reflektim personal. Ejjj, se ja hymë në Evropë, si do sillemi pastaj?
Miti që sjell Evropa, për të cilin të gjithë kontribuojmë, në fakt nuk do sjellë ndryshime brenda nesh. Këtë ndryshim të një sjellje evropiane duhet ta bëjë secili vetë. Mbeturinat në rrugë, papastërtia janë gjëja më banale e mundshme, por megjithatë është dhe treguesi i sjelljes të secilit prej nesh dhe së bashku si shoqëri për norma dhe sjellje të cilat i duam prej tjerëve dhe nuk i zbatojmë vetë, nëse ndodh kjo.
Kam dëgjuar dhe dëgjoj plot ankesa për njerëzit e zyrave dhe normale kur shkon të kryesh punë e nuk mbaron punë, bëhesh gjithë nerva. Shpjegimi është i thjeshtë: “këto gjëra në Evropë nuk ndodhin”.
Dhe e vërtetë. Administratat e të gjitha niveleve janë më efikase. Tani përdoret dhe teknologjia dhe mbase dhe s’ka nevojë as fizikisht të jesh prezent, për nxjerrje dokumentesh, pagesash etj.
Aq folën këta njerëzit e zyrave, sa edhe vetë, kush e di sa herë kam shkruar, folur e jam ankuar.
Por duke marrë shkas, nga rasti i shishes të hedhur e mbeturinave, që i bëjnë vetë njerëzit dhe janë plot ankesa për mospastrimin, po e bëj pyetjen edhe ndryshe: Po këta që ankohen, ne, unë, për njerëzit e zyrave, nëse ishte rasti i kundërt, a do e kishim kryer punën evropiançe?
Në fakt këtu qëndron e gjithë përgjigjja. Sa në fakt ne vetë, secili, në të gjitha punët që kryejmë, jemi të përpiktë, jemi korrekt dhe kemi përgjegjësinë ndaj punës e tjetrit kur jemi në pozita të kundërta.
Kam përshtypjen e s’jemi. Sepse e para gjë që të bën Evropian është përgjegjësia. Sidomos ndaj vetes, të tjerëve dhe vetë vendit.
Dhe e shkruaj gjithë këtë tekst, sepse ai i rikthyeri, cili do që ishte, në fakt as u turpërua e as kërkoi faljen për veprimin që bëri. Nuk u ndie keq as për njeriun e tij të afërt me të cilin udhëtoi për shkak se e vuri në pozitë të vështirë. Normal që të tilla ndjesish s’kishte as ndaj meje, por fatkeqësia ishte se u mjaftua me fjalinë: “po hë mo, se këtu kështu bëjnë të gjithë. Ja shikoni rrugën gjithë mbeturina!”.
Dhe edhe një të qeshur, u fut në makinë dhe shikonte telefonin.
Të vërteta mbase thoshte. Por nuk mund të mos reagojmë ndaj sjelljeve të tilla. Tonat e të të afërmve tanë.
Se ai nuk sillet kështu në Evropë. Po ai edhe s’ka rëndësi. Ne më duhet të sillemi si në Evropë. Ajo Evropa e shkretë nuk do vije vetë, e duke na ndryshuar si me çip mendësinë. Evropa vjen duke bërë edhe më të voglën gjë, mos të hedhim mbeturina në rrugë. Pastaj bashkë do bërtasim që autoritetet të merren me pastrimin siç duhet e deri tek drejtimi i institucioneve edhe më të larta.
Sjelljet e institucioneve i bëjnë njerëzit. E njerëzit jemi ne, të gjithë, që nga punëtori e deri tek ministri, që nga fëmijët e deri tek prindërit. Mendoj se ka ardhur koha, që Evropën dhe vlerat e saj, të thjeshta e filozofike të fillojmë t’i gjejmë e t’i zbatojmë një herë vetë.
Pjesa tjetër e rrugëtimit pastaj do jetë më e lehtë. Sepse mjafton vetëm një parim: mos ia hedh shishen tjetrit, nëse kjo nuk të pëlqen edhe ty. Ose mos bëj veprime që të mërzisin, që nga puna, përditshmëria e deri tek familja, që nuk do doje të tjerët të t’i bëjnë ty. Kaq e thjeshtë është, kur e fillon Evropën nga vetja.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)