Nga Fisnik PASHOLLI
Sllovenia në fund ë viteve 90-të proklamonte parullën “Evropa zdaj!”, ose në shqip “Evropa sot”. 15 vite kaluan deri në vitin 2004, kur shteti alpin iu bashkëngjit Bashkimit Evropian. Një slogan i tillë, në mënyrë legjitim mund të shfrytëzohet edhe në shumicën e shteteve të tranzicionit, që pretendojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Në Maqedoninë e sotme, parulla Evropa sot, pasqyron edhe dëshirën dhe vullnetin e shumicës së popullatës, që përmes integrimit euroatlantik në BE dhe NATO, të rregullojë shtetin konform standardeve më të larta evropiane. Thënë ndryshe, qytetarët presin që rruga evropiane t’u sjellë jo vetëm rritjen e pagave, por edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, si arsimi, shëndetësia, administrata publike e kështu me radhë.
Evropa sot në Maqedoni me një shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, nënkupton edhe ndreqjen e disa problemeve që nuk kërkojnë shumë para, por më shumë organizim, vullnet të mirë dhe planifikim nga nivelet më të ulëta deri te ato më të larta.
Evropa sot në Maqedoni nënkupton pastërtinë më të madhe publike, uljen në minimum të deponive të egra, ndërtimin e fabrikave për përpunimin e mbeturinave me partneritet privat-publik, që do të prodhojnë energji dhe do të zbusin dukshëm problemin me hedhjen e mbeturinave, kontroll më të rreptë për miliona e miliona litra, por dhe kilogramë mbeturina që hidhen anekand vendit …..
Evropa sot në Maqedoni nënkupton edhe ndërtimin e rrugës prej Tetove deri në Kodrën e Diellit për të mbështetur turizmin malor në Malin Sharr, zgjerimin e rrugës Mavrovë –Dibër që të vijnë më shumë turistë në Banjat e Dibrës apo më shumë peshkatarë të vijnë për peshkim në Liqenin e Dibrës, ndërtimin e Aeroportit Kargo në Shtip, që do të mundësojë që perimet e freskëta të udhëtojnë drejt Evropës, duke u shitur me çmime të volitshme…..
Evropa sot në Maqedoni nënkupton që nesër kur të fillojmë negociatat me BE-në, një kujdes të veçantë t’i kushtojmë mbrojtjes së interesave të bujqve, që nesër të mos i kapërdijë tregu evropian, siç u ndodh prodhuesit e qumështit në Kroaci.
Dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme, Evropa sot në Maqedoni nënkupton edhe pagat më të larta për arsimin dhe shëndetësinë, si bazament i zhvillimit dhe përkujdesjes së një shoqërie, si dhe nivelizimin e pagave në administratë, ku ai që ka më shumë ngarkesë dhe obligime do të paguhej më shumë dhe anasjelltas. (koha.mk)