Pritja ka mbaruar dhe vendimi është marrë: Patrice Evra ka zgjedhur Marsejën si vendi ku do të shkojë në të ardhmen më të afërt për të vazhduar karrierën e tij. Francezi do të largohet nga Juventus dhe Italia, pa pritur fundin e kontratës në fund të qershorit dhe tani mungon vetëm zyrtarizimi i kalimit të tij në Francë. Bisedimet u mbajtën gjatë gjithë ditës së sotme dhe në fund u mbyllën pozitivisht, pasi skuadra e Marseille mposhti konkurrencën e Lyon. Evra do të firmosë një kontratë 18 mujore dhe kjo pritet të ndodhë në ditën e nesërme, pasi Juventus të kenë pranuar edhe me letra transferimin e tij në “Velodrome”. Evra do të largohet nga Juventus pas 2 vitesh e gjysmë në të cilat luajti 52 ndeshje dhe shënoi 3 gola. Ai ka qenë pjesë e kombëtares franceze nga viti 2004 dhe deri në Euro 2016 duke koleksionuar gjithsej 81 ndeshje me “gjelat”. Pjesën më të lavdishme të karrierës, 35-vjeçari e pati gjatë 8 viteve që luajti 273 ndeshje me Manchester United. Në Ligue 1, Evra ka luajtur me Nice dhe Monaco.