Përderisa akoma do të kemi raste të paraqitura të mobingut, por edhe më shumë raste jo të paparaqitura, përderisa një punëtor në administratë që po zgjidh edhe më shumë se pesë lëndë në ditë , dhe pret e përcjell me buzë qeshje palët, në raport me dikë që mezi zgjidh dy lëndë dhe e ka mërzi të thotë edhe një mirë mëngjesi po trajtohen njësoj, marrin të njëjtën pagë dhe nuk ka lëvdata dhe shpërblime për ato që dallohen në vendin e punës, nuk ecim para dhe ngadalë do të bëjmë progres
Nga Fisnik PASHOLLI
Me muaj po zgjasin debatet në vend për të dielën si ditë pune. Cilat veprimtari dhe nën cilat kushte duhet të punohet apo jo të dielën, sa dhe si do të paguhet puna shtesë, si do të mbrohen më tej të drejtat e punëtorëve në konditat e reja të punës. Një temë e tillë po na kthen edhe në vitet jo të largëta kur një punëtore tekstili paguhej 7000 denarë për tetë orë pune, kur po bënim përpjekje të tërheqim investitorë t e huaj me fuqi të lire pune, por edhe me aktualitetin që pak ndryshuar se sindikatat janë të shumta në numër, por me anëtarësi më të vogël sesa potenciali , se sindikata akoma shikohen tek një pjesë e anëtarësisë dhe jashtë saj, si mundë si për të blerë diçka me këste apo për të vajtur në pushime apo vikend sërish me këste. Shumica e të punësuarve as që janë të interesuar të anëtarësohen në sindikatat e ndryshme, për shkak se besojnë me të drejtë apo jo, se nuk do të kenë ndonjë dobi prej tyre.
Megjithatë, sindikatat çdo herë kanë qenë më pak apo më shumë aktive, më pak apo më shumë të zëshme dhe janë përpjekur, por edhe ia kanë arritur që me aq sa munden edhe të mbrojnë dhe ndihmojnë punëtorët. Mirëpo, në një treg pune vendor të dobët, me paga që nuk kënaqin, me një kërkesë më të madhe se oferta në tregun e punës, me një ekonomi të konsiderueshme në të zezë, me një ekonomi ku akoma kemi me dhjetëra e dhjetëra mijë kontrata me punë të përkohshme dhe jo të përhershme bile edhe në punë shteti që po zgjaten për çdo vit, shtrohet çështja se sa dhe si po respektohet punëtori.
Shtrohet edhe çështja se kur gradualisht do të humb fuqinë tërheqëse punësimi në sektorin publik dhe kur përgjegjësitë, pagat, angazhimi, komoditeti i punës do të jenë të njëjta apo të përafërta në privat dhe punë shteti. Kur institucionet do të mbrojnë më fuqishëm dinjitetin e punëtorit në sektorin privat, që shpesh i ka zili privilegjet e të punësuarit në sektorin publik. Me kalimin e kohës dhe me ikjen e një pjese të konsiderueshme të fuqisë së kualifikuar punëtore jashtë shtetit dhe faktit se nuk po munden të gjenden punëtorë të profesioneve të caktuara, me rritjen e vetëdijes, shtrëngimin e ligjit, po rriten dita ditës edhe shembujt e punëdhënësve që po paguajnë dhe çmojnë se vjen e më shumë punëtorët.
Mirëpo, përderisa akoma do të kemi raste të paraqitura të mobingut, por edhe më shumë raste jo të paparaqitura , përderisa një punëtor në administratë që po zgjidh edhe më shumë se pesë lëndë në ditë , dhe pret e përcjell me buzë qeshje palët, në raport me dikë që mezi zgjidh dy lëndë dhe e ka mërzi të thotë edhe një mirë mëngjesi po trajtohen njësoj, marrin të njëjtën pagë dhe nuk ka lëvdata dhe shpërblime për ato që dallohen në vendin e punës, nuk ecim para dhe ngadalë do të bëjmë progres.
Gjithashtu, përderisa një trend i tillë i rregullave të qarta të lojës, të faktit se më shumë do të çmohet ai që më shumë edhe kontribuon për një organizatë qoftë shteti apo private, nuk do të bëhet dominues në shoqëri , nuk do të ecim para si shtet dhe ekonomi.
Dhe përderisa ata që janë punëtorë të mëdhenj, të përgjegjshëm dhe të disiplinuar, që nuk e bëjnë punën shkel e shko, nuk çmohen më shumë jo vetëm në aspektin material, do të ikin të rinjtë e të rejat për një jetesë më të mirë në perëndim. Dhe do të flasim akoma për Evropën që do të duhet ta arrijmë, Evropën ku respektimi i rregullave të shkruara apo të pashkruara vlen për të gjithë njësoj.