Bashkimi Evropian refuzoi të përfshinte Shtetet e Bashkuara në listën e “shteteve të sigurta”, çka nënkupton se udhëtarët amerikanë nuk do të jenë të mirëpritur brenda bllokut evropian për një të ardhme të parashikueshme për shkak të shkallës së lartë të rasteve të amerikanëve me koronavirus
Për më shumë se shtatëdhjetë vjet, aleanca transatlantike ka shërbyer si themel i palëkundur i stabilitetit evropian dhe i vlerave të përbashkëta të rendit perëndimor të prirë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 2020, duket se marrëdhëniet po rishikohen në dy anët e Atlantikut. Në fillim të javës së kaluar, Bashkimi Evropian refuzoi të përfshinte Shtetet e Bashkuara në listën e “shteteve të sigurta”, çka nënkupton se udhëtarët amerikanë nuk do të jenë të mirëpritur brenda bllokut evropian për një të ardhme të parashikueshme për shkak të shkallës së lartë të rasteve të amerikanëve me koronavirus. Krejt ndryshe e paradoksalisht në këtë listë është Kina – vendi ku i ka rrënjët virusi – me marrëveshje që kërkojnë ujdi reciproke në rast ndryshimesh të gjendjes në terren.
“NDARJE” ME PËLQIM
Zyrtarët e Bashkimit Evropian ngulmojnë se ky vendim nuk kishte asnjë lidhje politike dhe se ishte bazuar kryekëput në të dhënat të shëndetësisë të lidhura me epidemiologjinë, me shpresë se kjo nuk do të ashpërsonte qëndrimin e presidentit amerikan, Donald Trump, i njohur për qëndrimet e tij të serta kundër Bashkimit Evropian në raste të ndryshme për tema të ndryshme. Sidoqoftë, të tjerët e pranojnë privatisht se Brukseli do të donte të kishte një qasje ndryshe në rast se nuk do të kishte përhapje të madhe të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët megjithatë, e pranojnë se ndryshe do të ishte puna nëse do të kishte një koordinim më të madh të shteteve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Në të kaluarën, e di se në situatë të ngjashme nuk do të përfshihej edhe Kina me qëllim që amerikanët të ishin të lumtur”, ka deklaruar një diplomat i lartë evropian në kushte anonimiteti për CNN, meqë nuk është i autorizuar të flasë lidhur me vendimin për listën e vendeve të sigurta. Dhe kjo mund të shërbejë si shkas për të dëshmuar se ka një krisje në raportet ndërmjet dy anëve të Atlantikut, madje edhe kur merret në kontekstin gjeopolitik një çështje krejtësisht shëndetësore, si puna e pandemisë së koronavirusit. Nuk është kurrfarë sekreti që Washingtoni po tregon më pak interesim se çfarë po ndodh këtyre ditëve në çështjet evropiane. Dhe është njashtu e vërtetë se shtetet evropiane po kërkojnë përherë e më shumë autonomi nga Amerika. Dhe kjo është më se e vërtetë për 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
A PO NDËRROHEN ANËT?
Një prej mënyrave se si Brukseli mendon se mund të distancohet nga Shtëpia e Bardhë është me fuqizim raportesh me Kinën si një partnere strategjike dhe ekonomike, duke ulur mbështetjen në njërën prej superfuqive botërore, duke i baraspeshuar raportet me tjetrën. Gjatë viteve të kaluara, Brukseli është munduar të jetë aktor i rëndësishëm në çështje botërore në kohën kur Trumpi ka dalë me qëndrime që më shumë kanë prishur punë. Kijeni parasysh Marrëveshjen e Klimës të Parisit, marrëveshjen për programin bërthamor të Iranit, 5G-në dhe menjëherë ju krijohet një përshtypje më e qartë për sjelljen që Bashkimi Evropian po tregon anueshëm kah Kina. Po ia kthen shpinën aleates së vjetër. Sigurisht se ky mund të jetë një lexim i pasaktë i gjendjes faktike, duke pasur parasysh raportet e thella ndërmjet Evropës dhe SHBA-së, por në këtë kontekst, çfarëdo afrie me Pekinin do të lexohej si grusht aleatëve matanë Atlantikut. “Duke ditur se çfarë dimë për të dhënat e Kinës, se si është sjellë gjatë pandemisë dhe duke ditur qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë, mendoj se në një botë tjetër, këto gjëra do të ishin ndryshe”, ka thënë diplomati, i cili ka folur në kushte anonimiteti. Dhe ajo bota tjetër për të cilën po fliste ai në të vërtetë nënkupton një botë në të cilën Trumpi nuk do të ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.