Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Patrice Evra, ka zbuluar se ai kishte marrë kërcënime nga të burgosur pas incidenit racist me sulmuesin e atëhershëm të Liverpoolit, Luis Suarezin, para nëntë vjetësh.
Në tetor të vitit 2011, pas ndeshjes mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit në “Anfield”, ndaj Luis Suarezit u hap procedurë disiplinore pasi ai u akuzua se përdori gjuhë raciste ndaj Patrice Evras, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta KOHA.
Liverpooli vendosi ta përkrahë yllin e skuadrës së vet në këtë rast, duke thënë se “klubi do të jetë plotësisht në mbështetje të sulmuesit pas këtyre akuzave”.
Pak kohë më vonë, para ndeshjes së Liverpoolit kundër Wiganit, lojtarët dhe trajneri Kenny Dalglish i Liverpoolit veshën bluza të veçanta në mbështetje të sulmuesit, veprim ky që u kritikua shumë në botën e futbollit.
Suarezi u dënua me pezullim prej tetë ndeshjeve dhe u gjobit me 40 mijë funte për abuzim në baza racore të Evras dhe sulmuesi nuk pranoi t’ia japë dorën mbrojtësit francez para takimit të radhës mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit.
Mbrojtësi anësor francez tani ka zbuluar se ai ishte detyruar të punësojë roje sigurimi për veten dhe familjen e tij, pasi ishte kërcënuar me vdekje shkaku i atij incidenti.
“Manchester Unitedi mori aq shumë letra kërcënuese për mua. Njerëzit shkruanin: “Jemi në burg, jemi tifozë të Liverpoolit. Kur të dalim, do të të vrasim ty dhe familjen tënde””, zbulon Evra.
“Për dy muaj, unë kisha roje sigurimi në çdo vend që shkoja. Ata flinin jashtë shtëpisë time. Ishte një periudhë e vështirë, por unë s’kishte frikë. Familja ime ishte e frikësuar: bashkëshortja ime dhe vëllau im, por unë jo. Nuk mund ta kuptoja pse më urrenin njerëzit aq shumë. Ata nuk e dinin të vërtetën”, përfundoi Evra.