Duam apo nuk duam Evropa e zgjerimit të madh, e ideve të mëdha, Evropa e pas viteve 90 nuk është më mes nesh. Për vetë Evropën, por edhe për ne po shfaqet një Evropë e re, për të cilën duhet një përgatitje. Ballkani mbase kësaj here i duhet Evropës, por për të mbajtur gjallë idenë e saj. Por nëse nuk ndodh kjo ne vetë a e bëjmë dot Evropën që e deshëm, pa Brukselin siç ka qenë, është pyetje që duhet t’i përgjigjemi vetë!
Nga Nazim RASHIDI
Ideja e Evropës është gjallë në Ballkan. Veç shihni ç’na panë sytë. Eurodeputetë që ia kthyen shpinën “himnit” të Evropës. Kishte shumë shaka dhe reagime për këtë gjest të eurodeputetëve të partisë Brexit, njëra prej të cilave thoshte se mbase s’ju pëlqen Bethoveni, por sido që të jetë, në Parlamentin Evropian, iu kthye shpina Evropës siç e dimë. Franca dha ca shuplaka, për shpresat e integrimeve. Presidenti Makron i pamëshirë ndaj vendeve, por më shumë ndaj njerëzve të vendeve që me aq ngulm duan ta arrijnë Evropën. Por Presidenti Makron në fakt shuplakat duhet tua japë nacionalistëve francezë, që edhe ata me numër rekord janë në Parlamentin Evropian, e të cilët me gjasë e dëmtojnë më shumë idenë e Evropës se sa Ballkani Perëndimor.
Por Evropa ka ndryshuar. Ideja e Evropës, siç ka qenë është e lëkundur. Evropa sot ka politikanë, të mirë e të këqij, autoritarë e liberalë, por Evropa nuk ka liderë të idesë së Evropës. Dhe ne duhet të përballemi sa më parë me këtë realitet. Komisioni i ri, institucionet e reja evropiane do të jenë reflektim i këtij realiteti evropian. Ideja e Evropës siç e njohim, ideja e Bashkimit Evropian siç e kishim dëshiruar po ndryshon. Është fakt se liderët e vendeve të BE-së fokusin do ta kenë tek vetvetja, është gjithashtu fakt se po flitet nën zë, për një raport tjetër me Ballkanin Perëndimor. E gjithë kjo situatë dhe ky realitet si e kap Ballkanin?
Nëse i dëgjon liderët ballkanik, ende flasin për shpresë dhe integrime. Ok. Deri në tetor gjithçka do të sqarohet. Por më pas? A ka plan B? Retorika e tyre, por disi edhe e njerëzve, nuk ka përmendur alternativë për integrimin. A do të thotë kjo se edhe Ballkani do t’i rikthehet vetvetes? Dhe ne të gjithë e dimë se çfarë ndodh kur fokusi është tek vetvetja. Këto ditë ndërkohë përhapet me të madhe informacioni për çmimet e lira për roamingun mes vendeve të Ballkanit perëndimor. Siç edhe është bërë e ditur zbritja për përdorimin e shërbimeve celulare është drastike, kjo do të duhet të sjellë komunikime më të mira mesh njerëzve. Por, a mund të merret si sihariq ky veprim i një “unioni” të mundshëm apo edhe si rezervë, në mungesë të atij të madhit për të cilin është folur me vite të tëra?
Nuk e di në fakt. Ballkani ka folur për stabilitet me vite e vite vetëm në kuadër të BE-së, por nëse ajo heq dorë nga Ballkani çdo të ndodhë? Pyetjet të tilla thuajse bëhen me frikë. Ose heshten nga frika. Por realiteti është i tillë. Kurrizi i eurodeputetëve britanik, është edhe një shfaqje e prapanicës për idenë e Evropës vetë e pastaj edhe për Ballkanin. Kjo situatë, groteske, apo edhe përtej simbolikës hap dilema të mëdha. Gjithçka fillon me atë se ç’do të bëjë Ballkani? Ç’do të bëjë nëse Evropa se do më, ose të paktën s’do ta dojë ashtu siç kishte thënë që e deshte. A mund të dalin procese të tjera nga kjo “tradhti” e Evropës “seksipile” por që nuk nënkupton konflikt? Ideja e Evropës është gjallë në Ballkan, por a bëhet dot Ballkani Evropë?
Ky alarm tashmë i ndryshimit të Evropës, do të duhet të zgjojë një herë njerëzit. Ata si votues do të duhet më fuqishëm të tregojnë se çfarë duan prej politikanëve të tyre. E vërteta e madhe është se politika, korrupsioni e krimet janë ato gjëra që kanë frenuar integrimet. A do mbajmë ende pranë e rrotull politikanë të tillë? Tjetra, që ka të bëjë me reflektimin e njerëzve vetë. Sa në fakt ne jemi evropianë realisht? Me vlera dhe ide, jo thjeshtë ta duam Evropën si një mundësi më e mirë punësimi.
Mirëqenia evropiane ishte reflektimi idesë së saj, që në esencë ka lirinë, rregullat dhe dinjitetin njerëzor e mes vendeve. Por pa idenë e Evropës, e cila do të ndëshkonte politikanët nëse nuk arrinin rezultate që pritej, e sjellim ne dot Evropën tek ne? Proceset mbase duhet kthyer në drejtime të kundërta. Në Shkup për shembull u mbajt për herë të parë parada e krenarisë, që do të vë në fokus të drejtat e komunitetit LGBTI. Por protesta duhet parë përtej komunitetit. Sa do kontraverziale ajo në esencë ka lirinë e individit. Atë thelbësoren e Evropës ku shteti, apo hapësira publike e të gjithëve duhet të përfshijë të gjithë pa përjashtim, dhe pa diskriminim.
Po e pranojmë ne këtë ide të Evropës? Ideja e Evropës nuk vjen pjesë-pjesë. Vlerat e saj janë të shkruara dhe të pranuara, dhe si rrjedhojë kanë sjellë zhvillimin ndër vite, për shkak të respektimit të plotë të tyre. Debatet në Shkup për paradën, vetëm ngjallin dilemat fillimisht konceptuale se sa evropianë jemi në fakt. Pastaj vinë edhe veprimet. Dhuna mbi bazën e çdo diskriminimi është e pa pranueshme. Kjo fjali është përdorur në aq shumë kontekste, sa shoqëria jonë e di shumë mirë. Por kjo vlen edhe për komunitetin LGBTI, i kontestueshëm ose jo. Parada i dha një shuplakë konservatorëve, por ky s’duhet të jetë qëllimi. Qëllimi është i debatit, të hapur për të krijuar atë hapësirë tolerante të përbashkët. Veprimi tjetër për të qenë evropian pastaj ka të bëjë me respektimin e rregullave. Që nga fakti se s’duhet të kalosh në semafor të kuq, apo të parkosh në trotuar, e deri tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit. Sigurisht që edhe Evropa ka shkelës ligjesh, por gjithmonë perceptimi këtej është se ka drejtësi. Dhe shumë mirë. A ka drejtësi tek ne? A bëjmë dot drejtësi evropiane? Kjo është sfida e evropianizmit që do të reflektohet tek ne, por tani mbase pa idenë e Evropës siç ka qenë. Për momentin, me gjithë sfidat e Ballkanit, të vetat dhe ndaj të tjerëve, ideja e Evropës siç ka qenë është gjallë këtu. Sepse ende është motori i për zhvillim dhe paqe. Por, a do vazhdojë të jetë kështu? Ky tekst kësaj here realisht ka më shumë pyetje. Por idetë dhe zgjidhjet e dilemave bëhen kur pyetjet e vështira bëhen me kohë.
Duam apo nuk duam Evropa e zgjerimit të madh, e ideve të mëdha, Evropa e pas viteve 90 nuk është më mes nesh. Për vetë Evropën, por edhe për ne po shfaqet një Evropë e re, për të cilën duhet një përgatitje. Ballkani mbase kësaj here i duhet Evropës, por për të mbajtur gjallë idenë e saj. Por nëse nuk ndodh kjo, ne vetë a e bëjmë dot Evropën që e deshëm, pa Brukselin siç ka qenë, është pyetje që duhet të përgjigjemi vetë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)