“Çdokush nga ministrat tanë dhe kryeministri javën e ardhëshme do të marrin letra, ku do të gjendet kjo pullë postare në një pliko të posaçme. Jam i lumtur dhe i habitur, për këtë iniciativë të posaçme”, tha ambasadori izraelit në Maqedoni, Dan Orian. “Viti 2018 u shpall vit jubilar i deportimit të hebrejve nga Maqedonia dhe ne kemi realizuar dhe do të vazhdojmë të shënojmë shumë aktivitete dhe ngjarje për nder të hebrenjve”, tha dr. Skender Asani
Delvina KËRLUKU
Shkup, 5 dhjetor – Në kohën e sotme, ku zhvillimi i teknologjisë ka marrë hov, vjen pulla postare e re në Maqedoni, e cila nuk do të humb vlerën e saj edhe përskaj internetit.
Kjo u tha në promovimin e pullës postare, për 75 vjetorin e deportimit të hebrejve nga Maqedonia. Ambasadori i shtetit te Izraelit në Maqedoni, Dan Orian pasi faleminderoi Qeverinë e Maqedonisë për bashkëpunimin dhe marrdhëniet e mira në të gjitha fushat e jetës, deklaroi: “Jam i lumtur dhe i habitur, për këtë iniciativë të posaçme. Para dy jave mbajtëm një konferencë në Izrael, kur kisha një poster të madh gjigand nga kjo pullë postare. Çdokush nga ministrat tanë dhe kryeministri javën e ardhëshme do të marrin letra, ku do të gjendet kjo pullë postare në një pliko të posaçme. Kjo nuk ndodh shpesh edhe për atë se nuk gjejmë përherë partner aq të mirë si të Qeverisë së Maqedonisë”, tha Orian. Ai njoftoi se përgjegjësit e Qeverisë kanë bashkëpunuar për një marsh në Manastir, për nder të të humburve hebrenj, ku kanë marrë pjesë të rinj nga etnitete të ndryshme. Marshi përpos në Shkup e Manastir do të vazhdojë edhe në qytetin e Shtipit. Sipas Ambasadorit Orian, muzeu i Hollokaustit, që gjendet në Maqedoni, së shpejti do të shpalos histori të përjetuara për tragjedinë e hebrenjve në këto anë. Ai tha se kjo pullë është një histori për shtetin e Izraelit, dhe tregues se marrdhëniet me Maqedoninë përmirësohen dita ditës në shumë fusha.
Drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë Ejup Rustemi, tha se Posta e Maqedonisë, si pjesë e shënimit të këtij eventi, është e nderuar, sepse bashkërisht kanë dhënë kontributin në shënimin e 75 viteve nga deportimi i hebrenjve nga Maqedonia.
“Si kompani që respekton vlerat kulturore – historike, në programin për promovimin e pullave postare, e kemi vendosur edhe pullën postare të hebrenjve. E kam nderin që si njeri i parë i Postave të Maqedonisë ta promovojmë këtë pullë, e cila është simbol i bashkimit të njerëzve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare dhe është nder të ndihmojmë kudoqoftë dhe çdokujt që ka nevojë për ndihmën tonë. Pullat postare janë vepra artistike, në hapsirë të vogël paraqitet kultura, historia e një shteti… Ajo është ‘ambasador’ që i tejkalon kufijtë dhe i bashkon njerëzit dhe fatet e tyre. Sinqerisht shpresoj, që kjo pullë postare do të gjendet në shumë letra, dërgesa postare dhe do të udhëtojë gjithë andej botës”, tha Rustemi.
Bujar Osmani, z.kryeministër i Qeverisë, i ngarkuar për Çështjet Evropiane tha se historia e hebrenjve në Luftëne Dytë Botërore është ndoshta periudha më e errët dhe më e hidhur e mbarë historisë sonë. Për ne si vend dhe si popull ky rrëfim do të mbetet i trishtueshëm në kujtesën tonë kolektive, si një traumë që vazhdimisht do të na kujtojë tmerret, kërcënimet, por edhe mundësitë e së keqes në përgjithësi.
“Kujtesa jonë kolektive na fton të kujtojmë tmerret e së kaluarës, në mënyrë që të respektojmë lirinë që na e siguron e tashmja, por edhe për të siguruar edhe të ardhmen tonë duke mbrojtur parimin “kurrë të mos na përsëritet”. Ndoshta të gjithë jemi sot të vetëdijshëm për sfidat që kalon Republika e Maqedonisë, në hapërimin e vet euroatlantik, si vazhdimësi thelbësore e rolit historik gjithnjë në anën e duhur dhe të mirës. Shënimi i sotëm është detyrim, për të konfirmuar se po vazhdojmë me angazhimin tone të jemi pjesë e krijimit, edukimit dhe promovimit të vlerave mbi të cilat mbështetet qytetërimi Perëndimor .
Ne jemi plotësisht të përkushtuar në ndërtimin dhe forcimin e sfidave integruese, me të cilat përballemi, para së gjithash brenda- për brenda, nëpërmjet kujdesit dhe promovimit të parimit të bashkëjetesës, barazisë, drejtësisë duke forcuar kështu demokracinë funksionale, multikulturore, multikonfensionale, por edhe duke investuar përpjekje të mëdha në pajtimimin historik të popujve dhe mbylljen e çështjeve të njeri – tjetrit, si një parakusht themelor për një integrim Evropian të të gjithë Ballkanit. Pikërisht suksesi i këtyre proceseve në promovimin e vlerave evropiane, suksesi i së mirës kundër të keqes do të ruaj kuptimin e sakrificës hebreje si një kujdestar përgjegjësie e njerëzimit, solidaritetit dhe lirisë”, tha Osmani.
Drejtori i ITSHSH, dr. Skënder Asani, foli për rëndësinë dhe vlerën historike të kësaj pulle postale.“Historia në trevat e Maqedonisë na ka mësuar për një bashkëjetesë fetare, ndëretnike, por për fat të keq ka patur edhe momentë që në histori kanë lënë gjurmë negative, ndonëse na kanë ardhur nga diku tjetër, por jo prej brenda. Gjithnjë kemi patur lëvizje dhe realizime, synime të projekteve të mëdha edhe tragjike sidomos në teritorin e Maqedonisë, ku identifikim i të keqes ishte edhe eleminimi i popullatës hebreje, më vonë edhe të të tjerëve. Periudha e Luftës së Dytë Botërore është moment më tragjik i historisë së këtyre trevave dhe këtij populli. Pikërisht viti 2018 u shpall vit jubilar i deportimit të hebrejve nga Maqedonia dhe ne kemi realizuar dhe do të vazhdojmë të shënojmë shumë aktivitete dhe ngjarje për nder të hebrenjve”, tha Asani.
Kjo pullë ka vlerë shumë të madhe, sepse e njëjta ka në vete pjesë të barrës nga historia e dhimbshme e popullit hebre në Maqedoni dhe anë e mbanë botës. Pulla postare është e publikuar në 19 shtator 2018, me vlerë nominale prej 50 denarë dhe tirazh prej 6 mijë kopje, me dizajn të Tatjana Kocevska.