Evis HALILI
Shkup, 7 prill – Maqedonia vazhdon të renditet mes vendeve që përfiton më shumë mbështetje financiare nga Programi i Bashkimit Evropian – Evropa Kreative. Numri i titujve të përkthyer dhe botuar arrin në 260 vepra nga letërsia evropiane, për të cilat është akorduar një grant prej 800 mijë eurosh, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse kriteret dhe mënyrat e aplikimit kanë pësuar ndryshime, duke vendosur rregulla më rigoroze, por edhe duke reduktuar buxhetin implementimi i deritanishëm i projektit e rendit Maqedoninë si një prej vendeve që ka përfituar më shumë projekte. Dragan Nedelkoviq, zëvendësministri i Kulturës, gjatë një prezantimi të programit Evropa kreative në Panairin e Librit, theksoi se këto libra kanë hapur horizonte të reja për lexuesit lidhur me krijimtarinë bashkëkohore të autorëve evropianë, por edhe me trashëgiminë letrare të vendeve të BE. Ministria e Kulturës është koordinatore e këtij projekti që nga viti 2007. Gjatë tre viteve të kaluara janë miratuar 14 projekte për nëntë shtëpi botuese, kryesisht maqedonase, si ArsLamina, Bata, Magor, Antolog, e të tjera.
“Do të ishte mirë që të gjithë shfrytëzuesit potencialë, institucionet nacionale dhe lokale, shoqatat, organizatat private nga sfera e kulturës, sektorët kreativë, e të tjerë të përfshihen në formë më aktive për të shfrytëzuar këtë instrument të BE, përmes të cilit mund të marrin pjesë dhe të realizojnë një numër të madhe projektesh me dimension evropian”, ka thënë Nedelkoviq. Kultura dhe industritë kreative përbëjnë rreth tre për qind të prodhimit vendas bruto, ndërsa BE i sigurojnë shtatë milionë vende pune. Sekretari i parë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Javomir Leviçek, duke folur për rëndësinë e këtij sektori ka thënë se BE ka dalluar një aspekt shumë të veçantë të sektorit kreativ – rritjen ekonomike. Sipas tij, ekonominë e kohës që jetojmë e lëviz kreativiteti, inovacioni dhe aksesi tek njohuritë.
“Diversiteti kulturor është pjesë esenciale e identitetit dhe vlerave të BE, e cila i promovon ato përmes diplomacisë kulturore, por edhe përmes mbështetjes financiare të projekteve të kulturës”, ka thënë Leviçek. Në këtë prezantim ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga disa shtëpi botuese vendase, të cilët kanë qenë pjesë e Evropës kreative.
“Mbështetja që u dha për botuesit, jo vetëm për botimin, por edhe për promovimin e librave ishte një hap pozitiv, pasi dihet se publiku vjen gjithnjë duke u reduktuar. Ky fenomen është i çuditshëm, pasi supozohet që me rritjen e botimeve cilësore duke të rritet edhe numri i lexuesve. Ky program na ka ofruar mundësi që nuk mund t’i sigurosh në asnjë formë tjetër për botimin dhe promovimin e librave, por gjithsesi me ndryshimet që ka pësuar në vite forma e aplikimit krijohet përshtypja sikur edhe vetë EK gjendet në një krizë identitare.”, ka thënë Vladimir Jankonski nga shtëpia botuese Magor. Programi Evropa kreative përveç se në Maqedoni, që nga viti 2007 implementohet edhe në disa shtet të tjera, si Bullgari, Slloveni, Kroaci, Serbi dhe Hungari.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara