Evropa nuk do deponi të egra

13

Rreth 15 organizata joqeveritare dhe iniciativa qytetare kanë bërë thirrje publike deri te kryeministri Zoran Zaev, ndërsa kërkojnë nga ai, Qeveria dhe institucionet gjegjëse në një afat sa më të shkurtër kohorë të deklarohen për “luftën” kundër kaosit me deponitë e egra

Destan JONUZI

Shkup, 6 qershor – Vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë hedhur rreth 855.000 ton mbetje komunale, ndërsa janë mbledhur gjithsej 230.000 ton më pak apo rreth 625.000 ton, tregojnë të dhënat e Entit shtetëror të statistikës. “Për mbledhjen, transportimin të deponimin e mbeturinave komunale përgjegjës janë komunat, ndërsa punën e kryejnë ndërmarrjet publike. Megjithatë shumë pak nga ndërmarrjet komunale punojnë në nivel të duhur teknik, pa kujdesin e nevojshëm për mirëmbajtjen e pajisjeve etj. Një pjesë e madhe e mbeturinave dredhet dhe hidhet nëpër rrugë, veturat për mbartjen e mbeturinave janë të vjetra, ndërsa ato të rejat nuk mirëmbahen, mbeturina hidhen edhe nëpër deponi të egra”, thonë nga Iniciativa Qytetare “Ne bidi gjubre”.

Nga kjo iniciativë qytetare bëjnë pastrimin e 40 lokacioneve të deponive të egra në qytetin e Shkupit, dhe thonë se me këtë iniciativë – dëshirojnë të bëjnë presion ndaj institucioneve publike për ngritjen e vetëdijes për mirëmbajtjen e pastërtisë. “Të gjithë ne themi se duam të shkojmë në Evropë, por Evropa nuk na do kështu, fakt është se mbetjet që janë rreth nesh janë të shumta dhe duhet secili qytetar para së gjithash mos të hedhë mbetjet e ndërtimeve dhe ato mbetje të dërgohen atje ku duhet”, theksoi Jasmina Stojkovska Simonoviq, eko-aktivistë.

Irena Ristiç nga Iniciative Qytetare “Ne bidi gjubre”, thotë se pakujdesi i institucioneve është shkaktari kryesor i deponive të shumta të egra. Por shton se, kur për këtë çështje qytetarët heshtin, institucionet e kanë të lehtë të përgjigjen. “Interesi i vogël i qytetarëve ndaj ambientit ka bërë që institucionet të heshtin së vepruari, ndërsa deponitë e egra të shtohen në numër. Problemi është sistematik dhe duhet detyrimisht të veprohet. Duhet edukim, dënime dhe mirë mbajtje e përhershme. Kuptohet edhe dashuri ndaj asaj që e punon”, deklaroi për gazetën KOHA, Ristiç.

Ndërkohë një grup prej 15 organizatave joqeveritare dhe iniciativave qytetare kanë bërë thirrje publike deri te kryeministri Zoran Zaev, me të cilën kërkojnë nga ai, Qeveria dhe të institucionet gjegjëse në një afat sa më të shkurtë kohorë të deklarohen për “luftën” kundër kaosit urbanistik dhe Planin urbanistik të Qytetit të Shkupit. “Interesi publik dhe e drejta e jetës në ambient të pastër dhe të shëndoshë duhet të jetë postulati kryesor i qeverisjes me shtetin. Obligim i Qeverisë është që ta mirëmbajë dhe mbrojë interesin publik dhe të sanksionojë kur ai rrezikohet” thuhet midis tjerash në thirrjen publike drejtuar kryeministrit Zaev. Përndryshe, sipas strategjisë për menaxhim me mbeturina për vitin 2008-2020, për mbledhjen, transportin dhe deponimin e mbetjeve komunale përgjegjëse janë komunat.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës nga interesi publik për ambientin jetësor më të mirë “Mos injoro! Reago!”, i realizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit mbështetur nga Ambasada e Britanisë Madhe në Shkup)