Paris, 28 qershor – Shumë persona humbën jetën nga pasojat e valës së ngrohtë, i cili kaploi shumë pjesë të Evropës. Në një pronë bujqësore në qytetin spanjoll Kordoba ndërroi jetë një punëtor 17 vjeçar pasi ishte freskuar në një pishinë, ndërsa në Valdolid në rrugë humbi jetën një person i moshës rreth 80 vjeçare, informon Bi-Bi-Si.
Vala e të ngrohtit e kaploi Spanjën, Francën dhe Italinë. Në disa vende janë matur temperatura prej 45 gradë nën hije.
Shkallë më e lartë e rrezikut nga zjarret është shpallur në Itali, për sot dhe nesër. Disa vullnetarë po shpërndajnë ujë në rrugët e Milanos, ndërsa autoritetet dolën me paralajmërimin që të mos dilet pa nevojë nga shtëpitë.
Bujqësia polake po përballet me thatësi. Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në 10 rajone, prej të cilave një pjesë paraprakisht ishte kapluar nga vërshimet, ndërsa tani nga nxehtësia e madhe.
Në Kataloni shpërthyen zjarre në rreth 10.000 hektarë, ndërsa zjarrfikësit frikësohen se nxehtësia mundet në mënyrë shtesë ta përshpejtojë përhapjen e zjarrit. Këto dy ditë, në disa vende të caktuara temperatura do të arrijë deri më 43 gradë.
Edhe në Gjermani temperaturat janë të larta, ku janë matur temperatura mbi 38 gradë, për çka autoritetet i paralajmëruan qytetarët që të pinë shumë lëngje dhe të veshin rroba të lehta.
Në Britaninë e Madhe policia i paralajmëroi njerëzit për rrezik nga freskimi në lumenjtë dhe liqenet pasi u mbyt një vajzë 12 vjeçare në lumin Irvel.
Shërbimi meteorologjik francez, për herë të parë, e aktivizoi nivelin më të lartë të paralajmërimeve nga nxehtësia, ndërsa nën mbikëqyrje janë katër rajone rreth Marsejit dhe Monpele në jug të vendit. Rreth 4.000 shkolla janë mbyllur, ndërsa autoritetet lokale i anuluan programet dhe karnavalet të cilat në mënyrë tradicionale mbahen në fund të vitit shkollor.