Evropa duhet të tregojë fuqinë e saj

6

Reagimi ynë duhet të jetë i diferencuar dhe i nuancuar, por duke qenë në çdo rast të gatshëm për të mbrojtur vlerat, interesat dhe parimet e BE-së. Asnjë nga këto detyra nuk do të jetë e lehtë, dhe jo të gjitha do të arrihen që këtë vit. Por betejat politike fitohen ose humben, në varësi të mënyrës së krijimit të tyre

Nga Josep BORRELL

Sfidat gjeopolitike që po shohim sot, nënvizojnë emergjencën me të cilën Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugën e vet, në një botë që po karakterizohet gjithnjë e më shumë nga politika e fuqisë së ashpër. Ne evropianët duhet të ndryshojmë mendësinë tonë, për t’u përballur me botën ashtu si ajo është, dhe jo siç shpresuam se do të ishte. Bota e sotme, është një botë e konkurrencës gjeostrategjike, në të cilën disa udhëheqës nuk kanë skrupuj për përdorimin e forcës, dhe kur instrumentet ekonomike dhe të tjera përdoren si armë. Për të mos qenë humbës në garën e sotme miis SHBA-së dhe Kinës, ne duhet të ripërdorim gjuhën e fuqisë, dhe ta konceptojmë Evropën si një aktore të nivelit të lartë gjeostrategjik.

Në pamje të pare, përballja me këtë sfidë mund të duket e vështirë. Tek e fundit, BE-ja u krijua për të shfuqizuar politikën e fuqive të mëdha. Ajo ndërtoi paqen dhe sundimin e ligjit, duke e ndarë fuqinë e ashpër nga ekonomia, nga bërja e rregullave dhe nga fuqia e butë. Ne supozuam se multilateralizmi, hapja dhe reciprociteti, përbënin modelin më të mirë jo vetëm për kontinentin tonë, por për mbarë botën. Por gjërat rezultuan ndryshe. Mjerisht, përballemi sot me një realitet më të egër, me më shumë aktorë që janë të gatshëm të përdorin forcën për të arritur qëllimet e tyre. Çdo ditë, ne shohim mjete ekonomike, rrjedhje të të dhënave, teknologji dhe politika tregtare që përdoren për qëllime strategjike. Dhe si duhet të sillet Evropa me këtë botë të re? Shumë analistë, thonë se politika e jashtme e BE-së nuk do të ketë kurrë sukses, për shkak se Evropa është shumë e dobët dhe e përçarë.

Natyrisht, nëse vendet anëtare të unionit nuk bien dakord mbi linjat kryesore të veprimit, besueshmëria jonë kolektive dëmtohet. Ndonjëherë, ne biem dakord vetëm për të shprehur shqetësimet tona, por jo mbi atë çka duhet të bëjmë në lidhje me të. Me rregullat e unanimitetit, është e vështirë të arrihen kompromise mbi çështjet polarizuese, dhe është gjithnjë i pranishëm rreziku i paralizës së institucioneve. Shtetet anëtare, duhet ta kuptojnë se përdorimi i vetos së tyre dobëson jo vetëm Bashkimin Evropian, por edhe veten e tyre. Askush nuk mund të deklarojë, se do një rol më të fortë të Evropës në botë, pa u investuar në të. Europa duhet të shmangë heqjen dorë nga roli i saj në botë, dhe nga hallakatja gjithandej.

Heqja dorë, të nxit të mendosh se problemet e botës janë të shumta ose shumë të largëta, dhe kësisoj evropianët nuk kanë pse të ndihen të shqetësuar. Ne kemi një nevojë jetike për një kulturë të përbashkët strategjike, që të gjithë evropianët t’i shohin si të pandara kërcënimet ndaj sigurisë. Të besosh se Libia dhe Saheli, përbëjnë një shqetësim vetëm për vendet mesdhetare, është po aq absurde sa të mendosh se siguria e vendeve baltike, ka të bëjë vetëm me Evropën Lindore. Hallakatja konsiston në dëshirën për t’u përfshirë gjithandej, duke shprehur shqetësime apo vullnete të mira, të kombinuara me fonde humanitare apo ndihma për rindërtim, a thua se fuqitë e mëdha kanë të drejtë të “thyejnë pjatat”, ndërsa BE është ofruesja natyrore e “pjatave të reja”. Ne duhet të jemi të qartë mbi synimet tona politike, dhe gamën e plotë të kapaciteteve tona. Duke shfrytëzuar politikën e tregtisë dhe investimeve, fuqinë financiare, praninë diplomatike, kapacitetet e vendimmarrjes dhe instrumentet në rritje të sigurisë dhe mbrojtjes, ne evropianët kemi mjaft leva ndikimi. Problemi i Evropës, nuk është mungesa e fuqisë. Por mungesa e vullnetit politik për grumbullimin e fuqive, për të siguruar koherencën dhe për të maksimizuar ndikimin e tyre.

Diplomacia nuk mund të ketë sukses, në rast se nuk mbështetet nga veprimet konkrete. Nëse duam zgjatjen e armëpushimit të brishtë në Libi, ne duhet të mbështesim embargon e armëve. Nëse dëshirojnë mbijetesën e marrëveshjes bërthamore të Iranit, ne duhet të sigurojmë që Irani të ketë përfitime, nëse kthehet të respektojë plotësisht paktin e 2015-ës. Nëse duam që Ballkani Perëndimor të ketë sukses në rrugën e pajtimit dhe reformave, ne duhet t’i ofrojmë atij një proces të besueshëm të pranimit në BE, i cili të ofrojë përfitime shtesë. Nëse duam arritjen e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve, ne duhet të jemi të vendosur për një zgjidhje të negociuar e të dakorduar nga të gjitha palët, dhe të bazuar në ligjin ndërkombëtar. Nëse duam që rajoni i Saheli në Afrikës, të dalë nga paligjshmëria dhe pasiguria, ne duhet ta zgjerojmë angazhimin tonë. Në këto dhe fusha të tjera, vendet anëtare duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Por përtej adresimit të krizave në lagjen e Evropës, ekzistojnë dy përparësi të tjera kryesore.

Së pari, BE-ja duhet të hartojë një strategji të re të integruar mbi Afrikën, kontinentin tonë fqinj. Ne duhet të mendojmë në mënyrë globale dhe të përdorim politikat tona mbi tregtinë, inovacionin, ndryshimin e klimës, hapësirën në internet, sigurinë, investimet dhe migracionin, për t’i dhënë vërtetësi retorikës sonë dhe për të qenë partnerë të barabartë. Së dyti, duhet ta marrim seriozitet krijimin e qasjeve të besueshme në lidhje me aktorët e sotëm strategjikë globalë:Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë. Ndërsa ato janë të ndryshme në shumë aspekte, që të tria praktikojnë lidhjen e çështjeve dhe politikën e fuqisë së ashpër. Reagimi ynë duhet të jetë i diferencuar dhe i nuancuar, por duke qenë në çdo rast të gatshëm për të mbrojtur vlerat, interesat dhe parimet e BE-së. Asnjë nga këto detyra nuk do të jetë e lehtë, dhe jo të gjitha do të arrihen që këtë vit. Por betejat politike fitohen ose humben, në varësi të mënyrës së krijimit të tyre. Ky duhet të jetë viti kur Evropa duhet të jetë më aktive në rrafshin gjeopolitik, duke i shpëtuar fatit të të qenurit një lojtare në kërkim të identitetit të saj.

(Josep Borrell është Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, dhe zv/president i Komisionit Evropian)

Comments are closed.