OKB-ja u ka bërë thirrje shteteve evropiane që t’i kundërvihet bashkërisht përhapjes së sëmundjes së dobësimit të imunitetit Sida dhe virusit HIV. Evropa ndodhet sot para një sfide më të madhe se Afrika, kur është fjala për luftimin e HIV dhe të Sida-s, tha zëvendësdrejtori i Programit të OKB-së për Sida-n(UNAIDS), Luiz Loures, në Berlin. Në këtë kontekst ai iu referua rritjes së jashtëzakonshme të infeksioneve të reja në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore, veçanërisht në Rusi. Eksperti u shpreh në hapje të konferencës së ekspertëve, që po zhvillohet në Berlin. Veprimet e mëvetsishme në nivel kombëtar në sfondin e valës së migracionit brenda Evropës nuk mund ta kufizojnë këtë problem, theksoi Loures. Sylvia Urban, nga kryesia e Aleancës së Aksionit kundër Sida-s në Gjermani, shtoi “po përjetojmë në rajon ndërkohë një katastrofë”. Në Rusi, vendi më i prekur i rajonit, vitin e kaluar numri i infeksioneve e tejkaloi shifrën e 100.000. Krahasuar me këtë – në Gjermani vitin e kaluar numri i rasteve të reja me infeksionin HIV është 3200. Rritja e infeksioneve të reja dhe e rasteve të vdekjeve nga Sida në Evropën Lindore dhe në Azinë qendrore është përkundër tendencës mbarëbotërore. “Qeveria gjermane duhet të kujdeset që Evropa Lindore të mund të përfitojë nga përvoja e Gjermanisë”, theksoi Urban. Duhet gjithashtu të punohet, që diskriminimi të mos vazhdojë të pengojë aksesin e grupeve më të prekura tek masat e profilaksisë dhe trajtimit. “Përndjekja e homoseksualëve, e konsumatorëve të drogës dhe të tjera pakica është një katastrofë njerëzore dhe e bën të pamundur parandalimin e HIV”, tërhoqi vëmendjen Urban.